Në çdo qytet ka shtëpi që nuk janë më shtëpi, janë plagë të heshtura. Pas dyerve që duken të zakonshme, fshihen histori familjesh që jetojnë në ankth të vazhdueshëm, të frikësuara se një ditë dikush mund t’u marrë çfarë kanë ndërtuar me vite, jo nga ndonjë hajdut nate, por nga padrejtësia që merr vulë zyrtare.
Humbja e pronës nuk është vetëm çështje pasurie, është humbje identiteti dhe sigurie. Kur një njeri sheh shtëpinë e tij në hipotekë të rreme ose të manipuluar, ndjen se po zhduket pjesërisht nga jeta e vet, ky nuk është vetëm problem juridik, është trauma e një shoqërie që ka lejuar që vlera e një njeriu të matet me dokumente të manipuluara, jo me drejtësi.
Shpesh, procedurat nuk vonohen vetëm nga burokracia, por qëllimisht nga zyrtarë të ndryshëm, komuna, banka apo individë që kontrollojnë hallkat kyçe, duke e mbajtur familjen në ankth për vite me radhë, kjo e shumëfishon padrejtësinë sepse humbet prona, humbet shpresa, humbet qetësia shpirtërore.
Familjet që detyrohen të enden me vite nëpër gjykata, ndërsa pronat e tyre mbahen peng, nuk janë thjesht viktima ekonomike, janë viktima shpirtërore, heshtja institucionale dhe vonesa e procedurave shtojnë dhimbjen dhe traumat psikologjike.
Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi dokumente false, as besimi mbi padrejtësi. Zyrtari që nënshkruan pa hetuar të vërtetën, prokurori që hesht dhe gjykatësi që vonon nuk janë thjesht pjesë e sistemit, por pjesë e problemit.
Institucionet shtetërore nuk duhet të jenë spektatorë. Ministria e Drejtësisë, agjencitë e kadastrës dhe prokuroria kanë detyrë të ndërhyjnë që në momentin e parë, nuk është çështje lëmoshe për familjet që humbin pronën e tyre, është çështje drejtësie dhe përgjegjësie publike.
Për të siguruar drejtësi, vëmendje duhet deri në nivelet më të larta të shtetit, Kryeministri dhe Presidentja nuk mund të jenë thjesht spektatorë, ata kanë detyrë morale dhe institucionale të sigurojnë që sistemi funksionon dhe nuk lejon padrejtësi.
Gazetaria luan rol kyç në këtë proces, publikimi i fakteve, hulumtimi i dosjeve dhe shpërndarja e historive të prekshme për publikun i japin presion institucionit për të reaguar, opinioni publik i ndërgjegjshëm e pengon padrejtësinë të kalojë e heshtur.
Psikologjikisht, kjo padrejtësi shkatërron besimin dhe besimin e njeriut te vetja, tek shteti dhe tek e drejta, çdo vonesë, heshtje apo manipulim është po aq i dëmshëm sa vetë abuzimi, një sistem që nuk mbron qytetarin ushqen padrejtësinë dhe dhimbjen që prodhon.
Shtëpia që merret me hile nuk ngrohet kurrë, dhe pasuria që fitohet mbi dhimbje nuk sjell kurrë qetësi, drejtësia nuk është luks, është e drejtë e çdo familjeje që jeton në këtë vend.