Disa shtriga e ndjekin autoren!

Opinione

Disa shtriga e ndjekin autoren!

Nga: Kimete Berisha Më: 15 nëntor 2025 Në ora: 22:08
Kimete Berisha

- Sonte s’kam editorial.

Shkruani vetë.

Ju pashë që po dini të shani, madje më shumë se ç’kam parë ndonjëherë, edhe në kronikat e Mesjetës.

- Nesër, megjithatë, do t’ju tregoj një sekret të profesionit:

Lexuesi shqiptar, përveç që të kërkon shkrime të bukura (të informosh, të guxosh, të digjesh, të rrezikosh, ta bësh të qeshë e të qajë),

të kërkon edhe bukuri fizike.

Pra: talent + fustan të ngushtë.

Ndërsa vetes nuk i kërkon asnjërën.

- Dhe, sa për ta ditur: kohëve të fundit janë shtuar edhe presionet e grave në rrugë.

Të ndalin, të matin, të gjykojnë, me zë të lartë të japin nota sikur jam ndonjë provim i hapur i Fakultetit të Pamjes.

- Unë nuk e di çka i tremb shtrigat… por e di që mua më duhet një kapuç.

Shembulli i sotëm:

- Në sheshin “Nënë Tereza”, një grua me një burrë paksa të pashëm.

Burri (me entuziazëm estetik):

“E bukur!”

Gruaja, me mantelin kaki të koleksionit “Lufta e Dytë Botërore (fronti i dimrit)”:

“Jo bre, çfarë!”

Burri këmbëngul:

“Jo valla, e bukur!”

- A e kuptuat dramën?

Gruaja vetes i fal çdo gjynah estetik.

Autorja, ndërkohë, duhet të jetë njëkohësisht:

Miss Universe, Edith Durham, Nora e Kelmendit, Barbie, Shota e Azemit, dhe Miss-i i Ahmet Delisë... dhe pak Sylvia Plath, që të durohet gjithë ky presion pa e djegur shtëpinë.

- Shtrigat e përditshme e ndjekin autoren jo për tekstin…

por për të parë a i ka fryrë buzët.

- S’di a ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit që një grua që s’din të shkruajë, t’i kërkojë autores që shkruan… të duket bukur.

- Unë pres kritikë letrare, gjej kritikë trupore.

- Nesër, vazhdojmë temën.

Do t’ju tregoj si, edhe kur shkruan një editorial që tund qeveri, popull, ambasadorë, opozitë dhe perandori,

prapë, nana të thotë:

“Mos m’rri n’tlina se po më vjen inat me ardh kush e me t’pa!”

Duhet të jesh Miss Universi i Letërsisë.

- Është popull lookist.

Nusja: e kish një hundë të madhe, sy në gropë, flokë të rralla, një prapanicë përtoke…

por shtrigat autoren e studiojnë sikur po i bëjnë ekspertizë estetike;

a e shtrëngon belin dhe pse s’ka qenë sot si kukull…

Atyre nuk u pengon të shkruash bukur...u pengon të dukesh bukur.

- Këngëtari çorod u gjen behane bukurosheve:

“Ti n’atë kodër, unë n’atë kodër… boll e mirë, veç pak e vogël.”

- Dhembja estetike është ai pasioni që po djeg shqiptarët.

E tema kryesore e femrave është pamja!

P.S.

Romanin, po, ka shumë gjasa ta shkruaj anglisht.

Për protestë.

Se aty ku burri është i poshtër, gruaja është e ligë, thoshte Zaratustra.

Oj shtriga!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat