Kam përshtypjen se kriza kushtetuese, politike dhe funksionale e shtetit tonë – krizë e shkaktuar nga keqkuptimi i rolit të partive politike në një sistem demokratik, si dhe nga një praktikë politike që më shumë ka prodhuar probleme sesa zgjidhje – më në fund ka filluar të kuptohet si përgjegjësi e vetë politikës dhe krijuesve të saj në partitë kosovare. Ky vetëdijësim u shpreh së fundi edhe në dorëheqjen e Krasniqit nga pozita e kryetarit të PDK-së. E pritëshme që të ndodhë edhe në të tjerat.
Nëse ky akt shoqërohet me një qasje serioze, kritike dhe të sinqertë ndaj përvojës së deritashme, atëherë ai mund të shërbejë si pikënisje për një reformim të thellë konceptual. Ky reformim duhet të nisë me kuptimin e saktë të Kushtetutës: si akt mbi-partiak dhe si themel i shtetit, jo si pengesë apo si instrument për qëllime partiake, por si mjeti kryesor në funksion të ndërtimit dhe konsolidimit të tij.
Reformimi nënkupton para së gjithash modernizim të ideologjive mbi të cilat janë ngritur partitë, si dhe përshtatje me rrethanat, zhvillimet dhe lëvizjet e kohës. Deri më sot, partitë janë marrë shumë më tepër me luftën kundër njëra-tjetrës sesa me reflektimin mbi vetveten, mbi gabimet e tyre dhe mbi funksionin që u jep shoqëria. Ato shpesh kanë harruar se nuk ekzistojnë për të luftuar njëra-tjetrën, por për t’u ballafaquar me ide, për të zhvilluar programe dhe për të pranuar normat demokratike nëpërmjet të cilave maten vlerat e veprimeve politike.
Egoja e sforcuar e liderëve dhe liderizmi si mënyrë e egzistim të partive duhet flakë!
Nëse ky proces reformimi nuk ndodh, dorëheqja e Krasniqit do të mbetet e kotë dhe Kosova do të futet edhe më thellë në problemet strukturore, ideore dhe funksionale të shtetit.
Vetëm nëse partitë rishikojnë themelet e tyre konceptuale dhe kulturën e tyre të veprimit, shteti mund të dalë nga kriza e funksionimit.