Apologjia e Kimit

Opinione

Apologjia e Kimit

Nga: Kimete Berisha Më: 1 dhjetor 2025 Në ora: 22:14
Kimete Berisha

I. Legjenda ime e parë

Në gjimnaz shpifnin se mbaja allti në çantë.

E vërteta ishte shumë më e rrezikshme: mbaja romanin "Pse".

II. Në Trevi fillon filmi

Unë as nuk arrita te Trevi, kur nisën skenat:

Çdo burrë, sidomos policët që i pyesja për drejtimin, më shikonin sikur u thosha:

“Jo vetëm të më tregonin rrugën… por a po vini me mua?”

Në Fontanën Trevi hodha 2 euro.

“Shiko çfarë dëshirove,” më tha një italian.

“Asgjë,” i thashë.

"Unë jetoj me inat, jo me shpresë.”

Dhe aty nisi komedia romantike:

Në autobus, në hotel, në rrugë.

Dikush madje më këndoi si nuse dhe më martoi LIVE...pa na pyetur.

Unë qeshja: ishte hera e parë që më martonin pa i lexuar shkrimet e mia.

III. Martesa e organizuar nga mafia

Djali i parë:

“Do martohemi?”

Unë:

“Po, veç bëjmë sikur na ka martuar mafia: jetojmë bashkë, por nuk komunikojmë kurrë.”

Ai u emocionua sikur i premtova arratinë nga burgu.

Të tjerë m’u rreshtuan:

- një djalosh në Trevi

- një tjetër në autobus

- një plak në recepsion

- një i ri në aeroport

Të gjithë njësoj:

“A martohemi?”

Unë nuk thashë Jo.

“Po, por vetëm nëse shtiremi që na martoi diktatura…

dhe se jemi të lirë vetëm kur nuk takohemi kurrë.”

IV. Qyteti i urisë universale

Roma është qytet tjetër:

i ngopur me art, i tejmbushur me meshkuj të uritur.

Qyteti ku të vështrojnë sikur je artefakt i ikur nga muzeu.

Sikur nuk ka asnjë femër në atë qytet.

Kanti për italianët kishte shkruar:

“Romantikë, sensibël, të prirur të gabojnë.”

E kishte ditur.

V. Gështenjat e Tetovës

Te Spanish Steps, një burrë shiste gështenja sa grushti.

“A je shqiptare?”

“Po.”

“Edhe unë! I Tetovës. I dua shumë shqiptarët!”

“Dëshmohu,” i thashë. “Jepma një gështenjë.”

Ai qeshi.

E jepte jetën për shqiptarët… por jo një gështenjë.

E pyeta për mbiemrin.

Asgjë s’i kujtohej.

Veç gështenjat.

Atë çast e kuptova qartë:

Sa pak meshkuj kam parë në jetë.

VI. Restorantet shqiptare në Romë

Diaspora shqiptare në Romë është si parlament në mërgim:

nuk lexon, por flet… flet shumë.

Në restorante shqiptare, për respekt, lëshonin muzikë shqip.

S’kisha zemër t’u thoja që muzikë shqipe pa hall të madh s’dëgjoj.

Ma lësho “Io che non vivo”.

Një kamarier i ri:

“Po ti, çka mendon?”

Unë:

“S’di. Nuk mendoj.

Veç për fustane flas.”

Ai u kthye nga shoqet e mia:

“Këtë nuk e harroj edhe pas një mijë vjetësh… Je dreq.”

VII. Liri do të thotë: të mos ekzistosh

Në Romë u kujtova sa shumë më kishte marrë malli të jem anonime.

Të mos jem “autore”.

Të mos jem “ajo e rrezikshmja”.

Të takohem me dikë që nuk ka frikë nga unë, që nuk analizon çdo fjali timen si provë kundër vetes së tij.

Vetëm një femër që pi verë të kuqe natën,

flet kot,

negocion çmimin e një kollane sikur po negocion armë paqeje.

“You bargain like a Sicilian,” më tha shitësi.

Dhe unë i hapa sytë... qysh e kam zanat.

VIII. Altare della Patria: bileta ime është shikimi

“Bileta jote është shikimi,” më tha roja.

Unë hyra me sy.

Të tjerët mbetën mbrapa duke komentuar:

- Kimit i hapen dyert.

- Jo, jo, i hap sytë.

- Jo, jo, i gënjen njerëzit.

- Nuk i gënjen. I huton.

Në Romë, as unë nuk e dija çfarë isha:

autore?

nuse?

shtrigë?

mashtruese?

gjithçka.

Shoqet qeshnin, e unë u thosha:

“Natyrisht që të ngacmojnë kur vishesh kaq shkurt.”

Ato shikonin fustanin:

“Kim, më të gjatë se kaq nuk ka.”

IX. Kthimi në Prishtinë

Në Prishtinë, shitësi i flamujve valviti frazën:

“Lum ai që të merr.”

Nga frika se më njihte, nuk isha e lirë t’i thosha:

“Po kush më merr, more burrë?

Kush tha që dua të merrem?

Pse ata - të marrin ty… e jo ti - ata?”

X. Qytetet që të shohin si muze… dhe si krim

Ka qytete që të shohin si muze.

Ka qytete që të shohin si krim të pazgjidhur.

Tek ne është një qytet (emrin nuk ua them se fillojnë protestat)

dhe një lagje (nuk ua them se s’dua ta prishi qetësinë publike)

ku ua rekomandoj çdo vajze të shkojë kur ka krizë identiteti.

Vetëbesimi kthehet për dy minuta.

Ka meshkuj që s’kanë parë femër prej dekadash

dhe të marrin sikur je Fondi Monetar Ndërkombëtar:

të japin kredi, borxh, premtime dhe… martesë.

XI. Dhimbja modeste e gomave të dimrit

Dhe magjia u tret.

Nga Roma, ku më martuan tri herë pa më pyetur,

u ktheva në një realitet pa metafora:

Shkova për të ndërruar gomat.

Prita një orë e gjysmë.

Kur erdhi radha, mbaroi orari.

Njëri prej gomistëve, qind për qind kundërshtar imi politik, u gëzua që më ktheu mbrapsht.

U largova pak, e ula kokën në timon…

dhe qava.

Jo pse nuk u krye puna.

Por pse më ishte shterrë zëri

dhe nuk mund t’i lija ndonjë fjalë që ta mbante mend gjithë jetën.

P.S. - QË S’DUHET TA LEXOJË AI (POR DO E LEXOJË)

Ai nuk e di… s’ka se si ta dijë…

Dhe unë nuk ia them… s’kam se si t’ia them…

se sa nga largësi e madhe jam kthyer, vetëm për të pirë një verë të bardhë me të.

Tash, as e njoh rrugën që më çon përpara, as e di rrugën të kthehem pas.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat