Këtu qëndron “arsyeja e tyre” për ta shkatërruar shtetin e vet, me qëllim që t’i shpëtojnë kësaj ndërmarrjeje ligjore përmes Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, përmes së cilës buxhetit të shtetit do t’i shtoheshin mbi 1 miliard e gjysmë euro. Fatkeqësisht, kësaj hajnise me përmasa marramendëse i paraprijnë disa ish-komandantë e eprorë ose ndonjë shërbimi të UÇK-së, të cilët fshihen pas këtyre tri shkronjave që përfaqësojnë heroizmin e popullit shqiptar në nivel botëror, por që disa individë po i keqpërdorin pa mëshirë e pa turp. Shumë prej tyre, kur të veprojë ligji dhe faktet, do të përfundojnë prapa grilave sipas veprave.
Këta, sa ishin në pushtet dhe ndiheshin të paprekshëm, me filozofinë e tyre të gabuar politike – kur falën territore dhe u pajtuan për ndarjen e pjesës veriore në këmbim të shuarjes së Gjykatës Speciale – ndoqën idenë e Thaçit, siç ishte edhe për formimin e saj. E kur u vërtetua se do të ishte vetë klient i saj, nisi vrapi për ta zhbërë dhe për t’i shpëtuar akuzave të rënda të pretenduara për krime ndaj shqiptarëve. Le të dëshmojnë të kundërtën.
Shikoni maskaradën manipulative me UÇK-në duke mbajtur demonstrata tani në Shkup, më 13 dhjetor, “në mbrojtje të UÇK-së”, gjoja se ajo po gjykohet. Jo! UÇK-ja nuk po gjykohet, por individë. Ndërsa slogani “Liria ka emër” me ato dy figura absolutisht nuk qëndron. Slogani i vërtetë do të ishte: “Liria ka emër – UÇK”.
Nuk kam dëgjuar në botë të gjykohet një ushtri, por individë dhe komandantët e tyre që kanë kryer krime. Pse nuk u gjykua kurrë ushtria serbe, e cila kreu vrasje e masakra monstruoze dhe gjenocid, madje duke masakruar foshnja të porsalindura?
Edvin Kristaq Rama, i lidhur ngushtë e miqësisht me Vuçiqin, si mercenar i tij, nuk lejoi Parlamentin Shqiptar të deklarohej për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Republikës së Kosovës (Dardanisë). Tani në Shkup, nuk di nëse do të marrë pjesë, por di që do të dërgojë bajlozët e tij nën “përkujdesjen” e Ali Ahmetit, të cilit edhe i dedikohet për “t’ia shpëtuar fytyrën”, të cilën e ka humbur prej kohësh, veçanërisht pas rastit të Kumanovës, ku ata djem u futën në kurth, u vranë dhe të tjerët u burgosën në koordinim me shërbimin sekret maqedonas dhe disa komandantë nga Dardania, ndërsa këta të dënuar me burg të përjetshëm po mbahen në burgun famkeq të Idrizovës.
Kush merr pjesë në këtë cirk duke manipuluar rëndë me UÇK-në – e cila me luftën e saj të udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, nga Familja Heroike Jasharaj e Drenicës martire, e ngriti kombin shqiptar dhe atë dardan duke dhënë shembull unik të mbrojtjes së atdheut, një familje kundër një batalioni të tërë të armatosur me të gjitha llojet e armatimit nga toka e ajri – duhet ta dijë se po prek në sakrificën më të shenjtë të kombit.
A ka diçka më të rëndë sesa që, për t’i bërë këto demonstrata të duken masive, angazhohen kryesisht “veteranët e rremë”, të cilët – sipas zërave – kanë paguar nga 2.000 euro për ato vërtetime? Kur i shumëzon me 45.000, del se dikush ka përfituar mbi 90 milionë euro, pa llogaritur të ardhurat mujore, ndërsa veteranët e vërtetë janë në gjendje të rëndë materiale.
Kjo nuk mund të tolerohet në prag zgjedhjesh, për përfitim votash dhe krijimin e një rezistence artificiale ndaj Albin Kurtit për t’ia pamundësuar ardhjen me meritë sërish në krye të qeverisë. Kjo rezistencë organizohet në bashkëpunim me Serbinë, përmes organit të saj – Listës serboshqipfolëse – dhe frikës së arsyeshme që ka opozita, apo ish-pushtetet në koalicion, të cilat janë të frustruara.
Populli duhet ta dijë këtë, dhe në radhë të parë familjarët e viktimave shqiptare, gjatë luftës dhe pas luftës.
Vetëm një udhëheqës i pastër, i ndershëm, i guximshëm, i vendosur dhe që nuk dorëzohet para asnjë presioni në mbrojtje të interesave të popullit dhe shtetit sovran, është Albin Kurti. Tani është momenti të reflektohet kombëtarisht, pa cenuar të drejtat e askujt tjetër që e njeh shtetin dhe respekton viktimat e gjenocidit serb ndaj popullit shqiptar të Dardanisë.
Tri shkronjat e arta UÇK janë dhe do të mbeten në mendjen dhe zemrën time përgjithmonë si shenjë krenarie, që e kam dëshmuar gjatë qëndrimit tim në SHBA për tri dekada, duke e njohur ndër të parët, afirmuar dhe mbrojtur përmes organizatës lobuese LQSHA, të udhëhequr nga Joe & Shirley DioGuardi dhe Bordi Ekzekutiv, e cila me ndihmën e aleatit dhe mikut tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, realizoi lirinë dhe pavarësinë.