Edhe Berisha si Lul Basha

Opinione

Edhe Berisha si Lul Basha

Nga: Ilir Levonja Më: 13 dhjetor 2025 Në ora: 15:57

Kur dëgjova se Sali Berisha caktoi dt 22 dhjetor si datë e fillimit të protestave, thashë vetiu, u bë edhe ky si Lul Basha. Nga njëra anë e përshkruan gjëndjen alarmante, nga ana tjetër shihemi në 22 dhjetor. Problemi është i thjesht i dashur doktor, o sot o kurrë.

Dhe ti sot nuk e bën dot pasi e ke kthyer opozitarizmin në një komoditet të listave të mbyllura, në një komoditet televiziv të Çim Pekës me Baton Haxhiun apo Lorenc Vangjelin, megjithëse problemet e shqiptarëve janë katrahurë plehrash që digjen në periferitë e provincave aq sa sot të gjithë e konsiderojnë demokracinë një luftë të ashpër klasash. Janë bërë grupazhe partiçkash, grupazhe mjaftistësh dhe plot bullizëm të gjithë janë kundër Edi Ramës, megjithatë e kanë me tmerr të bashkohen pasi qoftë njëri apo tjetrit i bie namuzi.

Duket sheshit se Shqipëria ka nevojë për një remont të fortë social pasi ka vdekur arsimi, mjekësia, drejtësia, sociologjia, qënia në një parti është kthyer jetike pasi mund të diplomohesh brenda natës dhe brenda natës mund të shfaqesh i katapultuar si zëvendësministër e kryeministër, ka vdekur gara, i riu e reja i kanë tmerr garat, të kërkojnë llogari dhe pretendojnë poste për gjoja merita, pra ky lloj afshi me gjoja merita është kthyer në një kancer social që ka prodhur me shumicë njerëz apo qytetarë që nuk janë me demokracinë, por me kultin e individit.

Eshtë e tmerrshme ta mendosh që në qytete si Dibra, Lushnja hidhen fishekzjarre në mbrojtje publike karshi korrupsionit. Të gjithë e kanë kuptuar se vetëm në Shqipëri shtetarët vjedhin pa frikë dhe me ndërgjegje. Ka një bullizëm klasik klasor kaq publik sa njerëzit në vend të bashkohen, i bëjnë biografitë njëri-tjetrit, le ta të jenë sado të qartë për gijotinë para syve, por prapë nuk bashkohen pasi e kanë halë në sy njëri-tjetrin. Këtë e verteton më së miri rasti i këtij Lapajt, ka dalë i vetëm po proteston, i vetëm dhe publikisht kërkon bashkim, kërkon të ndihmë..., mirëpo ti vazhdon tashmë ca foltore bajate dhe për më keq një kor bretkosash i bëjnë biografinë atij qytetari i cili mund të jetë gjithkush por në fund të fundit është qytetar opozitar..., kurse ti thua shihemi në 22 dhjetor.

Nuk ke faj, ke hallin e shpurës përreth, listave të mbyllura të një grupi patronazhistësh për të krijuar një strukturë tipike si ajo e rilindjes së Ramës. Nuk është kjo demokracia që shqiptarët duan doktor, ajo e atyre që nëpër foltore sallash të mbyllura dëgjojnë dokrrat e tua, është koha e grisjes së kostumeve firmato që keni veshur, bëjini batanije nëpër sheshet e qyteteve pasi Tirana nuk mbushet me kollovarë. Ktheju vetëm premtimeve të foltores së vitit 2022, listave të hapura, faktit që demokratët ta zëm Durrësit, Elbasanit, Lushnjes, ta zgjedhin vet deputetin që dua dhe jo qëndra. Kaq dhe pikë..., ktheju nofullave të forta nëse i ke dhëmbët e tu, se, nuk ka marrëveshje me hajdutin kur ankohesh se t'i vodhën zgjedhjet.

Shqipëria do prodhojë demokraci vetëm kur pesha e statutit institucional të mund peshën e kultit të individit..., nuk mbahet me lojra fjalësh si gabimi njerëzor falet etj. , apo e futëm këtë apo atë në listë për këtë iks meritë apo ypsilon besnikëri, kuvendi i Shqipërisë nuk është strehë vorfnore besnikësh karshi teje, por shërbëtorësh rrethinash që po vdesin përditë. Ti ndofta i shikon ata soje fisnikësh q[ t[ mbushin sallat dhe jo sheshet si Shqipëria, por nuk janë, Shqipëria është tjetër një mizerje shpresëhumburish që rrojnë me lëmoshat e fëmijëve në emigrim.

Eshtë kjo arsyeja që qeveriset sot me 30% pjesëmarrje vetëm anëtarësh me kartela dhe me radhe e rresht ushtarak partiak. Por tek kjo 30% ke pjesë edhe ti pasi plotëson dhe bën lojën e një shtetari dështak që gjithçka mund të jetë, veç jo për demokracinë, jo për shqiptarët, jo për kombin, prandaj o shtrihu sot në rrugë ti i pari, me shtrat kostumin tënd firmato, o hap krahun.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat