“Mos lësho pe!” - Kur fjala bëhet amanet

Opinione

“Mos lësho pe!” - Kur fjala bëhet amanet

Agim Vuniqi Nga Agim Vuniqi Më 19 dhjetor 2025 Në ora: 08:38
Foto ilustrim

Ka slogane që shpiken në zyrat e fushatave dhe ka slogane që lindin nga dhimbja kolektive. “Mos lësho pe!” nuk erdhi nga tavolinat e marketingut politik, por nga goja e një nëne shqiptare, e cila i ka mbijetuar shekujve nën zgjedhë, luftës, varreve pa emër dhe mungesës së drejtës për të qarë e për të varrosur siç duhet të dashurit e saj. Ajo nënë nuk kërkoi mëshirë. Ajo dha amanet.

Dhe kur ajo e përqafoi Albin Kurtin, nuk ishte përqafim elektoral. Ishte përqafim historik. Ishte nëna që i flet birit të radhës të këtij vendi dhe i thotë: kur je në të drejtën, mos lësho pe. Dy fjalë të thjeshta, por me peshën e shekujve. Dy fjalë që përmbledhin fatin e Kosovës më shumë se çdo program politik.

“Mos lësho pe” është thirrje për dinjitet, jo për konflikt. Është refuzim i padrejtësisë, jo i dialogut. Është këmbëngulje në të drejtën, jo kokëfortësi boshe. Është fjala që e kanë mbajtur gjallë nënat tona kur shteti mungonte, kur ligji ishte armë e të huajit, kur heshtja kërkohej si kusht për mbijetesë.

Në këtë slogan nuk ka urrejtje. Ka kujtesë. Nuk ka hakmarrje. Ka drejtësi. Nuk ka thirrje për përçarje. Ka mobilizim për unitet – sepse vetëm të bashkuar shqiptarët kanë ditur të mos lëshojnë pe kur u është mohuar gjithçka.

Në prag të 28 dhjetorit, “Mos lësho pe!” nuk është thirrje vetëm për votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Është thirrje për çdo qytetar që beson se shteti nuk ndërtohet duke u përkulur, se paqja nuk arrihet duke hequr dorë nga e drejta, dhe se shpresa nuk është dhuratë, por përgjegjësi.

Ky slogan nuk kërkon verbëri politike. Përkundrazi, kërkon vetëdije qytetare. Të mos lëshojmë pe ndaj korrupsionit, ndaj kapjes së shtetit, ndaj harresës historike. Të mos lëshojmë pe ndaj presioneve që kërkojnë ta bëjnë Kosovën të vogël në dinjitet, edhe kur është e vogël në territor.

“Mos lësho pe!” është fjala e nënës që u shndërrua në fjalë populli. Është amanet që kërkon maturi, drejtësi dhe paqe – por pa nënshtrim. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e saj mobilizuese: të qëndrosh drejt, pa e humbur njerëzinë.

Sepse kur je në të drejtën, fjala e mbajtur nuk është kokëfortësi – është krenari. Dhe një popull që nuk lëshon pe ndaj të drejtës, nuk humb as paqen, as të ardhmen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat