Faleminderit presidente!

Opinione

Faleminderit presidente!

Nga: Milaim Nela Më: 21 dhjetor 2025 Në ora: 20:45
Njohja nga Bahamas

Katër njohje të reja të shtetit të Kosovës brenda vitit 2025.

Heqje e një pjese të sanksioneve nga Bashkimi Europian edhe ashtu krejt të padrejta ndaj Kosovës!

Dekreti i Presidentit Amerikan Donald Trump për përfshirjen e Kosovës në Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare me përspektiven për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

***

Këto janë arritje të padiskutueshme të udhëheqjes së Kosovës, arritje me të cilat duhet të krenohen jo vetëm shqiptarët e Kosovës por të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen.

Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e diplomacisë së Kosovës e në veçanti e Presidentes Vjosa Osmani.

Katër njohje të Kosovës në një vit nuk kishin ndodhur prej gati 15 vitesh.

Kosova ka qenë padrejtësisht e vendosur nën një presion të padrejtë nga Bashkimi Europian, nga ish zyrtarë amerikanë të shëndërruar në ndërmjetës marrëveshjesh biznesi por duke vepruar haptas edhe si lobues të Presidentit Serb Aleksandar Vuçiç.

Sikur të mos mjaftonin këto, ndaj kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani u bë një presion i paparë nga opozita politike e Kosovës të cilës ambicja për tu rikthyer në pushtet me çdo kusht ju a errësoi vetëdijen politike dhe mbase edhe padashje rrezikuan seriozisht ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Diskursi i palogjikë i partive opozitare të Kosovës u ndihmua fuqishëm edhe nga qëndrimet e Tiranës Zyrtare e cila asnjëherë nuk e ka fshehur qëndrimin kundërshtues e here here edhe më të ashper se vete Beogradi Zyrtar ndaj Kosovës Zyrtare.

Të mos harrojmë qendrimet e tyre në raport me veriun e Kosovës, Asociacionin, vajtje ardhjet në Hagë e deri te protestat folklorike në Tiranë kundër asaj Gjykate të cilën unë nuk e kam mbështetur kurrë por për rastësi të çuditshme forca politike që sot udhëheq Kosovën e kishte kundërshtuar me votë kunder në Kuvendin e Kosovës.

Paturpsisht Edi Rama, bashkautor i Ballkanit të Hapur dhe një nga protagonistët e projektit të ndarjes se Kosovës do të futej si klloun edhe në konferencën për gazetarë të Presidentes Vjosa Osmani për të marrë merita dhe lavdi të pamerituar për heqjen e sanksioneve.

Këto merita te vjedhura nuk hezitoi të ja japë edhe Enver Hoxhaj ish ministër i jashtëm i Kosovës!

E pabesueshme.

Por ta lëmë këtë mënjanë.

Mua si shqiptar pavërësisht bindjeve të mia politike e ideologjike çdo sukses i Kosovës i arritur nga çdo faktor i spektrit politik më gëzon tej mase ashtu siç më hidhëron dhe me dhemb çdo dhimbje e saj.

E le ti gëzohemi arritjeve të Kosoves sot pa asnjë lloj kompleksi!

Falenderimet në krye të herës shkojnë për presidenten e cila ka punuar papushim e pa u lodhur për vendin që ajo e udhëheq.

Po ashtu vlerësoj edhe këmbënguljen e Kryeministrit Albin Kurti për të mos lëshuar pe ndaj diplomacise bullizuese në integrietin politik e territorial të veriut të Kosovês.

Këto arritje të vogla në dukje do ti vlerësojë koha dhe unë personalisht besoj se do jenë faqe të arta të historisë së Kosovës.

Ekonomia ulet e ngrihet por territori nëse e lëshon, nuk kthehet më.

Në vitin e ri që po na troket e gjithë energjia e çdo partie që do jetë fituese ose e jo e zgjedhjeve të 28 Dhjetorit duhet të përqëndrohet në konsolidimin e shtetit të Kosovës, heqjen e plotë të sanksioneve idiote të BE-se por fokusi kryesor duhet te jetë anëtaresimi i Kosovës në NATO si garancia supreme e integritetit territorial dhe sovranitetit te Kosovës.

Le te shfrytozohet në mënyrë të mençur dekreti i Presidentit Trump dekret i cili merr një peshë shumë të madhe në këto kohë krejt të pasigurta për Europën dhe botën në tërësi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat