Kartolinë nga Rilindja!

Opinione

Kartolinë nga Rilindja!

Nga: Kimete Berisha Më: 25 dhjetor 2025 Në ora: 21:36
Kimete Berisha

I. Rilindja dhe ideja e lumturisë

A do të doja të rilindja… përsëri?

Sa më e palumtur je, aq më shumë ke nevojë të jetosh përsëri.

Anipse e di se lumturia nuk varet prej teje, për mungesën e saj prapë ia lë fajin mençurisë tënde…

Sikur të isha mjaftueshëm e mençur, do të isha e lumtur.

- "Çka do të bëje sikur të rilindje përsëri?”, më pyeti një djalë i mirë nga Skënderaj.

- "Do të isha egoiste… dhe e pandjenja!”, iu përgjigja.

- "Pse?”, tha ai - që, përveçse i mirë, ishte edhe i pashëm.

- Mendoj se themeli i lumturisë duhet të jetë i vrazhdë si themeli i shtëpisë:

duhet të jetë i ftohtë, pa ndjenja.

Sepse gabimi im i parë është shpërndarja e dashurisë - për mëshirë.

Ne të dy mendonim se nuk ishim të lumtur sepse ishim të sinqertë, të ndershëm dhe të dashur.

II. Bukë, mëshirë dhe mungesë

Me këto mendime po kaloja sheshit Nënë Tereza. Një lypësare më kërkoi t’i bleja bukë, me akuzën:

“Ti mua kurrë s’më jep bukë.”

Le të mbetet në ndërgjegjen time se si veprova më tutje, por shoqëruesit tim i thashë:

“Kjo nuk e di se unë s’kam ngrënë bukë që gjashtë muaj.”

- E sheh pra: ti lyp mëshirë nga dikush që nuk është i mëshirshëm me veten;

lyp bukë nga dikush që e lë veten pa bukë, sepse dëshiron të mos duket i thyer.

III. Shnollat dhe vajza që s’është zhdukur

Në sheshin tjetër, gratë kishin ekspozuar punime dore.

U ula në të dy gjunjët për të zgjedhur shnolla me rruaza.

Më pëlqen kotësia e gruas që “shtin rruaza në pe”.

Gruaja e heshtur mendonte se po i zgjedhja shnollat për ndonjë fëmijë, derisa i tregova se i kisha për vete.

Nuk i tregova se kam një thes shnollash në shtëpi…

Ndihesha bukur, si dikur, kaherë, në tregun e Mitrovicës, të shtunave, duke zgjedhur një në mesin e qindra kapëseve flokësh - derisa shitësja ma prishi panoramën, sepse ma dhuroi një shnollë, me arsyetimin:

“Shkrimet e tua më qetësojnë.”

- Ma kujtoi kush jam: unë gjithmonë harroj se njerëzit më marrin seriozisht, anipse kur shkruaj nuk e kam parasysh askënd.

IV. Unazat dhe faji që mbetet

Në tregun e Kanës i pata gjetur tre unaza argjendi.

I shiste një grua e re me vajzën e saj.

E pashë menjëherë se ajo kishte nevojë t’i hiqte qafesh, dhe anipse ishin lirë, unë e negocova çmimin… sikur ia gjeta ditën.

Dy unazat më humbën sapo u ktheva në Prishtinë.

Shumë i kam kërkuar. Njëra - për gishtin e vogël - më ka shpëtuar pa humbur

(me gur oniks).

Sa herë e shoh, më kujton se, po të rilindja, do të shkoja në Kanë, do ta gjeja atë grua dhe do t’ia ktheja unazat.

- Anipse, si studente, kam shitur orën e dorës për të ardhur në Prishtinë, për ta dhënë provimin para profesorit që nuk ka shkruar më bukur se unë.

V. Ilaçi që shëron të tjerët

Në inbox- in e Instagramit, një djalë më kishte shkruar një mesazh shumë të bukur (anipse plot dhimbje).

Më tregonte se si shkrimet e mia për besimin, dashurinë, lumturinë dhe shpresën ia kishin shëruar trishtimin.

Ilaçi im ka qenë fjala:

“Po të mos besoja në Zot, unë s’do të mund të zgjohesha.”

Mua nuk më kujtohet ilaçi im, por vazhdoj… shpirtin tim e mashtroj.

E di. Jam aq arrogante sa të mendoj se çdo gjë që ka për të ardhur është shumë, shumë më e bukur se ajo që ishte, se kjo që është…

anipse mendja thotë ndryshe.

- Ai djali i ri nuk e di se u shërua nga dikush që nuk e ka gjetur ilaçin për shpirtin e vet.

VI. Lumturia e ushtruar

Por ti duhet ta mashtrosh veten.

Ky është mësimi numër një.

Truri nuk e bën dallimin mes “a je vërtet i lumtur” apo “po shtihesh”.

Të martën, në zyrë, lëshova muzikë në kupë të qiellit, derisa hartoja raporte pa lidhje; bëja pauza, vallëzoja, këndoja me zë të lartë, me shpresë se do të hynte dikush e do të ma tërhiqte vërejtjen për lumturinë.

Shoqen time poete e pyeta:

“A dukem e lumtur?”

Tha: “Po. Më lumturove edhe mua.”

Nuk i tregova se po luaja me shpirtin.

Të nesërmen i thashë:

- "Në fillim jam dukur e lumtur pa qenë… pastaj jam ndjerë e lumtur… dhe nuk di më çfarë ishte e vërtetë.”

VII. Kujtesa, burrat dhe frika nga errësira

Pra, ushtro lumturinë, jo trupin.

Në një botë ku mbi nëntëdhjetë përqind janë të pikëlluar, mos prit që dikush të vijë te dera për të ta hequr mërzinë.

Mërzia s’ka ilaç.

Unë jam “old school”.

Burrin e pres me sakicë në dorë, duke çarë dru - jo të lëmuar, jo të frikësuar nga ndjenjat e veta.

Nëse frikësohesh kaq shumë, pse hyn në terr kur zemra fillon të bëjë “vërr”?

- Për burrin e territ, dashuria është më e frikshme se vetmia.

VIII. Ilaçi është i fshehtë

Në zyrë më vizitoi një artiste e madhe. Tetëdhjetëvjeçarja dukej vajzë e re.

Fliste qetë për këtë vend që i harron më të mirët.

“Unë pi dy lloj ilaçesh,” më tha.

“Për shtypje të gjakut dhe shkrimet e tua.

Nëse më shpëton ndonjë shkrim i yti pa e lexuar, i dyfishoj ilaçet e zemrës."

- Desha të qaj. Nuk qava.

Ilaçi nuk duhet prishur.

Desha t’i thosha: edhe unë… Nuk ia thashë.

IX. Pse

Nëse do të rilindja, do ta hiqja zanatin më të keq: nevojën e çmendur për të kuptuar pse.

S’mërzitem kur më lëndojnë - mërzitem të kuptoj:

pse e bëri?

pse ndodhi?

a e provokova?

a është e shkruar?

EPILOG

Në fund, ti bëhesh ilaç - pa dashur, pa e ditur.

Dhe s’ka më kthim prapa.

Nuk mund të qahesh më për veten.

Të gjithë presin prej teje t’ua fshish lotët.

P.S.

Desha të them: Me fat Krishtlindjet.

AUTOKRITIKË:

Ke filluar prapë të izolohesh.

I ke mbyllur komentet.

Nuk po shkon në ndeja.

Shoqëria të ka lënë

(kuptohet - ti s’e di pse).

Dhe, çuditërisht, po:

ndihesh më mirë vetëm kur kthehesh

në Shtëpinë e Dymbëdhjetë.

- Të dua,

edhe kur s’më pëlqen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat