Muaji janar hyri në historinë tonë kombëtare si muaji më i kobshëm, muaji që i mori kombit shqiptar disa nga figurat e tij më të ndritura. Këtij kobi të zi ia shton peshën e mallkimit edhe vrasja e trefishtë e kolonel Tahir Zemajt, Hasan Zemajt dhe Enis Zemajt.
Këto vrasje makabre, të kryera në vazhdimësi nga një dorë e zezë kriminale shqipfolëse, ishin pjesë e një zinxhiri eliminimesh të figurave më të rëndësishme nacionaliste shqiptare. Qendrat komanduese që lëshonin urdhra rrufe për këto vrasje ishin të vendosura në zyrat e shërbimeve famëkeqe sllavo-komuniste. Fatkeqësisht, bolshevikët dhe neobolshevikët shqiptarë i zbatuan me përpikëri urdhrat e vëllezërve të tyre ideologjikë dhe likuiduan patriotët e vërtetë nacionalistë shqiptarë.
Kush do ta mendonte se kjo dorë e zezë neobolshevike do të godiste sërish, madje në Kosovën e lirë?
4 janari i vitit 2003 ishte dita më e kobshme në Kosovën e lirë. Dora kriminale e shqipfolësve neobolshevikë mori jetën e kolonelit të madh, komandantit trim që udhëhoqi Betejën e Loxhës, e cila hyri në historinë tonë si beteja e parë e fitores së madhe kundër egërsisë shoviniste shkine.
U mor jeta e veprimtarit dhe ushtarit trim Hasan Zemaj, i cili kurrë nuk u ndal së vepruari për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. U mor edhe jeta e një fillize të njomë, Enisit, i cili sapo kishte nisur ëndrrat rinore në Kosovën e lirë. Kështu u përgjak sërish kombi ynë, duke ia zbehur bukurinë lirisë për të cilën luftuam dhe sakrifikuam me shekuj.
Ideologjia famëkeqe bolshevike serbosllave nuk njeh rrugë tjetër përveç vrasjes së kokave më të mira nacionaliste, likuidimit të elitës intelektuale shqiptare dhe zbërjes së kombit tonë. Këtë mision e kryen dhe vazhdojnë ta kryejnë neobolshevikët shqipfolës, pa zgjedhur metoda, nën strategjinë “Gjithçka ose asgjë”.
Kolonel Tahir Zemaj ishte një oficer karriere, profesionist i nivelit të lartë, i cili respektoi në maksimum institucionet e Republikës së Kosovës të udhëhequra nga Presidenti Ibrahim Rugova. Ai kurrë nuk devijoi nga urdhrat e eprorëve të tij ushtarakë dhe politikë. Urdhrat e ministrit Ahmet Krasniqi i zbatoi me përpikëri, ashtu si edhe vijën politike të Presidentit Rugova – madje edhe me çmimin e jetës.
Kjo vendosmëri ishte tmerr për neobolshevikët e shtabit të LPK-së. Ata e sulmuan vazhdimisht, madje duke e kërcënuar se “do të luftojmë me ty si me shkja”. Ata e luftuan më shumë se armikun, sepse përballja me shkja nuk kërkonte guximin që ata nuk e kishin. Frikacakët ikin nga lufta me armikun dhe godasin vëllezërit e tyre pas shpine.
Trimat e vërtetë, si kolonel Zemaj, luftojnë ballë për ballë me armikun dhe dalin fitues. Ai nuk pati plumba për shqiptarët, sepse ata ishin vëllezërit e tij. Vetëm nacionalistët e vërtetë e kanë këtë shpirt: trima me armikun dhe të urtë me vëllezërit e tyre. Ndërsa fara e keqe bolshevike është e kundërta – frikacake ndaj armikut dhe vrastare pas shpine ndaj vëllezërve.
O Zot, zhduke këtë farë të keqe nga kombi ynë!
Kanë kaluar njëzet e tre vjet nga kjo vrasje kriminale e trefishtë dhe ende nuk ka asgjë konkrete. Kriminelët urdhërdhënës dhe xhelatët ekzekutorë shëtisin të lirë në Kosovë, Shqipëri dhe gjetiu. Drejtësia në shtetin tonë është shndërruar në një institucion të kapur nga bandat kriminale, prandaj nuk ka asnjë lëvizje drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje dhe krimeve të tjera.
E vetmja shpresë që ka mbetur është Gjykata Speciale. Nëse edhe kjo dështon, drejtësia do të mbetet një plagë e hapur për kombin tonë.