Kush janë politikanë të “vjetër dhe të rinj” brenda LDK-së?

Opinione

Kush janë politikanë të “vjetër dhe të rinj” brenda LDK-së?

Nga: Bejtullah Sokoli Më: 20 janar 2026 Në ora: 14:27
Autori Bejtullah Sokoli

Këtë shkrim dhe këtë pyetje e bëj nisur nga një deklaratë e thënë ditë më parë nga kryetari në dorëheqje i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili “bëri diferencimin (dallimin v.j.) e politikanëve të rinj nga ata të vjetrit” në LDK-në që e drejton për momentin. Arsyetimi i këtij lideri në dorëheqje për këtë ishte se “Parisit (Guri, ish-deputet v.j.) dhe jo vetëm atij, por edhe politikanëve të tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën”.

Abdixhiku bën mirë të tregojë se a është LDK parti që në vete ka “strehuar” më shumë politikanë të vjetër, apo unë do t’i quaja gjyshër, krahasuar me politikanë të rinj, përballë partive të tjera politike në Kosovë. Natyrisht, LDK-ja si lëvizja dhe parti e parë politike, më e vjetra në Kosovë, e cila i ka mbushur 36 vjet aktivitet, është normale që në radhët e veta të ketë edhe një kategori “të vjetërish” apo të moshuarish (gjyshër), si dhe të rinj. Kjo deri në një masë dikur ka pasur arsyet e veta. Mirëpo, iku ajo kohë.

Tani, në radhët e partisë së Dr. Ibrahim Rugovës, do duhej të përfshihej shumë më shumë gjak i brezave të rinj, të flakët e të devotshëm të kësaj partie. Pra, në vend se të ndodhë kjo e fundit, për çudi po ndodh e kundërta. Ç’është e vërteta, në radhët e LDK-së kanë bërë folenë disa “të vjetrit”, të moshuarit apo gjyshërit. Disa gjyshër që janë në krye, biologjikisht dhe politikisht, nuk mund të qëndrojnë shumë gjatë, si: Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri, Anton Çuni, Imri Ahmeti, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami e ndonjë tjetër. Disa prej këtyre janë edhe kryetarë degësh, të tjerët, për arsye të moshës, i kanë shpallur anëtarë apo kryetarë nderi të kryesive të LDK-së. Respekt për këta dhe të tjerë, por liderët e vërtetë lënë liderë të tjerë pas vetes, si trashëgimi. Këta e kanë nderuar LDK-në deri tash, por tani është koha që këtë parti t’ua lënë brezave të rinj. Mirëpo, lidershipi i kësaj partie shumë pak ka menduar për këtë ndryshim.

Më tej, me disa prej tyre që për momentin i prijnë LDK-së, nuk ka shans që të ndryshojë dhe të krijohet një LDK e re me “të vjetrit” në radhët e veta, pavarësisht vullnetit të mirë të disave që kërkojnë reforma, ristrukturim, ringritje të qartë politike të këtij subjekti politik etj. Për fat të keq, LDK-ja është shndërruar në një parti të kapur nga një grup “të vjetër dhe të rinj”, të cilët për interesa personale janë në gjendje të bëjnë, siç edhe bënë, gjithçka këto vitet e fundit. Këta gati e kanë privatizuar partinë dhe bëjnë çfarë të duan me të, kurse të tjerët që nuk mendojnë si ata i anatemojnë, duke i lënë nën “hije”. Rezultatet katastrofike të zgjedhjeve parlamentare të viteve 2021 dhe 2025 dëshmojnë qartësisht se në çfarë gjendjeje ka rënë kjo parti.

Me këta “të vjetër e të rinj” (me disa përjashtime), transformimi në një LDK të re është utopi të shpresohet. Siç është utopike të pritet se ata do të ndryshojnë mendjen një ditë dhe gjithçka do të ndryshojë. Pritja është e kotë, sepse “të vjetrit” janë aty për të mos ndryshuar asgjë, ngase ndryshimi nënkupton fundosjen e tyre. “Të vjetrit” duan që LDK-ja të vazhdojë kështu siç është, të përfitojnë nga ajo çfarë munden, ashtu siç kanë përfituar deri tash.

Megjithatë, ana tjetër pozitive e medaljes është se anëtarësia në nivel lokal, pra nga nëndegët e degët e deri te niveli qendror, si dhe opinioni, ka zëra që kërkojnë reformë të thellë politike të LDK-së, meqë çështja e ndryshimit dhe identitetit të ri në këtë parti nuk është çështje e moshave, “të vjetrit apo të rinjtë”, por e mendësisë politike.

Në fund, kujtojmë me këtë rast edhe deklaratën e njërit nga themeluesit dhe ish-sekretarit të LDK-së, historianit Jusuf Buxhovi. Ky, veç tjerash, pati thënë: “LDK-ja ka qenë shtëpi e intelektualëve, por tashmë nuk është më. Shumë faktorë e kanë sjellë në këtë nivel. Të gjithë janë pjesë e një amalgami ku politika po shihet si interes përfitimi.”

Sakaq, edhe më i ashpër me deklaratën e tij lidhur me gjendjen jo të mirë në këtë parti ishte Prof. Dr. Akif Bajrami. Ky shkurt pati thënë: “Isa Mustafa e ka bërë LDK-në pikë e pesë.”

Krejt në fund, do të isha i kënaqur nëse e gjithë kjo përsiatje do t’ia vlente dhe të kuptohej si thirrje më tepër për t’u kthjelluar dhe për t’u kthyer së mbari asaj që është më e rëndësishme: kthimit te fuqizimi i LDK-së, ashtu siç ishte deri në vitin 2006, në të gjallë të themeluesit dhe liderit të saj historik, Dr. Ibrahim Rugova, me brezat e rinj dhe me nevojën për ripozicionim të qartë politik të kësaj partie institucionaliste dhe shtetformuese të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat