Loja dhe rreziku…

Opinione

Loja dhe rreziku…

Nga: Agron Shabani Më: 27 janar 2026 Në ora: 10:38
Autori Agron Shabani

“Çfarë do të ishte bota e sotme pa SHBA-në? Thjesht asgjë. Ndoshta nuk do të ekzistonim fare. E sidomos ne shqiptarët si popull (komb) i vogël në mes popujve (kombeve) dhe shteteve më të mëdha.

Kështu që ata që i mbështesin, kolportojnë, penetrojnë dhe kolaborojnë me SHBA-në, sipas teorive të njohura politike dhe ushtarake, i kanë zgjedhur dhe preferuar edhe lojën, edhe rrezikun.

Çfarë (çka) do të thotë kjo? Pashmangshëm shtrohet pyetja.

Rusët vërtet janë një popull ose komb i madh, me vlera, resurse, potenciale dhe kapacitete të panumërta të florës dhe faunës.

Rusia gjithashtu është një shtet dhe fuqi (superfuqi) e madhe botërore me ushtri dhe arsenal të madh bërthamor ose atomik.

Por, rusët (Rusia) gjithashtu i kanë mbrojtur dhe shpëtuar dikur anglo-amerikanët në të dyja luftërat e mëdha botërore dhe në të tjera.

Një digresion:

Primorja ruse ose Vladivostoku (në gjuhën japoneze “Artjom” dhe kineze “Haishenwai”), i njohur dhe i quajtur si “Bosfori i Lindjes”, apo “Bosfori i Rusisë”, deri para vitit 1860, me rastin e “traktatit të padrejtë dhe të pabarabartë” të Pekinit, u takonte provincave japoneze të Heilongut (Amurit) dhe Argunit (Iongut), si dhe provincës kineze të Mançurisë.

Kështu që pjesën dërmuese të popullsisë së atëhershme, përveç rusëve, kozakëve dhe ukrainasve, e përbënin kinezët, japonezët dhe koreanët.

Ndërkohë, gjatë luftës së njohur ruso-japoneze (1904–1905), Vladivostoku kishte rënë sërish nën kontrollin dhe pushtetin e plotë të Japonisë, pas disfatës së njohur të Rusisë në fushën e luftës.

Kjo deri me ndihmën e fuqishme të ushtrisë amerikane (American Expeditionary Forces to Siberia), që i shkuan për ndihmë Ushtrisë së Kuqe të Rusisë (në vitet 1921–1922), kur Vladivostoku dhe Primorja ruse iu kthyen sërish Rusisë. Nejse!

Së këndejmi, zhgënjimi ose dëshpërimi ynë individual dhe kolektiv ndaj kombit dhe shtetit rus bëhet edhe më i madh, duke pasur parasysh luftën e përgjakshme, shkatërrimtare dhe apokaliptike të Rusisë kundër Ukrainës, si dhe mohimin, cinizmin dhe injorancën e pajustifikueshme të politikës dhe diplomacisë ruse ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Vetëm pak apologji diskursive dhe analogjike nga e kaluara e Kosovës dhe shqiptarëve:

Siç dihet, Esat Pashë Toptani, si i paguar dhe i përdorur nga sulltani i Turqisë, carët e Rusisë, kralët e Serbisë dhe knjazi Nikolla i Malit të Zi, së bashku me çaushët, fetahët, çetnikët, kuislingët dhe mercenarët e tjerë shqipfolës ose antishqiptarë, më 23 prill të vitit 1913 ia dorëzuan (pa luftë) Shkodrën Malit të Zi!

Por, deshi Zoti dhe me ndihmën e madhe të klerit katolik shqiptar, si dhe të intelektualëve dhe patriotëve të tjerë shqiptarë, të bashkuar rreth idealit dhe kauzës së shenjtë të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë: më 19 mars të vitit 1914, Shkodra monumentale, antike dhe historike iu bashkangjit përfundimisht dhe përjetësisht trungut atëror dhe mëmëdhetar të Shqipërisë, me një tubim madhështor, aklamativ dhe historik të mbajtur (organizuar) në sheshin qendror të Shkodrës, me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra luftëtarëve, intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë nga të gjitha viset ose trevat shqiptare, në të cilin folën, ligjëruan dhe celebruan edhe Imzot Vinçenc Prenushi, së bashku me trimin, intelektualin dhe patriotin e shquar shqiptar – Hafiz Guta nga Gjakova kushtrimtare dhe kryengritëse.

Edhe Esat Pasha me “çetën” e tij kuislinge, mercenare dhe kolaboratore u vranë dhe u likuiduan shqiptarisht nga trimat dhe patriotët shqiptarë të kohës.

Dhe, meqë Tropoja me Kukësin dhe Hasin, deri para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, i takonin, si të thuash, prefekturës (jugosllave) të Kosovës, në gusht të vitit 1943, në Kuvendin e Madh dhe historik të Malësisë së Gjakovës, u lidh Besa e Madhe Shqiptare për shkëputjen e përgjithshme dhe përfundimtare të Kosovës nga Serbia dhe ish-Jugosllavia dhe bashkangjitjen e saj me Shqipërinë Amë (lexo: Shqipërinë Natyrale dhe Etnike 1939–1945)… Por dihet fort mirë se çfarë ndodhi më vonë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore!!!

Tropoja, së këndejmi, e njohur dhe e quajtur shpesh si Atlasi dhe Piemonti i shqiptarëve dhe shqiptarizmit, me rrënjë të thella dhe tepër të lashta (2000 ose 1700 vjet para Krishtit) të Buçpajëve, Bujanëve, Selimajve, Ber…

U mor vesh se shtetet dhe pushtetet e ndryshme gjithmonë kanë pasur edhe dele, edhe dhi, edhe qen, edhe zagarë, edhe ujqër, edhe luanë, edhe tigra, barinj dhe kasapë, në kuptimin e asaj se ujku, tigri ose luani asnjëherë nuk i tremben shumës ose madhësisë së tufës (kopës), por vetëm vigjilencës dhe zgjuarsisë së barinjve të rryer dhe me përvojë.

Në vazhdim:

Sipas prof. dr. Sergej Rodçenkos – profesor, studiues dhe analist i specializuar i historisë politike dhe ushtarake pranë Qendrës së Studimeve Globale “Henry Alfred Kissinger”, si dhe në “John Hopkins School of Advanced International Studies” në SHBA: “Zbulimi dhe çlirimi i energjisë bërthamore (atomike), në fakt, nuk ka nxitur dhe shkaktuar kurrfarë problemi të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, por vetëm i ka përshpejtuar, duke e bërë imanente dhe imediate nevojën dhe kërkesën tonë globale-universale për gjetjen (zbulimin) dhe krijimin e domosdoshëm të një fuqie dhe autoriteti suprem dhe absolut në botën ose planetin tonë, për t’i zgjidhur dhe tejkaluar çështjet dhe problemet e panumërta kruciale, kardinale dhe ekzistenciale të njerëzimit ose civilizimit tonë.”

I të njëjtit mendim ishte edhe gjeniu i madh Albert Einstein, në kuptimin e asaj se zbulimi dhe paraqitja e armëve bërthamore ose atomike është një shtysë e re drejt përshpejtimit të zgjidhjes së problemeve të shumta ekzistuese në botën – planetin tonë.

Në të kundërtën, sipas profesorit (politologut) ose akademikut të shquar amerikan N. Chomsky: “Nëse nuk dimë t’i mbyllim ose përfundojmë me kohë konfliktet, mosmarrëveshjet ose luftërat e ndryshme kundër njëri-tjetrit, atëherë ekziston rreziku që lufta e madhe bërthamore ose atomike një ditë të na vrasë dhe të na përmbarojë të gjithëve!”

Së këndejmi, në morinë e luftërave të ndryshme antike, luftërave të shenjta (bellum sacrum), luftërave të drejta (bellum iustum), absolutiste, borgjeze, skllavopronare, feudale, imperiale, kolonialiste, luftërave çlirimtare dhe patriotike e kështu me radhë, lufta dhe revolucioni i madh amerikan për liri dhe pavarësi të përgjithshme nga kurora e huaj imperiale dhe kolonialiste (1775–1783) me plot të drejtë mund të konsiderohet si Rilindje ose Agim (fillim) i ri epokal dhe historik në historinë e marrëdhënieve dhe konstelacioneve të përgjithshme ndërkombëtare. Pse kjo?

Sepse lufta dhe revolucioni i lartpërmendur amerikan (1775–1783), për shkak të lidhje-ndarjeve (shkëputjeve) të njohura antropologjike, antropogjenetike, antropobiologjike, antropokulturore, antropogjeografike, antropohistorike dhe të tjera me kontinentin e vjetër evropian, në kuptimin epistemologjiko-gjenezologjik ose antropologjiko-ontologjik të ndarjes së botës moderne ose bashkëkohore nga reliktet, fetishet, totemet dhe autoritetet e moçme, njëherë e përgjithmonë e reformuan, ridizajuan dhe riemancipuan botën – civilizimin tonë.

Gjithashtu, asnjëherë nuk duhet harruar dhe mohuar fakti se luftës dhe revolucionit të sipërpërmendur amerikan për liri dhe pavarësi, përveç 2.000 vullnetarëve, desperadosëve ose “mercenarëve gjermanë”, asokohe iu bashkuan edhe shumë intelektualë, strategë dhe personalitete të tjera evropiane, si M. J. de Motier Lafayette, C. H. Saint-Simon, T. A. Kościuszko etj., të cilët i dhanë ngjyra dhe simbolikë evropiane luftës dhe revolucionit amerikan.

Apologji paralele dhe analogji:

Vetë fakti se Kosova e vogël ndodhet e rreshtuar ose e pozicionuar përkrah SHBA-së – superfuqisë kryesore të globit në tryezën e paqes dhe sigurisë botërore – nënkupton se Kosova i ka pranuar automatikisht edhe obligimet dhe përgjegjësitë e brendshme dhe të jashtme. Apo jo?

Si për shembull: Përveç SHBA-së, Kosova është i vetmi vend në Evropë, apo në botë, që ka Ambasadën e saj në Tel Aviv dhe jo në Jerusalem.

Shtoj këtu edhe qasjet dhe interpretimet e ndryshme të çështjes së status quo-së ose “konfliktit të ngrirë” në mes Kosovës dhe Serbisë nga ana e Brukselit dhe Uashingtonit, etj.

Duke iu referuar ideve dhe teorive të njohura politike ose politologjike:

Historia e përgjithshme mbi pasqyrën e përgjithshme të ngritjes dhe krijimit të shtetit të Kosovës do të ishte e pamundur, jo e plotë dhe e pakuptimtë pa qasjen shkencore ose metodologjike në historinë dhe gjeografinë e gjithëmbarshme ushtarake dhe politike, e sidomos në studimin dhe analizën e kualifikuar dhe elokuente të luftës çlirimtare dhe heroike të UÇK-së dhe të platformës, formulës dhe sintezës së shquar shtetërore, nacionale, politike dhe patriotike të dr. Rugovës në muzgun-buzëmbrëmjen e parë të dislokacionit, dekompozicionit dhe shkatërrimit të përgjithshëm dhe përfundimtar të ish-Jugosllavisë.

Kjo, në radhë të parë, për faktin se dr. Rugova, pos të tjerash, që në krye të herës i kishte parasysh idetë dhe teoritë e njohura shkencore dhe humaniste mbi popullin (kombin), shtetin dhe shoqërinë e gjithëmbarshme njerëzore ose qytetare. E sidomos teorinë bio-organike të Çarls Darvinit, Herbert Spencerit, Thomas Hobbesit dhe të tjerëve, sipas të cilëve shteti është si një trupë ose organizëm i vetëm, organet e të cilit i kanë detyrat ose obligimet e caktuara në të mirën e përgjithshme të trupit-organizmit të përbashkët.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat