Metamorfoza e përhershme e një kryeministri që kërkon duartrokitje

Opinione

Metamorfoza e përhershme e një kryeministri që kërkon duartrokitje

Nga: Ilir Çumani Më: 27 janar 2026 Në ora: 14:30
Autori Ilir ÇUMANI

Historia politike njeh mjaft figura që e kanë ngatërruar pushtetin me skenën, shtetin me egon dhe përfaqësimin kombëtar me vetëpromovimin.

Nga perandorë që digjnin qytete për të ndriçuar veten, te liderë modernë që e përdorin mikrofonin, kur janë të ftuar nëpër kancelaritë e botës, si pasqyrë të narcisizmit politik — një tipar që ka qenë gjithnjë paralajmërimi i parë i një rrëshqitjeje serioze. Shqipëria, fatkeqësisht, nuk bën përjashtim.

Në diplomacinë moderne, ku fjala e matur dhe përfaqësimi dinjitoz janë ende monedha me vlerë, Shqipëria ka zgjedhur të përfaqësohet nga një figurë që e koncepton politikën e jashtme si një skenë improvizimi personal.

Shqipëria ka një kryeministër që nuk hyn në sallat shtetërore me peshën e një vendi, por me lehtësinë e batutave dhe barcaletave; që nuk ndërton marrëdhënie mbi interesa kombëtare, por mbi impulse emocionale dhe nevojën patologjike për vëmendje.

Edi Rama, sa herë udhëton jashtë shtetit në takime me liderë ndërkombëtarë, nuk ka udhëtuar kurrë si burrë shteti, por vetëm si personazh.

Ai nuk flet për Shqipërinë, por për veten; nuk përfaqëson një komb, por një ego që kërkon të jetë gjithmonë në qendër të kornizës, qoftë edhe duke e zhvendosur vëmendjen nga çështjet serioze drejt një performance personale, shpesh të sikletshme.

Duke pasur parasysh karakterin e paqëndrueshëm dhe emocional të kryeministrit Edi Rama, i cili e ka pasion që përmes retorikave dhe batutave, kudo që shkon nëpër botë, të përdorë leksikun e tij të lepirjes me liderët botërorë, ku sipas interesit dhe koniunkturave, njëherë deklaron se është mysliman, njëherë i krishterë, njëherë ortodoks, njëherë guru, dhe tani, në takim me Benjamin Netanjahun, deklaron se djali i tij është i lirë të bëhet hebre…

Kjo nuk është më thjesht fleksibilitet kulturor apo tolerancë fetare – vlera këto që nuk kanë nevojë për marketing – por një akrobaci identitare, e denjë për manualet e propagandës personale.

Në histori, liderë të tillë kanë ekzistuar: burra që ndryshonin kostumin ideologjik sipas publikut, që flisnin me zë të lartë për veten dhe me zë të ulët për shtetin. Narcisizmi politik, siç na mëson historia, nuk kërkon bindje; kërkon pasqyra. Vetëm pasqyra!

Në këtë model, feja nuk është ndërgjegje, por dekor. Identiteti nuk është rrënjë, por aksesor. Dhe familja, në mënyrë të paprecedentë, shndërrohet në element retorik, në një fjali të hedhur për efekt, jo për përgjegjësi. Jo si reflektim personal, por si ofertë simbolike për konsum diplomatik.

Të gjitha këto sjellje janë kuptuar nga ndërkombëtarët se Edi Rama i bën për të qenë në vëmendjen e mediave botërore, pa menduar se homologët e tij nëpër botë e shpotitin dhe bëjnë humor me të, siç ndodhi edhe në parlamentin izraelit, ku një numër i konsiderueshëm i ligjvënësve të këtij parlamenti u ngritën nga karriget e tyre dhe i lanë vendet bosh, duke e injoruar këtë sjellje të tij.

Në diplomaci, ka një rregull të pashkruar: kur salla zbrazet, mesazhi ka dështuar. Karriget bosh janë gjykimi më brutal që mund t’i bëhet një lideri. Ato nuk bërtasin, por thonë gjithçka. Nuk polemizojnë, por e mbyllin diskutimin. Dhe ky episod nuk ishte një incident, por është një simptomë e një patologjie të përhershme që e mbart një individ me pushtet ngado shkon e kudo ai ndodhet.

Historia njeh mjaft liderë që filluan duke u tallur me institucionet dhe përfunduan të tallur prej tyre. Dallimi është se ata, të paktën, e kuptuan vonë.

Në rastin tonë, duket se keqkuptimi vazhdon. Sepse kur homologët qeshin, nuk është shenjë afërsie; është shenjë mosmarrjeje seriozisht.

Në fund, problemi nuk është se Edi Rama bën humor. Problemi është se ai ngatërron humorin me shtetin, ironinë me autoritetin dhe improvizimin me diplomacinë.

Ai sillet sikur historia është audiencë dhe politika është monolog personal. Por historia nuk duartroket. Ajo shënon.

Liderët narcisistë kanë një tipar të përbashkët: besojnë se janë më të mëdhenj se roli që mbajnë. Por shteti është gjithmonë më i madh se individi.

Kur një kryeministër e shndërron përfaqësimin kombëtar në spektakël personal, ajo që mbetet nuk është fama, por zbrazëtia.

Në politikë, ashtu si edhe në teatër, publiku serioz largohet i pari. Dhe kur kjo ndodh, nuk ka më shfaqje – ka vetëm errësirë pas kuintave, me një perde teatrale që mbyllet pa mbaruar shfaqja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat