“Politikanët që kanë ardhur në pushtet këto vite e kanë kompleksin më të madh faktin se nuk kanë qenë pjesë e proceseve të 17 shkurtit 2008 dhe të proceseve të mëhershme.”
Çfarë nënkupton profesori, doktori dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, me atë paragjykim dhe kujt i drejtohet?
Natyrisht, Vjosa Osmanit, por edhe brezin të ri që sot merret me politikë. Sigurisht, nuk nënkupton Albin Kurtin, sepse ai ka kontribuar që nga vitet ’90 dhe vazhdon të kontribuojë edhe sot; megjithatë, profesori e kufizon qëllimisht kontributin me data që i konvenojnë propagandës së tij, duke i përdorur ato si kritere për të përjashtuar ata nga të cilët nuk ka përfituar vetë.
Sidoqoftë, pyetja e parë që shtrohet është kjo: pse profesori vetë nuk paska komplekse, kur nuk ka asnjë kontribut në procesin e çlirimit të Kosovës: as si i burgosur politik në ish-Jugosllavi, as si ushtar i UÇK-së, e as si ndihmës i saj gjatë luftës?
Nëse politikanët e tanishëm, sipas tij, paskan komplekse për mungesat që ai beson se i ndiejnë, a ndien komplekse profesori vetë për mungesën e çdo kontributi në çlirimin e Kosovës?
Nëse po, atëherë ai ua atribuon të tjerëve komplekset e veta. Nëse jo, atëherë duket se ndihet i obliguar të luftojë rizgjedhjen e zonjës Vjosa Osmanin.
Mirëpo, pse ky lloj profesori beson se “licencën” për drejtimin e shtetit e kanë vetëm ata që paskan kontribuar në të kaluarën, por jo edhe ata që dje ishin fëmijë e sot janë gra e burra?
Pse doktori, juristi, gjykon si një partizan i Titos, apo i Xhaxhit, të cilët për dekada besuan se pushteti u takonte vetëm atyre dhe se uzurpimi i tij ishte i ligjshëm?
Pse ky “profesor” dëshiron t’ia anulojë të drejtën çdo politikani që di dhe dëshiron të kontribuojë në shtetndërtim në paqe?
Pse profesori i fakultetit nuk e di se demokracia nuk bazohet në certifikata të së kaluarës apo në statuse veterani, por në aftësitë, vizionet dhe besimin që kandidati merr nga qytetarët?
Pse nuk e di se edhe Uinston Çërçilli i humbi zgjedhjet pas Luftës së Dytë Botërore, megjithëse doli fitues kundër fashizmit?
Pse profesori, juristi, doktori, merret me “diagnoza” psikologjike, kur për këtë nuk ka asnjë përgatitje profesionale?
Dhe, në fund të fundit, pse një njeri si ai, me atë nivel artikulimi dhe me atë ngarkesë paragjykimesh, ftohet në studio televizive për të bërë propagandë në shërbim të interesave të tija private?
Pse profesori i drejtësisë nuk e ka luftuar kurrë pronto-shtetin, edhe pse jurist, apo, më saktë, pse e mbron atë përmes një lufte të speciale?
Apo ndihet i detyruar që, me çdo artikulim publik, të shprehë mirënjohje ndaj atyre që e ngritën aty ku, në fakt, nuk e kishte merituar kurrë?
Dhe ky profesor e kritikon Vjosa Osmanin pse e quajti kriminel gjykatësin, me të cilin ish-kryetari Hashim Thaçi shkeli Kushtetutën dhe emëroi një person që kishte qenë i dënuar me gjashtë vjet burg, ndonëse Kushtetuta e ndalon shprehimisht emërimin e një personi të tillë.
Pse ky profesor nuk lufton shkeljen e ligjeve, por mbron të dënuarin në gjykatë, edhe pse ligji kërkon qartazi si parakusht pastërtinë morale?
Pse juristi predikon shkeljen e ligjeve dhe, në të njëjtën kohë, akuzon presidenten për mospërfilljen e tyre?
Çfarë propagandon ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese?
Ai propagandon një hierarki kontributi dhe “merite” të ngrirë në kohë, duke kundërshtuar zhvillimin, ndryshimin dhe përparimin e brezave të rinj. Mundohet të degradojë kryetaren. Ta pengojë atë. Në fakt, ai refuzon evolucionin në shoqëri.
Të drejtën morale për pushtet ua njeh vetëm atyre që kanë kontribuar në një periudhë të kufizuar historike, por që kanë dëmtuar më pas, ndërsa pozitat publike i sheh si dhurata që duhet t’u jepen “të merituarve”, edhe kur ata dinë shumë pak ose nuk janë të aftë, por jo atyre që dinë shumë, që janë të shkëlqyeshëm dhe që gëzojnë mbështetjen e popullit.
Kur e sheh dhe e dëgjon atë profesor fakulteti, bëhet më e qartë edhe gjendja e arsimit, edhe renditja e Kosovës në PISA.
Për fat të keq!
Dhe pyetja e fundit, diskrete, por me zë të lartë për profesorin:
Çfarë morali po u përcillni studentëve? Si mund ta akuzoni Presidenten për gjuhë të papërshtatshme ndaj një ish-gjykatësi të dënuar, gjersa shkeljet ligjore të ish-kryetarit i kaloni në heshtje?
Si mund të peshojë më rëndë një epitet i saktë moral, sesa një shkelje e vërtetë e Kushtetutës?