Mëngjesi i Lutjeve në Uashington është një rit tradicional i këtij vendi, që e ka gjenezën që nga viti 1953, me ç’rast përmes këtij rituali ky vend fton liderë të ndryshëm dhe të tjerë, nga të gjitha vendet e botës, pa dallim ngjyre dhe feje, si shprehje e lirë e frymës dhe mendimit njerëzor për të sjellë diçka të mirë në jetë.
Në këto Lutje të Mëngjesit, që mbahen në Uashington, marrin pjesë edhe shqiptarët, si një popull pro-amerikan, të cilët me lutjet e tyre në këto rrethana sikur krijojnë një marrëdhënie me Zotin që e përfytyrojnë, ndoshta si edhe të tjerët, se Zoti i tyre do të kishte qëlluar në këtë vend.
A thua këto lutje e humbasin forcën apo efektin e tyre, nëse brenda këtij tubimi fshehen edhe shumë të liga njerëzore? Dhe në këtë rast, a do të thotë thjesht se meditimet e lutësit nuk do të luhaten nga veprat penale, apo nuk do të ndëshkohen edhe nëse bien në kundërshtim me të vërtetën?
Pas këtyre përsiatjeve, njeriu mendon se mbrohet më mirë nga rreziqet e jetës, ndoshta edhe të shëndetit, duke fituar mundësi të reja për të shpalosur personalitetin e vet dhe t’i kushtohet veprimtarive madhore, siç është edhe pushteti, e kështu me radhë.
Por si qëndrojnë punët me ata njerëz që ne i shohim në këto lutje, që në përshpëritjen e tyre i drejtohen këtij Zoti në Uashington, që t’ua plotësojë kërkesat dhe dëshirat e tyre për të arritur qëllimin për të cilin përpiqen, me besimin për t’u ballafaquar me të ardhmen e tyre?
Apo, njerëzit e këtyre lutjeve janë ata që mund të përfitojnë të drejtën për të pasur fat më shumë se të tjerët, dhe do të gjejnë më shumë paqe e do të bëhen më të mirë në jetën e tyre, duke u çliruar në këtë mënyrë me zbrazjen e gjithë ankthit dhe mllefit që kanë akumuluar ndaj njëri-tjetrit?
Kjo është e vërtetë: jo vetëm te shqiptarët, por edhe te të tjerët krijohet përshtypja se Zoti i tokës gjendet në Amerikë, që mbështet konceptet dhe mbrojtjen e të drejtave të çdo qenieje njerëzore, me rolin e forcave të veta, për t’u dhënë forma të reja dhe për të përcaktuar vendimet e historisë.
Padyshim se kriza e kohës duket se po vrapon si asnjëherë më parë drejt ngjarjeve të jashtëzakonshme, që mund të kufizohen edhe si ndonjë katastrofë globale, e cila karakterizohet jo vetëm nga mungesa e etjes dhe urisë, por edhe përmes luftërave të padrejta dhe pushtuese. Kjo distancë përcaktohet nga rritja e mundësive teknike, që varet nga marrëdhëniet e drejtpërdrejta me rënien e përgjegjësisë njerëzore.
A kemi të drejtë të themi se “Zoti” na qenka në Amerikë, që përbën diçka absolute, ku edhe qëndron kjo shtysë për t’u dhënë vlerë kushteve dhe jetës njerëzore, si dhe problemeve të kësaj mase, ku njeriu mund të ketë shpresë për lirinë dhe dinjitetin e tij të patjetërsueshëm?