Evropa nuk mund të qëndrojë më në pritje dhe duhet të përshpejtojë vendimmarrjen. Politikbërësit e BE-së duhet të ndërmarrin hapa që ndonjëherë as nuk janë pjesë e ADN-së evropiane, sepse po jetojmë në një epokë krejtësisht të ndryshme që po orienton drejt tranzicionit gjeopolitik dhe riorganizimit ndërkombëtar ku ndryshimi strukturor i fuqisë globale gjithnjë e më shumë po dëshmon kalimin nga sistemi unipolar drejt atij shumëpolar me vendet si Rusia dhe Kina, së bashku me tranzicionin energjetik.
Ky ndryshim përfshin rritjen e konkurrencës, dobësimin e ndërvarësisë dhe kthimin e kombeve të paangazhuara, duke ndryshuar marrëdhëniet ndërkombëtare nga bashkëpunimi në rivalitet.
Furnizimet e lira të Rusisë me energji përfunduan në vitin 2022 me fillimin e invazionit rus në Ukrainë dhe nuk ka më kthim prapa. Epoka e Rusisë si furnizues i përhershëm lokal i energjisë evropiane ka mbaruar dhe epoka e Kinës si tregu kryesor i eksportit gjithashtu duhet mbaruar.
SHBA-të po vendosin tarifa në ekonominë e BE-së dhe po përdorin instrumente shtrëngimi. E gjithë kjo po ndryshon rregullat e lojës. Këto janë disa nga arsyet pse kjo nuk është një periudhë e thjeshtë tranzicioni dhe asnjë nga këta faktorë të rinj nuk do të ndryshojë në afat të shkurtër. Kjo nuk është një tronditje e përkohshme, por është qartë një pikë kthese strukturore.
Liderët e BE-së duhet ta shndërrojnë Evropën në një fuqi të pavarur – jo vetëm një treg të vetëm, por një fuqi ekonomike. Të gjithë janë entuziastë për Starlink. Por nëse e shikojmë me kujdes, Elon Musk është ndoshta një nga njerëzit në botë, xhepi i të cilit ka marrë më shumë miliarda dollarë nga taksapaguesit amerikanë në formën e subvencioneve. Pra, Elon Musk është, mbi të gjitha, dikush që është subvencionuar shumë nga agjencitë federale amerikane. Ky është një lajm i mirë! Pikërisht kjo e bëri atë super-inovativ.
Kina është një regjim autoritar dhe kjo është një zgjedhje kolektive, ndërsa SHBA-të po bëhen një vend me ekonomi dhe qeverisje të paparashikueshme për kompanitë dhe ndonjëherë edhe për shtetet. Midis tyre qëndron Bashkimi Evropian – një vend ku sundimi i ligjit dhe parashikueshmëria ende mbizotërojnë.