I. Përfaqësimi politik si përgjegjësi, jo si aritmetikë!
Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës – në komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – historikisht ka pasur një dimension të dyfishtë: qeverisjen lokale dhe mbrojtjen e të drejtave kolektive kombëtare brenda sistemit kushtetues të Serbisë.
Gjatë fushatave zgjedhore, partitë shqiptare në mënyrë të përsëritur theksojnë mbrojtjen e të drejtave kombëtare, përfaqësimin proporcional, arsimin në gjuhën shqipe, zhvillimin ekonomik dhe ndalimin e diskriminimit institucional. Mirëpo, një problem i vazhdueshëm ka qenë se pas përfundimit të zgjedhjeve, përfaqësimi politik shpesh shndërrohet në aritmetikë paszgjedhore. Koalicionet ndërtohen jo mbi parime programore, por mbi interesa afatshkurtra pushteti.
Kjo krijon hendek midis premtimeve elektorale dhe praktikës qeverisëse, duke devalvuar besimin qytetar dhe duke dobësuar pozitën negociuese të shqiptarëve në raport me Beogradin.
II. Rasti i APN dhe narrativa e “politikës së re”
Në vitin 2015, me shfaqjen e APN-së dhe ardhjen nga Gjermania të kryetarit të saj, Shqiprim Arifi, u promovua një narrativë e “politikës së re”, në kundërshtim me partitë tradicionale shqiptare si PVD, PDSH dhe BDL. Diskursi i tij premtonte reformë, modernizim dhe largim nga “modelet e vjetra politike”.
Në fillim, shumëkush e konsideroi këtë projekt si të paqëndrueshëm për shkak të mungesës së përvojës institucionale. Megjithatë, pakënaqësia qytetare dhe lodhja nga polarizimet tradicionale i dhanë APN-së mbështetje të konsiderueshme në Preshevë.
Motoja e tyre ishte se partitë e vjetra “po e nervozojnë Serbinë” me kërkesa të vazhdueshme dhe qëndrime refuzuese ndaj Beogradit. Në vend të kësaj, APN promovoi një qasje “bashkëpunuese” me pushtetin qendror dhe me qeverinë e udhëhequr nga Aleksandar Vučić, duke pretenduar se dialogu dhe jo konfrontimi do të sillte rezultate konkrete.
III. Qeverisja lokale dhe kontestimet
Pas marrjes së pushtetit në nivel komunal, diskursi reformist u përball me realitetin e hidhur diskriminues në administrimin publik. Kritikët akuzuan për ndërthurje të politikës me fenë dhe për instrumentalizim të hapësirave fetare në funksion elektoral.
Në një shoqëri demokratike, ndarja midis fesë dhe shtetit është parim themelor. Kur institucionet publike perceptohen si të politizuara përmes ndikimeve fetare ose kur hapësirat fetare përdoren për mobilizim partiak, krijohet polarizim i thellë shoqëror dhe cenohet barazia qytetare dhe sfidohet seriozisht demokracia e qeverisjes lokale.
Gjithashtu, u raportua për ndikim të shtuar të shoqatave të ndryshme “humanitare” kryesisht islamike sidomos gjatë periudhave zgjedhore dhe për tensionim të skajshëm të jetës publike përmes retorikës mobilizuese.
IV. Integriteti zgjedhor dhe përdorimi i burimeve publike
Një çështje thelbësore është përdorimi i buxhetit komunal gjatë fushatave zgjedhore. Janë ngritur akuza për shpërndarje selektive të projekteve infrastrukturore – asfaltim rrugësh, ndriçim publik, pllaka betoni për trotuare – në zona me interes elektoral.
Në standardet demokratike perëndimore, veçanërisht në modelin amerikan, çdo dyshim për keqpërdorim të fondeve publike për qëllime elektorale kërkon auditim transparent dhe hetim institucional. Mungesa e përgjegjësisë ligjore në raste të tilla ushqen perceptimin e pandëshkueshmërisë dhe dobëson sundimin e ligjit.
V. Çështja demografike dhe narrativat e pasigurisë
Ndër akuzat më të rënda ka qenë pretendimi për politika që do të ndryshonin strukturën demografike të Preshevë përmes vendosjes së migrantëve nga Lindja e Mesme. Këto shqetësime janë interpretuar nga një pjesë e opinionit si pjesë e një plani më të gjerë shtetëror.
Megjithatë, çdo pretendim për inxhinieri demografike duhet të mbështetet në fakte të verifikuara. Migracioni në rajon lidhet me dinamikat ndërkombëtare të krizës së refugjatëve. Por perceptimi i pasigurisë demografike mbetet faktor i fortë mobilizues në kontekstin e diskriminimit historik që shqiptarët kanë përjetuar.
I. Fragmentimi politik në Bujanoc
Zhvillimet në Bujanoc, ku janë krijuar koalicione joparimore e një pjese minore të partive shqiptare me parti serbe dhe ku ka pasur përjashtim të subjekteve të tjera shqiptare nga qeverisja lokale, kanë thelluar debatet për kohezionin kombëtar.
Në kontekste minoritare, uniteti strategjik rrit fuqinë negociuese. Fragmentimi politik dobëson pozicionin e shqiptarëve përballë institucioneve qendrore dhe redukton ndikimin në çështje kyçe si arsimi, përfaqësimi proporcional dhe zhvillimi ekonomik.
VII. Dimensioni ndërkombëtar dhe momentumi aktual
Në kontekstin aktual, përmendja e iniciativave si HR 6411 në Kongresin amerikan tregon se çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë ka hyrë në diskursin ndërkombëtar. Kjo përbën një mundësi historike për institucionalizimin e kërkesave për barazi dhe reciprocitet të shqiptarëve në Luginën e Preshevës me pozitën juridike dhe politike të serbëve dhe minoriteteve të tjera në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, përçarja e brendshme e shkaktuar nga radhitja e APN-së kundër narrativës politike të partive politike shqiptare duke dirigjuar dhe sponzorizuar mesazhe kontradiktore të qeverisë serbe dhe ministrit Demo Berisha, realisht e dobësojnë efektin e këtij momentumi historik. Sepse, diplomacia moderne kërkon unitet strategjik, dokumentim profesional të shkeljeve dhe komunikim të qartë me partnerët ndërkombëtarë.
VIII. Nevoja për riorientim strategjik
Për të ndërprerë ciklin e diskriminimit dhe fragmentimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nevojiten:
1. Transparencë e plotë dhe llogaridhënie e vetëqeverisjes lokale.
2. Platformë e përbashkët politike shqiptare me objektiva të matshme.
3. Avokim profesional në SHBA dhe BE mbi bazën e dokumenteve dhe statistikave.
4. Konsolidim institucional dhe shmangie e retorikës polarizuese.
Përfundim
Lugina e Preshevës ndodhet në një momentum kritik historik. Përfaqësimi politik nuk mund të reduktohet në matematikë pushteti apo në koalicione të përkohshme që cenojnë kohezionin kombëtar. Ai duhet të jetë instrument strategjik për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në Serbi.
Nëse fragmentimi vazhdon, fuqia negociuese e shqiptarëve dobësohet. Nëse ndërtohet një unitet strategjik mbi standarde, parime demokratike dhe transparencë institucionale, atëherë momentumi aktual ndërkombëtar mund të shndërrohet në përparim real për shqiptarët në Luginë.