Letër kryeministrit Kurti

Opinione

Letër kryeministrit Kurti

Nga: Hafiz Shala Më: 2 mars 2026 Në ora: 09:44
Autori Hafiz Shala

I nderuari Kryeministër z. Albin Kurti,

Jeni ndër më të votuarit si Kryeministër në historinë e Dardanisë, përmes së cilës shprehet besimi dhe vullneti i lirë i popullit, i cili, duke u nisur nga veprat tuaja që nga rinia e deri te posti të cilin me meritë e keni fituar, ju ka dhënë rastin të ndërmerrni hapa historikë, të cilët rrallëkush do ta kishte kurajon t’i ndërmarrë, por nga ju secili shqiptar i vërtetë me të drejtë i pret.

Që, në vend të propozimit të kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje, të propozoni Presidenten znj. Vjosa Osmani. Tingëllon paksa e pakuptimtë, por rrethanat aktuale gjeopolitike, nganjëherë për interes të atdheut, kërkojnë që të tejkalohen edhe vetja edhe partia, sepse në këtë moment kërkohet të lihen të gjitha anash, qofshin ato edhe parime që duken sikur “të pavenda”, por që, siç po mendoj, ndoshta janë në të mirë të vendit. E kush e kupton e ndien më shumë se ju? Prandaj, ndoshta edhe po kërkojmë nga ju të vështirën.

Unë do t’ua sugjeroja që më mirë është t’ia siguroni Vjosa Osmanit 30 nënshkrime për t’ia mundësuar të garojë për Presidente, sesa 8 nënshkrime Partisë Demokratike për t’ia mundësuar të garojë me kandidatin e tyre për President/e.

E kuptoj që rrezikohet ta sjellim vendin në buzë të zgjedhjeve të parakohshme, por nëse opozita e bllokon këtë iniciativë, atëherë faji dhe përgjegjësia për shkuarje në zgjedhje të reja do t’i mbetet asaj. Nëse SHBA-të dhe Presidenti Trump kuptojnë se nga dolën pengesat, përgjegjësia për mospranimin e përcaktimit amerikan për znj. Vjosa Osmani mbetet mbi opozitën, e cila edhe në rastin e parë e mbajti shtetin peng për 9 muaj, për t’i zgjedhur përsëri të njëjtit me përkrahjen përmes votës plebishitare.

SHBA-të tani do ta kenë të qartë se kush është problemi dhe kush po e kundërshton Amerikën. Opozita mund të thotë çka të dojë, por kjo është shumë e qartë, sepse po rrezikohet shteti në aspektin e sigurisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të garantuara nga miku dhe aleati ynë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur e tërë bota është në flakë. Populli do të thoshte: “Me një të rënë, dy të vrarë”.

Ndërsa, Presidentja Osmani, me propozimin nga VV-ja, duhet të ketë kujdes maksimal për veprimet e saj, vetëm sipas interesave të Republikës së Dardanisë.

E propozoni femrën më të votuar, e cila e ka fituar besimin e Amerikës, falë edhe zbatimit tuaj të politikave amerikane. Harroni atë që thotë opozita, sepse nëse ajo e bllokon zgjedhjen e znj. Vjosa Osmani, dyert e Amerikës për opozitën do të jenë të mbyllura njëherë e përgjithmonë, ashtu siç di Amerika.

Kryeministër, asnjë personalitet i Republikës deri më tani nuk i ka kontribuar stabilizimit politik, zhvillimit ekonomik, sigurisë dhe pastrimit nga forcat kriminalo-terroriste serbe në pjesën veriore të vendit, të instaluara nga Serbia e Vuçiqit me politikat e tij gjenocidale nën dirigjimin e Rusisë cariste, siç keni bërë ju. Si menaxhues i shtetit dhe krijues i kushteve për funksionim normal të tij, askush deri sot nuk ia arriti, qoftë ai apo ajo.

Prandaj, si përkrahës i juaji, por edhe i znj. Osmani, pa kurrfarë prapavije interesi, po ju drejtohem juve si Kryeministër dhe asaj, deri në këto momente si Presidente, që ta dëgjoni dhe ta vlerësoni situatën dhe të silleni me përgjegjësinë më të madhe si udhëheqës shtetërorë karshi shtetit dhe popullit.

Një gjë duhet ta kenë të qartë: përmes votës së sovranit u vërtetua se meritat kryesore për pastrimin e shtetit nga ato struktura kriminalo-terroriste janë ekskluzivisht tuajat si Kryeministër i vendit, i cili në asnjë moment nuk lëshoi pe në dëm të interesave shtetërore, mu ashtu siç ju pëshpëriti ajo nëna në moshë, që doli shumë parimore.

Si një përkrahës i politikave dhe veprimeve tuaja në cilësinë e Kryeministrit të vendit, vendosa t’ju shkruaj, sepse angazhimi juaj me dekada, me theks të veçantë në krye të Qeverisë, i ka kthyer dinjitetin dhe shtetësinë, në kuptimin e plotë, Republikës.

Si veprimtar i çështjes kombëtare që nga demonstratat e vitit 1968 (58 vite e deri sot) dhe 35 vjet në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si anëtar i Bordit Ekzekutiv të LQSHA-së, me në krye Joe dhe Shirley DioGuardi, dhe si pjesë e veprimtarisë lobuese, njëherësh përkrahës pa rezervë i lidershipit tuaj, gjithnjë me qëllime absolutisht më të mira për vendin, pa dashur të përzihem në punët e Qeverisë, por duke dashur të jem në krah të së drejtës, e kam shprehur këtë edhe si publicist dhe autor i 5 librave me mbi 2500 faqe, përmes të cilave me të drejtë e kam përmendur emrin tuaj si shembull i një lideri të pathyeshëm karshi Serbisë dhe presioneve të padrejta politike, si viktimë e Serbisë agresore dhe nxitëse e konfliktit.

Këtë e kam realizuar edhe përmes përfshirjes suaj si protagonist i shumë lëvizjeve të suksesshme politike në rastet më të ndjeshme gjatë trajtimit të zhvillimeve politike, si në atdhe ashtu edhe pas migrimit tim që nga viti 1991 e deri sot në diasporë, këtu në SHBA.

Duke shprehur besimin në mirëkuptimin tuaj ndaj këtyre sugjerimeve, përseri si përgjegjës kryesor, veproni sipas asaj popullore: “Vetë, vetë, e pastaj bëj si të dish vetë.”

Me respektin dhe konsideratën më të lartë ndaj një udhëheqësi që vendi kaherë nuk e ka pasur, i gatshëm që brenda mundësive të mia modeste t’ju dal në ndihmë përmes përkrahjes sime, asnjëherë pa u ndalur, duke ju dëshiruar vërtet sukses dhe punë të mbarë, me prezantimin tuaj brilant në takime të larta ndërkombëtare, të rëndësisë së veçantë për vendin dhe popullin që përfaqësoni.

Me respekt,

Hafiz Shala

New York

1 mars 2026

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat