Juristokracia kundër demokracisë parlamentare

Opinione

Juristokracia kundër demokracisë parlamentare

Nga: Agim Vuniqi Më: 9 mars 2026 Në ora: 17:38
Autori Agim Vuniqi

Në rastin e Kosovës, gjatë viteve të fundit është vërejtur një transformim i rëndësishëm institucional që po hap një debat serioz në teorinë kushtetuese dhe në praktikën politike: raporti midis demokracisë parlamentare dhe asaj që shumë studiues e quajnë juristokraci.

Juristokracia nënkupton një situatë ku gjykatat – sidomos gjykatat kushtetuese – fillojnë të marrin rol dominues në proceset politike, duke ndikuar drejtpërdrejt në konfigurimin e pushtetit dhe në interpretimin e proceseve që në thelb duhet të mbeten politike dhe parlamentare.

Në teori, Gjykata Kushtetuese është krijuar për të qenë garant i Kushtetutës, jo autor i saj. Roli i saj është të interpretojë dhe të mbrojë rendin kushtetues nga shkeljet e mundshme të pushteteve politike. Por kur interpretimi i Kushtetutës fillon të shndërrohet në rishkrim të saj, atëherë balanca midis pushteteve fillon të lëkundet.

Në rastin e Kosovës, disa vendime të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese kanë krijuar përshtypjen se gjykata nuk po kufizohet vetëm në interpretimin e normave kushtetuese, por po ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë në strukturën e sistemit politik. Kjo është arsyeja pse disa analistë dhe juristë ngrehin shqetësimin se në vend të forcimit të demokracisë parlamentare – që duhet të jetë shtylla e një republike parlamentare – ndodh një proces i kundërt: forcimi gradual i juristokracisë.

Në këtë kontekst lind një shqetësim thelbësor. Gjykata Kushtetuese rrezikon të humbasë subjektivitetin e saj si institucion neutral arbitrar, duke u perceptuar si aktor që ndikon në mënyrë aktive në proceset politike dhe zgjedhore. Në vend që të jetë mekanizëm për zgjidhjen e krizave kushtetuese, gjykata mund të krijojë perceptimin se po prodhon kode të reja interpretimi që prekin drejtpërdrejt sistemin zgjedhor dhe peshën e votës popullore.

Kjo krijon një tension të madh në një republikë parlamentare. Sepse në një sistem të tillë, vota e qytetarëve dhe përfaqësimi parlamentar janë burimi kryesor i legjitimitetit demokratik. Gjykatat ekzistojnë për ta mbrojtur këtë legjitimitet, jo për ta relativizuar atë përmes interpretimeve që ndryshojnë balancën e pushteteve.

Nëse një gjykatë kushtetuese fillon të perceptohet si institucion që rishkruan rregullat e lojës politike, atëherë rreziku nuk është vetëm juridik. Rreziku është demokratik. Sepse demokracia parlamentare funksionon mbi një parim të thjeshtë: populli zgjedh përfaqësuesit, përfaqësuesit formojnë institucionet dhe gjykatat mbrojnë Kushtetutën.

Kur kjo renditje fillon të përmbyset dhe interpretimet gjyqësore fillojnë të dominojnë mbi vullnetin e shprehur në zgjedhje, atëherë lind pyetja themelore për të ardhmen e sistemit politik: a po mbetet Kosova një republikë parlamentare e bazuar në sovranitetin e votës, apo po hyn gradualisht në një model ku juridizimi i politikës fillon të dominojë mbi demokracinë përfaqësuese?

Kjo është një dilemë që nuk i takon vetëm juristëve. Është një dilemë që i takon vetë të ardhmes së demokracisë në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat