Anarki morale

Opinione

Anarki morale

Nga: Kimete Berisha Më: 28 mars 2026 Në ora: 12:11
Kimete Berisha

(Me paratë e shtetit zhduken të vrarit)

OJQ Republika

...

Kosova vepron si OJQ,

e OJQ-të e luajnë rolin e institucioneve.

Punën që s’e bën Akademia,

që paguhet shtrenjtë për ta dergjur dijen,

e bëjnë sharlatanët.

Punën që nuk e bën Instituti i Historisë,

e bëjnë OJQ-të dhe individët -

me paratë e shtetit.

Shih:

dhjetëra gjuhëtarë që quhen shkencëtarë marrin rroga,

pa ia ndërruar kurrë vendin një pike çuditëse,

pa e lëvizur nga vendi një zanore.

Doktor i gjuhës dhe profesor

është personi që s’di të shkruajë shqip.

...

Historianë s’ka pasur kurrë Kosova.

Para luftës s’kanë guxuar prej pushtuesit.

Pas luftës, e kanë vjedhur historinë.

E kanë nxjerrë në treg.

Sa kushton një masakër?

Kosovës i ndodhi kjo:

t’i zhdukë të vrarët -

të mos i gjejë të zhdukurit.

...

Me paratë e shtetit zhduken të vrarit.

...

Historinë e kanë shkruar “të tjerët”.

Gjithmonë.

Por kurrë kaq rëndë sa shqiptarët.

Dhe sot, secila mëhallë, secili fis, secili individ

e ka versionin e vet të historisë -

të shkruar për para, për urrejtje, për hakmarrje, për mllef.

I keni parë juristët.

Asnjëri nuk pajtohet që një e një bëjnë dy në jurisprudencë.

Secili e ka versionin e vet të drejtësisë.

Quhet anarki morale.

...

Me paratë e shtetit zhduken të vrarit.

...

Kuvendi jep para -

dhe nuk e di për çka.

Pastaj Kuvendi e kupton se paska dhënë para

për ta financuar vrasjen e të vrarëve në luftë…

për t’i ndihmuar Serbisë t’i fshehë masakrat.

Çfarë barku të madh duhet të kesh

që të thuash se “të burgosurit e Dubravës ishin të armatosur”!

...

Ministritë japin para -

dhe nuk e dinë për çka.

Sidomos kultura

është qerdhe e krimit të organizuar.

Jepen para për librin që s’e ka lexuar kush.

Jepen para për skenarin që s’e ka lexuar kush.

Jepen miliona për aktivitete që s’i monitoron askush.

Kosova ka paguar miliona

për projekte të dyshimta.

Kjo nuk bëhet gjithmonë kundër Kosovës.

Kjo bëhet edhe për të vjedhur para.

Jepen para sa për ta blerë një shtëpi

për një projekt fantom që s’e sheh askush;

për projekte të pavlera;

dhe i njëjti projekt riciklohet çdo vit -

me para dyfish.

OJQ-të janë bërë fabrika

për prodhimin e bërllokut kulturor.

Dhe të helmimit historik.

Kuvendi paguan para

për ekspozitën që i masakron masakrat dhe historinë.

Dhe arsyetimi:

“Jo, nuk dimë… veç i kemi dhënë paratë.”

Për këtë padije

duhet të ketë një qoshe në burg.

Duhet të dish, shoqe.

Nuk të lejohet të mos dish.

Prandaj je aty - për të ditur.

Në përzgjedhjen e satenit

dhe në kombinimin e llakut të thonjve me fustane,

kurrë s’po gabon.

As në bravado publike.

Për ta sabotuar njëri-tjetrin,

po jeni shumë precizë -

asnjë gabim s’po vërehet.

...

Nga padija,

rrëzohet civilizimi.

Me paratë e shtetit,

në mënyrë perfide,

po luftohen institucionet

dhe po zëvendësohen me OJQ të dyshimta.

E dinë ata pse.

E dimë edhe ne - nëse duam ta dimë.

Sepse aty ndodh krimi i organizuar.

Veç sigurinë e Kosovës e paguajnë të huajt.

Të tjerët janë gjobëvënie.

...

Me paratë e shtetit zhduken të vrarit.

...

P.S.

Ekspozita u largua.

Turpi mbeti në shesh.

…

AUTOKRITIKË

Këndojnë gjashtë bilbila,

tre të kuq, tre jeshila.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat