Guximi dyshues

Opinione

Guximi dyshues

Nga: Ramiz Spahiu Më: 30 mars 2026 Në ora: 19:40
Ramiz Spahiu

Jeta pluraliste në Kosovë vazhdon të jetë një përjashtim i çuditshëm krahasuar me demokracitë euro perëndimore. Madje, shpesh ajo devijon edhe nga standardet minimale të fqinjëve ballkanas. Në vend të racionalitetit politik, dominojnë inati primitiv dhe një guxim kryeneç që shpesh kalon në absurditet.

Si mund të justifikohet ndryshe bllokimi i formimit të qeverisë, kur një parti fituese siguron 43% të votave — pothuajse gjysmën e përfaqësimit shqiptar në Parlament? Në çdo demokraci funksionale, ky do të ishte një mandat i qartë për qeverisje, por jo në Kosovë. Kontrasti bëhet më i dukshem kur krahasohemi me Gjermaninë, ku një parti me vetëm 27% të votave arrin të formojë qeverinë pa zvarritje dhe pa drama artificiale. Ndërsa ne, me një rezultat shumë më të fortë, zgjedhim rrugën e bllokadës dhe, paradoksalisht, pretendojmë se jemi në rrugën drejt Evropës.

Kur qytetarët shkuan edhe më tej, duke i dhënë mbi 50% të votës shqiptare një shumice të qartë, logjikisht pritej stabilitet. Por jo: obstruksioni thjesht ndryshoi formë. Nga bllokimi i qeverisë, kaloi te bllokimi i zgjedhjes së presidentit. Një riciklim i vjetër i krizave politike, i ushqyer nga taktika të njohura të opozitës. Në këtë skenar, nderhyrja e presidentes nuk solli zgjidhje, por përshkallëzim. Me një nxitim të pajustifikueshëm, ajo lexoi një dekret në emër të “mbrojtjes” së Kushtetutës, ndërpreu seancën parlamentare dhe shpërndau Kuvendin. Më pas, me të njëjtin vrull, thirri liderët politikë për të caktuar me ngut datën e zgjedhjeve. Edhe më shqetësues është fakti se ky veprim u paraqit si i konsultuar gjerësisht me “dhjetëra juristë”. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë problemi nuk është vetëm vendimmarrja politike, por edhe cilësia e këshillimit profesional. Sepse vetë presidentja pranoi se dekreti mund të përfundonte në Gjykatën Kushtetuese dhe megjithatë vendosi të ecë përpara, me vetëdije të plotë, drejt një vendimi të kontestueshëm.

Rezultati ishte i pritshëm: Gjykata Kushtetuese e rrëzoi dekretin, duke e shpallur nul dhe pa efekt juridik. Por dëmi nuk është vetëm juridik — është institucional dhe moral. Dhe këtu lind pyetja thelbësore: çfarë e ushqen këtë lloj guximi? Pse ky vetëbesim i tepruar, ky ngulmim në gabim, kjo krenari e pashpjegueshme edhe përballë dështimit të paralajmëruar?

Ndoshta një pjesë e publikut mund ta justifikojë këtë si efekt të afërsisë me figura ndërkombëtare si Trumpi, fotografitë me të cilin perceptohen si kapital politik për Kosovën. Por do të ishte shumë më problematike nëse ky guxim buron nga ndikime më të errëta, nga aleanca të gabuara apo nga një kulturë politike që e ngatërron vendosmërinë me kokëfortësinë. Sepse në fund, guximi i vërtetë në politikë nuk është të ecësh drejt një gabimi të paralajmëruar — por të dish të ndalesh para tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat