Hijet e luftës në dritën e paqes

Opinione

Hijet e luftës në dritën e paqes

Nga: Ramazan Bekteshi Më: 6 prill 2026 Në ora: 12:28
Ramazan Bekteshi

Në luftë ndodhin dramat më sureale: flitet për trimëri të padëgjuara, për masakra të paimagjinueshme, për spiunime të dyfishta e të shumëfishta, për skenarë aq perfidë sa mund t’i shpikë vetëm mendja e njeriut në kohët më të zymta, aty ku e vërteta matet me gram dhe dezinformatat peshohen me tonelata, kështu e ka lufta!

Kam dëgjuar e lexuar shumë rrëfime nga lufta dhe paslufta, disa të besueshme, disa të pabesueshme, por që megjithatë kanë ndodhur ose kanë qenë plotësisht të mundshme. Narracione të natyrave nga më bizaret. Shumica e njerëzve tanë, më të guximshmit, hynë në luftë për idealin e lirisë. Një pakicë, ndërkohë, u shndërrua në profiterë lufte. Një kategori tjetër u infiltrua nga armiku për të shkaktuar përçarje, demoralizim, spiunim, madje edhe vëllavrasje e vrasje me pagesë.

Fatkeqësia jonë qëndron në faktin se disa “luftëtarë” u shpallën të tillë pa e shkelur kurrë tokën dardane, pa qenë asnjëherë në front. Jetonin në mërgim ose në kampet e refugjatëve në Maqedoni e Shqipëri, por në letra rezultonin sikur ishin në vijën e parë të betejës, duke sjellë armë apo duke pritur urdhra për sulm.

Në liri, dëmi u thellua. Të njëjtët individë u shndërruan në veteranë të UÇK-së. Më tej, përmes manipulimeve, viktimat e luftës u “konvertuan” në heronj, dhe me pak lobim lokal, emrat e tyre u vendosën në rrugë, bulevarde qytetesh e fshatrash, edhe pse shumica e qytetarëve nuk kishin dëgjuar kurrë për ta. Kështu, matrapazët krijuan një famë të rreme për familjet e tyre.

Absurditetet që ndodhën gjatë luftës: individë të kamufluar me uniforma apo me rroba civile merreshin me tregti armësh. Armët e destinuara për frontin, të blera me sakrificë nga mërgimtarët, shpesh përfundonin në treg të zi, duke u rishitur për përfitime personale.

Një tjetër formë abuzimi ishte shfrytëzimi i solidaritetit të fshatarëve. Disa paraqiteshin si pjesë e logjistikës së luftës, dhe u kërkonin fshatarëve e blegtorëve bagëti, të imta e të trasha “në emër të luftëtarëve”, por ato përfundonin në xhepat e tyre, të shitura ose të përdorura për interesa private.

Në kaosin e luftës vepronin edhe mercenarë: njerëz që, nën hijen e konfliktit, kryenin likuidime me pagesë, për hakmarrje, për interesa të armikut, për rivalitete afariste, për rivalitete politike, dhe rivalitete ushtarake. Disa nga këto dukuri të shëmtuara ndodhën edhe në Kosovën e pas luftës, derisa plaçkitja mori dimension industrial e vrasjet politike ndodhnin në mes të ditës.

Pas luftës, ky deformim shoqëror jo vetëm që nuk u ndal, por u thellua. Numri i veteranëve u shumëfishua në mënyrë absurde. Për certifikata të rreme paguheshin ryshfete deri në gjashtë mijë euro. Askush nuk u ndëshkua, as ata që i blenë, as ata që i lëshuan. Ndërkohë, buxheti i shtetit vazhdon të dëmtohet padrejtësisht.

Edhe në planin institucional, dështimi ishte i dukshëm. Institucione kyçe nuk arritën të kryejnë detyrën e tyre historike. U mbyll Instituti për Dokumentimin e Gjenocidit, ndërsa institucionet shkencore e historike nuk arritën të përpilojnë një monografi të saktë për viktimat e luftës. Si pasojë, të dhënat vazhdojnë të citohen nga organizata të jashtme si Humanitarian Law Center e Natasha Kandiqit, jo pse ato janë problem në vetvete, por sepse institucionet tona dështuan të bëjnë punën e tyre, edhe pse e kishin historinë “në oborr të shtëpisë”.

Pra krimet mbetën të pa trajtuara nga institucionet tona, ngjashëm pësoi fatin edhe veprimtaria e profiterëve të luftës dhe spiunëve shqiptarë, bile, disa në vend se të ndëshkoheshin u shpërblyen me pozita në qeveri e inteligjencë.

Për shkeljet dhe regjistrimet stihike L. Loshi i përshkruan kështu:

“...nëse në listën e dëshmorëve figuron një ushtar i UÇK-së, i cili njëkohësisht figuron edhe në listën e të masakruarve? Ose nëse një i mbijetuar i një masakre figuron njëkohësisht si veteran apo invalid lufte? Këto ‘gabime’ flasin më shumë për ata që i hartuan listat sesa për ata që i lexojnë. Ka pasur përpjekje për përfitim moral e financiar, duke shtrembëruar statusin e viktimave—duke krijuar kështu fakte kundërthënëse që e hutojnë çdo njeri normal.”

Sot, kur drejtimin e shtetit e ka marrë gjenerata që u arsimua në ‘universitetin’ “Shtëpitë-Shkolla” në kushte të jashtëzakonshme, pasojat janë të dukshme: institucione të ndërtuara pa themele të forta, nga gjykata kushtetuese deri te akademia.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat