Ferma e Shkupit: Provimi Kryesor

Opinione

Ferma e Shkupit: Provimi Kryesor

Nga: Kimete Berisha Më: 6 prill 2026 Në ora: 13:15
Kimete Berisha

Studentët shqiptarë kërkuan diçka krejt të çuditshme për Ballkanin:

ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe,

siç ua garanton Kushtetuta dhe ligji.

Ferma u trazua menjëherë.

1. Dhelpra e vjetër e pyllit (Ali Ahmeti), e zënë me kujtime, tha:

- Ah… sa shumë kemi bërë për gjuhën.

Më vjen mirë që ende ekziston.

2. Krijesa e lënduar e parimeve (Albin Kurti) tha me qetësi të lënduar:

- Nuk më deshët.

Tash jepeni vetë provimin.

3. Gomari i betejave të vjetra (Ramush Haradinaj) tha:

- Edhe pse kam “studiuar” online - s’ka rëndësi në cilën gjuhë - unë gjithmonë jam me studentët.

Student jam vetë.

4. Derri i egër i Shkupit (Hristijan Mickoski) tha:

- Ligji është ligj.

Prandaj do ta shqyrtojmë nëse duhet të zbatohet.

5. Hoxha (Hoxhë Hoxha) ngriti gishtin kah qielli:

- E keni Zotin e gjithësisë.

Atje e jepni provimin kryesor të Ahiretit.

6. Pallua kontinentale (Vjosa Osmani)

Për shkak të konfliktit me Dhelprën e vjetër të pyllit (Ali Ahmetin), Ferma përkohësisht ia kishte ndërruar emrin.

Nga larg kaloi, e bindur se çdo krizë rajonale po ta shikosh me kujdes, është edhe krizë personale.

7. Kali i huazuar për dasmë (Bedri Hamza) u dëgjua nga një cep i fermës:

- T’i shmangim problemet.

Studentët shqiptarë të Maqedonisë mund të vijnë të studiojnë në Prishtinë.

Ka një legjendë të vjetër që thotë:

kush vinte të studionte në Mitrovicë,

kthehej në shtëpi së paku me një diplomë: me nuse.

8. Derri i butë i procedurave (Lumir Abdixhiku) foli me ton institucional:

- Është çështje serioze. Kërkon procedurë.

Duhet ta diskutojmë në Kryesi.

Ndoshta edhe ta dënojmë.

Me kujdes.

9. Tetovari -

me buzë buçkë, gjithmonë në gjendje gatishmërie për puthje,

në syzet e të cilit reflektohet një kanaçe Coca-Cola e kuqe -

tha shkurt e saktë:

- Unë e kam kryer fakultetin.

Studentët heshtën për një çast.

Pastaj dolën në protestë.

Sepse në Maqedoni,

edhe kur e ke të drejtën me Kushtetutë,

prapë duhet ta lypësh me pankartë.

P.S.

Nga Tirana u dëgjua edhe zëri i Shtrigës ceremoniale (Elisa Spiropali).

Asaj, Lugati (Edi Rama) i përfytyrohej si Skënderbeu.

Qysh kur “Skënderbeu” e përzuri nga oborri mbretëror,

u bë patriote rajonale.

AUTOKRITIKË:

Në Maqedoni, shqipja është gjuhë zyrtare

derisa të hysh në sallë.

Pastaj fillon provimi i vërtetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat