Gjendja në sektorin medial në Kosovë është për t’u dëshiruar!

Opinione

Gjendja në sektorin medial në Kosovë është për t’u dëshiruar!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 8 prill 2026 Në ora: 19:56
Ismail Muçiqi

Mjetet e informimit janë një sektor i pazëvendësueshëm i mekanizmit të zhvillimit të shoqërisë që ka zgjedhur rrugën e zhvillimit të proceseve demokratike të një shteti normal. Mjerisht, në Kosovë, sektori medial është ndërtuar shkel e shko, përmes iniciativave të individëve dhe grupeve të caktuara, të cilat janë pjellë e partive politike dhe e mafisë biznesore.

Profesioni i gazetarit është i veçantë dhe nënkupton profilin e një personaliteti të përgatitur në aspektin profesional, të gërshetuar me etikën morale, njerëzore dhe arsimore, me përvojë dhe pjekuri për t’u përballur me sfidat e jetës që e rrethojnë. Sot, në Kosovën e pasluftës, janë hapur me qindra portale, radio-stacione dhe televizione private, pa u krijuar kushtet elementare të domosdoshme, si në aspektin kadrovik, teknik, profesional dhe kombëtar.

Në Republikën e Kosovës, këto mjete të informimit nuk kanë një politikë të mirëfilltë programore që i duhet qytetarëve. Në radio dhe televizionet ekzistuese dominojnë tema të demoduara të karakterit politik, të cilat, përmes debateve të përditshme, kanë kaluar çdo kod të etikës dhe normë të profesionalizmit medial. Kosova sot është ndoshta i vetmi vend në botë ku nuk botohet asnjë gazetë ditore, çka është shumë shqetësuese për një shoqëri që pretendon të ecë me trendet e shteteve përreth.

Është interesant të theksohet se politika programore e mjeteve të informimit në Kosovë nuk ka arritur t’i tejkalojë mendësitë e kohës së kaluar, duke mbetur peng i botëkuptimeve primitive që dëmtojnë të ardhmen e vendit. Të rralla janë, ose pothuajse nuk ekzistojnë, mediat në Kosovë që kanë të profilizuar politikën programore. Për muaj e vite të tëra, qytetarëve të Kosovës (audiencës) u mungojnë emisione edukative e arsimore me tema të ndryshme, të cilat kultivojnë kulturën dhe traditën dhe do të mund të inspirojnë gjeneratën e re për t’u shkolluar dhe aftësuar, me një fjalë, për t’u përgatitur për sfidat e kohës.

Mjetet e informimit duhet të ruajnë etikën dhe profesionalizmin, duke informuar opinionin në kohë, në mënyrë të drejtë dhe të saktë, pa ndikime partiake apo interesa të tjera. Ato kanë obligim që, përmes shkrimeve, lajmeve, emisioneve dhe dokumentarëve, t’i motivojnë qytetarët, duke hapur shtigje dhe duke krijuar energji pozitive për suksese të reja në punë dhe në veprimtarinë e jetës.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për lajme të reja dhe për përmbajtje që promovojnë bashkëpunimin dhe afrimin e njerëzve, duke lënë anash përçarjet, mosmarrëveshjet dhe xhelozitë – dukuri që shkatërrojnë shoqërinë dhe shtetin. Duhet theksuar se, në çdo shtet ku funksionon sistemi demokratik, normat dhe ligjet që rrjedhin nga Kushtetuta obligojnë çdo institucion publik apo të pavarur që të japë përgjegjësi për punën e vet. Askush nuk ka të drejtë të jetë mbi ligjin, as mjetet e informimit, të cilat herë pas here sillen në mënyrë autokratike, duke shmangur përgjegjësinë për dështimet dhe gabimet ndaj audiencës.

Kjo gjendje do të vazhdojë derisa të ndryshojë vetëdija e gazetarëve në sektorin medial, duke ruajtur etikën profesionale dhe duke u përballur me interesat korruptive që herë pas here ballafaqohen me mafian biznesore dhe grupet e interesit, të cilët, përmes parasë, mundohen ta fusin nën kontroll edhe sektorin medial dhe informativ.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat