Nëse vështrojmë me kujdes zhvillimet e kohëve të fundit, është e pamundur të mos shtrojmë pyetjen alarmuese: A po i afrohemi një vetëshkatërrimi global? Akrepat e orës së historisë po lëvizin me vrull të frikshëm drejt një pike kritike, ku kthimi mund të mos jetë më i mundur.
A po troket Lufta e Tretë Botërore? Ndoshta ajo nuk troket me zhurmë, por vjen si një hije që afrohet ngadalë, ndërsa ne jemi të zënë me grindjet tona të brendshme, urrejtjet, dhe harrojmë mësimet e së kaluarës. Pyetja e vërtetë është: A do të kemi mençurinë ta hapim derën për paqen, para se të jetë vonë? Bota është kapluar nga një rrëshqitje e verbër dhe e rrufeshme drejt humnerës, një e keqe e panjohur më parë, që rritet në përmasa dhe thellësi me një shpejtësi tronditëse.
Nuk bëhet fjalë vetëm për krizat politike dhe ekonomike, për kërcënimin gjithnjë e më të madh të armëve bërthamore apo për përplasjet mes fuqive globale. Ajo që e bën këtë epokë veçanërisht të rrezikshme është kriza shpirtërore e njerëzimit. Asnjëherë më parë nuk është parë një mohim kaq i thellë i Zotit, një revoltë kaq e hapur kundër gjithçkaje që është e shenjtë, e vërtetë dhe e mirë.
Njerëzimi, i dehur nga pushteti, teknologjia dhe vetëbesimi i rremë, po e përjashton Hyjnoren nga jeta publike dhe private. Në vend të së shenjtës, po ngrihen idhuj të rinj: paraja, egoja, kontrolli. Në vend të së drejtës - relativizmi moral. Në vend të dashurisë - urrejtja dhe ndarja.
Në këtë dritë, pyetja nuk është vetëm nëse Lufta e Tretë Botërore do të shpërthejë, por nëse njerëzimi do të zgjohet përpara se të jetë tepër vonë. Sepse shkatërrimi nuk fillon me bombat - por me mohimin e të Vërtetës.
Bota është në rrugë të gabuar – jo për mungesë dijesh apo teknologjie, por për mungesë vlerash të vërteta. Në zemrën e zhvillimeve marramendëse të shekullit tonë, mungesa më e madhe nuk është ajo e përparimeve shkencore, por e dashurisë. Dashuria, dikur themeli i bashkëjetesës njerëzore, sot është zbehur, është ftohur. Dhe kur ajo mungon, në vend të saj zënë vend frika, urrejtja dhe shkatërrimi.
Papa Françesku ka dhënë një paralajmërim të qartë dhe tronditës: “Bota po shkon drejt vetëshkatërrimit.” Kjo nuk është një figurë stilistike për të ngjallur emocion, por një thirrje e fuqishme ndërgjegjjeje për të gjithë njerëzimin. Ai na kujton se përballë krizave globale - ndryshimeve klimatike, konflikteve të përgjakshme, përçarjes së thellë politike e shoqërore, dhe garës së çmendur për armatim bërthamor – ne po ndjekim një rrugë të errët, që rrezikon të na çojë drejt humnerës. Thirrja e Papës nuk është vetëm për besimtarët, por për çdo njeri me ndërgjegje. Është një ftesë për kthim tek dashuria, tek vlerat që ndërtojnë paqe, drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Sepse vetëm aty ku ringjallet dashuria, ringjallet edhe shpresa.
Një Luftë e Tretë Botërore, e cila potencialisht mund të përfshijë shumicën e shteteve të botës, është pothuajse e paimagjinueshme në realitetin e sotëm. Të gjithë e dimë që Lufta e Tretë nuk do të jetë si dy të parat - mund të jetë e fundit për civilizimin, siç paralajmëronin njerëz si Albert Einstein dhe Carl Sagan – dy nga figurat më të shquara në historinë e shkencës.
Vetë përmendja e saj ngjall frikë, ndërsa reflektimi mbi pasojat e mundshme sjell ankth dhe tmerr të thellë. Një konflikt i kësaj shkalle do të përbënte një kërcënim ekzistencial për të ardhmen e njerëzimit, duke e shtyrë botën drejt një apokalipsi bërthamor. Një luftë e tillë mund të shkatërrojë jo vetëm qytetërimin modern, por edhe vetë shpresën për të ardhmen, duke lënë pas vetes vetëm hi, pluhur dhe heshtje vdekjeprurëse.
Një luftë globale me përmasa bërthamore është e paimagjinueshme, dhe megjithatë, ajo sot shihet si një rrezik i mundshëm. Një konflikt i tillë do të kishte pasoja katastrofike për ekzistencën e njerëzimit dhe për vetë qytetërimin. Politikat globale shpesh udhëhiqen nga interesa të ngushta, egoizëm dhe etje për pushtet, duke nxitur tensione dhe konflikte të përhershme. Ukraina, Lindja e Mesme, Irani, Siria, Afrika - janë vatra të një zjarri që nuk shuhet, përkundrazi, po përhapet.
Karl fon Klauseviç në veprën e tij “Mbi Luftën” shprehej se: “Tek shtetet që bëjn luftë me njëra-tjetrën kjo nuk do të thotë se i kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike midis tyre por i vazhdojnë ato me mjete të tjera edhe pse marrëdhënia midis tyre vazhdon të ekzistojë por me luftë, dhunë dhe ashpërsi”. Nuk dimë asgjë se çka nund të ndodh nesër. Ndryshe nga ne, Zoti e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe thotë: “Prej fillimit lajmëroj çka do të ndodhë, prej kohësh së lashta çka ende s’ka ngjarë”.
Shumë njerëz mendojnë dhe besojnë se kanë kontroll të plotë mbi jetën e tyre. Ata mendojnë se kanë kontroll mbi atë që kanë në jetë, por kjo është e pakuptimt. Le të jemi realistë, as nuk dimë se çfarë mund të ndodhë në sekondën e ardhshme. A do të thotë kjo se ne jemi vetëm këtu të lënë në duart e fatit të panjohur? Në asnjë mënyrë! E ardhmja dhe siguria jonë është në duart e Zotit të gjallë.
Profetët e kishin paralajmëruar për mijëra vjet ardhjen e Jezu Krishtit dhe kohën e lindjes së Tij. Bibla, Fjala e Zotit, është treguar gjithmonë e saktë dhe e besueshme, përfshirë edhe profecinë që Jezusi do të lindte në Betlehem - siç ishte shpallur qartë nga profeti Mikea, rreth 800 vjet para lindjes së Jezusit.
Përballë gjithë kësaj errësire, ekziston një dritë shprese. Jo në teknologji, jo në armë apo aleanca ushtarake, por në vetë Zotin – Princin e Paqes, Jezu Krishtin. Profecitë biblike për ardhjen e Tij, të parathëna me saktësi të jashtëzakonshme shekuj më parë, u përmbushën në mënyrë të përsosur. Fjala e Zotit nuk është relikt i së kaluarës. Ajo nuk është thjesht një libër i vjetër mes shumë të tjerëve, i harruar në pluhurin e bibliotekave. Fjala e Zotit është e gjallë dhe vepruese, i flet çdo kohe, çdo njeriu, çdo zemre që dëshiron të dëgjojë. E vërteta e saj nuk plaket, sepse vjen nga i Përjetshmi. Mbi 300 profeci në Besëlidhjen e Vjetër tregojnë për jetën, vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit - të gjitha të realizuara me një përpikëri hyjnore.
Asnjë profet nuk e zgjodhi vetë rolin e tij - secili u thirr nga Zoti, i frymëzuar dhe i shtyrë nga Shpirti i Shenjtë për të kumtuar të vërtetën hyjnore. Profeti nuk është thjesht një lajmëtar, por edhe një kritik i ndërgjegjes së shoqërisë, që flet me autoritet, pa kompromis, nga maja e pushtetit deri të shtresat më të ulëta të popullit. Jezusi na kujton: “Në botë do të keni vuajtje, por mos u frikësohuni - unë e munda botën”.
Sot, më shumë se kurrë më parë, bota flet për luftëra dhe kërcënimin real të përdorimit të armëve bërthamore në kuadër të një Lufte të Tretë Botërore. Asnjëherë në historinë e njerëzimit nuk kemi qenë dëshmitarë të një pranie kaq të përhapur të konflikteve në kaq shumë pjesë të botës, njëkohësisht. Falë teknologjisë dhe komunikimit të avancuar, ne informohemi pothuajse menjëherë për shpërthimin e luftërave, për pasojat e tyre dhe për numrin tragjik të viktimave.
Tensionet ndërkombëtare, përplasjet gjeopolitike, garat e armatimeve dhe zhvillimi i vazhdueshëm i armëve bërthamore e bëjnë të pamundur të mos mendohet për rrezikun e një konflikti global. Edhe pse ky rrezik mbetet teorik dhe shumica e shteteve përpiqen ta shmangin një përplasje të përmasave të tilla, vetë ekzistenca e këtij potenciali shkatërrues është një alarm i heshtur për gjithë njerëzimin. Pasojat e një Lufte të Tretë Botërore do të ishin katastrofike – jo vetëm për shtetet ndërluftuese, por për vetë të ardhmen e jetës në Tokë.
Njeriu i epokës moderne kozmike, me krenari eksploron hapësirën e pafundme të gjithësisë. Në vitin 1969, ai vendosi këmbën për herë të parë në Hënë – një arritje madhështore në historinë e shkencës dhe teknologjisë. Por ndërsa ndërton anije kozmike për të prekur yjet, mbi tokën e vet vazhdon të prodhojë tragjedi të mëdha dhe kërcënime vdekjeprurëse.
Prodhimi dhe përhapja e armëve bërthamore mbetet një rrezik i përhershëm për paqen botërore dhe vetë ekzistencën e jetës njerëzore. Nën hijen e përparimit teknologjik, njerëzimi endet gjithnjë e më shumë drejt një krize të thellë shpirtërore dhe morale.
Shumë mendimtarë të urtë dhe shkencëtarë të shquar kanë paralajmëruar prej kohësh se bota po rrëshqet drejt një katastrofe globale. Sipas tyre, rrënja e kësaj krize qëndron në arrogancën e atyre që zotërojnë dijen dhe pushtetin, por e përjashtojnë Zotin nga ekuacioni i jetës. Të dehur nga ndjenja e kontrollit absolut dhe krenarisë njerëzore, ata shpallin me mendjemadhësi: “Ne jemi forca! Ne jemi autoriteti suprem! Ne jemi vetë Zoti!” Por historia ka treguar se çdo përpjekje për të ndërtuar një botë pa Zotin, përfundon në rrënim dhe vetëshkatërrim.
Kur e keqja pushton zemrën
Rreziku për një Luftë të Tretë Botërore nuk qëndron në armët që njerëzimi ka ndërtuar, por në zemrën që i urdhëron ato. Në zemrën e njeriut lind urrejtja, lakmia, krenaria dhe frika – forcat që ndezin luftërat. Pa shërimin e zemrës, pa pastrimin e shpirtit, bota nuk do të gjejë paqe, sado traktate apo armëpushime të firmosen. Jezusi thotë: “Nga zemra dalin qëllimet e këqija dhe vrasjet...”.
Kriza botërore nuk fillon në politikë apo ekonomi, por kur e keqja pushton zemrën e njeriut. Kriza e vërtetë botërore nuk është ajo që shohim në lajme, por ajo që ndodh në brendësinë e njeriut, kur zemra e tij dorëzohet ndaj së keqes.
Kur e keqja rrënjoset në zemrat e njerëzve, ajo nuk mbetet e izoluar. Ajo përhapet si një helm i padukshëm në marrëdhënie, në shoqëri dhe në institucione, duke prishur strukturën morale të botës. Drejtësia zbehet, e vërteta shtrembërohet, dhe pasiguria merr pushtetin. Kështu, bota shndërrohet në një vend ku frika zë vendin e paqes dhe mosbesimi sundon mbi çdo lidhje njerëzore.
Kur e keqja arrin kulmin, ajo bëhet pasqyrë e një shtrembërimi të thellë të arsyes dhe ndërgjegjes njerëzore. Njeriu në këtë gjendje shpirtërore është i pushtuar nga iluzioni se mund të jetë si Zoti – duke absolutizuar gjykimin e vet dhe duke përjashtuar Zotin nga jeta personale e publike. Si pasojë, besimi degradohet në një çështje thjesht private, i shkëputur nga ndikimi i tij moral dhe shoqëror. Në këtë mënyrë, rendi moral i shoqërisë shpërbëhet, dhe e keqja merr trajtë strukturore e kulturore.
Në një botë ku mjafton një shkëndijë për të ndezur një Luftë të Tretë Botërore - një konflikt që do të sillte shkatërrim të pakthyeshëm për jetën në Tokë - lind me të drejtë pyetja: A është real rreziku i përdorimit të armëve bërthamore për shkatërrim masiv? Nëse po, atëherë kemi hyrë në një epokë çmendurie të përmasave apokaliptike. Do të ishte një akt vetëvrasës kolektiv, një shenjë e fundit e një njerëzimi të mbytur në egoizëm, frikë dhe mëkat.
Megjithëse dëshirojmë të besojmë se një luftë e tillë është e pamundur, realiteti na kujton se gjithçka bëhet e mundur kur njeriu humb arsyen e shëndoshë dhe i nënshtrohet së keqes. E keqja, fillimisht personale, shndërrohet shpejt në një e keqe kolektive – në një kërcënim për gjithë njerëzimin. Carl Sagan, një nga mendjet më të ndritura të shkencës moderne, e përshkroi me një metaforë tronditëse: “Vrapimi për armatim bërthamor është si dy armiq të zhytur në benzinë deri në brez, njëri me tre shkrepëse, tjetri me pesë.”
Rrënja e kësaj gjendjeje tragjike gjendet në mëkatin, i cili ka plagosur thellë natyrën njerëzore dhe e ka privuar njeriun nga jeta e Zotit brenda tij. Njeriu shpesh ecën drejt mëkatit pa e kuptuar se po afrohet me rrënimin e vet. Rreziku nuk qëndron vetëm në veprën e jashtme, por në shkatërrimin e brendshëm që ai shkakton në shpirt.
Pa kuptuar pasojat e mëkatit dhe shthurjen morale që sjell, nuk mund të kuptojmë dot pse njeriu bie aq lehtë në urrejtje, në luftë dhe në vetëshkatërrim. Është shumë më e lehtë ta nxisësh njeriun drejt së keqes, sesa ta frymëzosh me të vërtetën, me mirësinë dhe me drejtësinë.
Në një botë të mbushur me mëkat, luftërat janë të pashmangshme. Burimi i kërcënimit nuk është jashtë njeriut, por brenda tij - në zemrën e tij. Pikërisht aty qëndron forca shkatërruese që e bën njeriun armik të vetvetes, të Zotit dhe të të afërmit. Mëkati është armiku i vërtetë i njeriut, sepse ai e ndërpret lidhjen me Krijuesin, njësoj si një lumë që ndahet nga burimi i tij dhe kthehet në moçal të qelbur.
Luftërat nuk mund të ndalen pa u ndryshuar më parë zemra e njeriut dhe pa u rindërtuar lidhja e ndërprerë me Zotin. Armiku më i madh i njeriut nuk është njeriu tjetër, as natyra, por mëkati dhe Djalli. Mëkati është mjeti përmes të cilit Djalli shkatërron. Ai është armiku i padukshëm, por i vërtetë, që “mëkaton qysh prej fillimit”, vepron në errësirë dhe nuk pushon kurrë.
Djalli nuk është një figurë trilluese apo një figurë e frikshme për fëmijët, por një realitet shpirtëror i pranishëm në botë. Nga zilia ndaj Birit të Zotit, i cili u bë njeri, ai mbjell urrejtje dhe përhap vdekje. Njerëzit që bien në duart e mëkatit dhe të Djallit nuk mund të parashikohen – sjellja e tyre mund të jetë shkatërruese në çdo moment.
Çfarë mbartim në zemrat tona? Aty fillon gjithçka: paqja ose lufta, ndërtimi ose rrënimi. Vetëm kur zemra e njeriut të kthehet tek Zoti, mund të ketë shpresë për një botë paqësore dhe të drejtë.