"Protesta paqësore" e 17 prillit 2026, nga shumica e skenave, pamjeve, videove; e të plagosurve, të arrestuarve dhe të ndaluarve; nga ekstazimi i lindave, albanëve, besfortëve, skënderëve, taulantëve, zeqineve...prej pamjeve të fytyrave të përgjakura të disa deputetëve të opozitës, duhet të ketë shqetësuar seriozisht, jo frikësuar, shumicën e protestuesve e të shikuesve SHQIPTARË dhe QYTETARË, nëpër ekrane apo nga lart nëpër trotuare, ballkone, në mjedise të brendshme lokalesh përreth arenës së zhvillimit të saj si dhe në korridore e dhoma të urgjencës spitalore...! Regjimi edramist dhe policia e tij hoqën maskat dhe treguan fytyrat e vërteta si dhe dhëmbët e tejzgjatur! U kuptua se edhe pse nuk ishte fizikisht në Tiranë, mendja dhe shpirti i Edi Ramës ishin në krye të forcave policore, me uniforma apo veshje civile! Ashtu si në disa protesta të mëparshme "ka rastisur" që kryeministri të mos ketë qenë as në kabinet, as në Surrel e kryeministri, as në Shqipëri! Gjatë kësaj proteste në Tiranë, me shumë gjasa, Edi Rama, ndërsa i ka lënë urdhrat dhe porositë me gojë ose me celular, po fluturonte nga Roma e Italisë, pasi iu ripërgjunj pështirshëm Melonit, për në Madrid dhe Barcelonë të Spanjës! Domethënë, tek homologu i tij Pedro Sanches..., edhe pse e merr me mend se mund ti kushtojë shtrenjtë kur presidenti Donald Trump ti shikojë duke u përqafuar përzemërsisht me njeri-tjetrin...!? Paradoksalisht, për të qenë i pranishëm në “Samitin për mbrojtjen e Demokracisë”, kur një ditë më parë kishte urdhëruar forca të shumta të policisë së tij për tu sulur pa fre e mëshirë kundër dhjetëra mijëra protestuesve të PD-opozitës në Tiranë, që kërkojnë prej vitesh një qeverisje me të vërtetë demokratike, shqiptare, të pakorruptuar, të ndjeshme për çdo individ e për politikë sociale funksionale!? Shprehur troç: Edi Rama në Tiranë ribëri diktatorin kundër një proteste paqësore e demokratike të opozitës, ndërsa në Barcelonë, bëri me fjalë të pasinqerta të përgjëruarin si “engjëll mbrojtës” i saj!? Nuk mund të merret me mend se si është ndjerë Edi Rama gjatë punimeve të asaj konference, kur ka kujtuar gjëmat që i ka bërë demokracisë në Shqipëri në këta mbi 10 vjet. Natyrisht, jo fare i vetëm... Mbi të gjitha, me mbështetjen e pakursyer të "babait për shpirt", Xhorxh dhe "vëllait për shpirt", Alex Soros si dhe të diplomatëve uashingtonas dhe brukselas në xhepat apo sirtarët e tyre, të akredituar në Tiranë ose ardhur shpesh nga qendrat e tyre, me shumë gjasa pritur dhe mbajtur në Tiranë si në asnjë kryeqytet tjetër më mirë! Në këtë listë të gjatë, ndërsa më kryesoret janë lënia e vendit pa sindikata, pa pozitë dhe opozitë; pa shoqëri civile e pa rini studentore, për më keq edhe pa shpirt reflektimi, reagimi, revoltimi, protestimi...! Edhe pa "pa zgjedhje të lira e të ndershme", nga shndërrimi i qendrave të votimit dhe i zyrave të shtet-qeverisë në tregje votash, mandatesh, postesh, vendesh "pune të arta" në zyra ose vetëm në 2-3 bordero..., sidomos për ushtritë e administratitistëve e të patronazhistëve... Rasti më i freskët apo "kryevepra" e gjase reformës në drejtësi, ngjashëm si ai me Olta Xhaçkën, është skandali i kundërvënies institucionale dhe parlamentare me 82 vota, mandate, “kukulla...”ndaj SPAK më 12 mars për mbrojtjen nëpërmjet "murit kinez" të "imunitetit të deputetit" të Linda Ballukut, me një balluk të madh mbush me dosje korrupsioni dhe abuzimesh me postin dhe demokracinë!? Kulmi u arrit kur ai e urdhëroi publikisht SPAK- un, në sallën e parlamentit, se "dosja Balluku është e mbyllur dhe nuk mund të hapet", domethënë sa të jetë ai kryeministër- mbret?! Shumëkujt i vjen ndërmend pyetja: a nuk ka ndjerë pikë vrasjeje ndërgjegjeje në vetvete Rama gjatë diskutimit të tij në tryezën e Bacelonës, kur duhej të tregohej me fjalë krejt ndryshe nga sa është me vepra të shumta? Merret me mend se falë internetit të fuqishëm, kudo ku e kanë zënë 3 orët e protestës së 17 prillit, nëpërmjet celularit, një tableti, laptopi...Edi Rama duhet të ketë gjetur minuta të lira për ta ndjekur si “spektator” protestën paqësore të dt.17 prill si dhe për të dhënë nga shumë larg urdhra të rinj SHEFAVE të policisë...Ra në sy se në protestën e 17 prillit, forcat policore, jo pa urdhër apo leje nga lart, ishin provokuese dhe agresive sa e si asnjë herë më parë ndaj protestuesve, duke shkaktuar edhe të plagosur. Pamja dhe veprimet e tyre të sillnin ndërmend edhe dyshimin se për ti tërbuar apo egërsuar, sipas një tradite të kohës së Simon Stefanit dhe të Hekuran Isait, mund tu kishin futur ndonjë çikë “barë” në “filxhanat e çajit”!? Dyshimi shtohej edhe nga agresiviteti i tepruar edhe ndaj deputetëve të PD-së nga forca të policisë së Skënder Hitajt, përzgjedhur si me “qiri” apo “dritë celulari” nga Linda Balluku! Po sipas traditës së policisë dhe sampistëve së Gramoz Ruçit në Kavajë e Shkodër më 1991, policia e Besfort Lamellarit dhe e Skënder Hitajt bëri edhe disa arrestime, ndalime, paraburgime...! Koha po tregon përditë se me veprimet autoritariste dhe antidemokratike, me korrupsionin e çmendur dhe dhunën e egër, tipike për regjimet dhe qeverisjet diktatoriale, me kulm gjatë mbrëmjes së 17 prillit 2026, Rama- parti- qeveria ka treguar se nuk i ka mbetur më ndonjë maskë e pashklyer partie socialiste dhe qeverisjeje demokratike!? Në mënyrë figurative, mund edhe të thuhet se ndërsa Rama-qeveria multimiliardizohet nga burime korrupsioni, egërsohet apo diktaturizohet politikisht e si qeverisje nga mungesa e kundërshtimit të fuqishëm nga gjiri i saj dhe nga jashtë, prej opozitës, në të kundërt, PD-opozita moderohet dhe fragmentarizohet apo shqip fare, vetëcoptohet..., kur i duhet si ajri e uji, të unifikohet dhe konsolidohet!?
Ashtu si edhe për protestat e mëparshme, të ngjashme me njëra-tjetrën, nuk mund ta përmbaj pa e rishprehur publikisht skepticizmin dhe mospajtimin tim personal, subjektiv me vazhdimin si një serial i pafund turk i "protestave paqësore", me kosto të lartë shumëdrejtimëshe apo shumëformëshe! Kam parandjenjën se kjo bindje duhet ti jetë përforcuar më 17 prill shumicës së protestuesve dhe DEMOKRATËVE dhe SHQIPTARËVE, përfshirë edhe SOCIALISTËT IDEALISTË, që duan më shumë SHQIPËRINË dhe PARTINË SOCIALISTE se sa kryetarin dhe kryesinë e saj dhe mbretërimin sa më gjatë të tyre në fronet e pushtetit! Atyre duhet tu jetë bërë plotësisht e qartë dhe e kuptueshme se Rama- parti- qeveria nuk ikën nga pushteti me premtimin e gënjeshtërt për "zgjedhje të lira e të ndershme"; me parulla, akuza gojore ose letrash; me sharje e paralajmërime; me denoncime publike dhe juridike në SPAK, në salla takimesh dhe konferencash ndërkombëtare! Pa tërheqjen në sheshin e protestave edhe të dhjetëra mijërave nga shoqëria civile, nga "ushtria e të pavarurve"; nga rinia studentore, nga grupime masive pensionistësh jo përjetësisht "të majtë" e që duhet të jenë bindur se në këta 12 vjet kanë qenë më "të persekutuarit" financiarisht, për nga përkujdesja individuale e sociale, ...nuk mund të pritet largim nga fronet dhe pushteti të Edi Ramës me shoqe e shokë!
E ka shprehur të nesërmen e protestës së 12 marsit edhe Desada Metaj, pak minuta më vonë e kam mbështetur edhe unë si ide, se gjatë protestës së asaj dite, duke pasur brenda në parlament deputetë, qeveri, Edi Ramën..., PD-Opozita humbi nëpër duart e saj shansin për një protestë ndryshe dhe të efektshme, brenda sallës së parlamentit. Fjala është për bllokimin e tyre, duke mos i lënë të dilnin nga salla e parlamentit, nëse do të rrethohej nga jashtë për shumë ditë e net nga mijëra protestues. Kështu, mund të ndodhte që nga “Protestat Paqësore” të kësaj forme të vinte akti i shumëdëshiruar i dorëheqjes të kryeministrit dhe rënia e qeverisë së tij, duke shkuar në zgjedhje të parakohshme me qeveri teknike! Natyrisht, pa kodin elektoral Berisha -Rama, prill 2008, “mbytës” i zgjedhjeve me të vërtetë të lira dhe demokratike. Edhe pa KQZ-në dhe komisionet vartëse të saj të mbushur me ilirian celibashë dhe komisionerë hajdutë profesionistë votash...Humbja e shansit më 12 mars i bëri protestat më 22 mars dhe 17 prill sa për të mbushur emisione lajmesh dhe faqe gazetash, disa dhoma policie dhe të urgjencës në spital...
Pra, është urgjente që PD-opozita të mendojnë për të përgatitur dhe zbatuar një strategji të re kundërvënieje dhe përpalljeje shumë më vizionare, më masive, me karakter të gjerë qytetar, opozitar dhe popullor, me regjimin e Edi Ramës, tani në kapërcimin e plotë në fazën e një qeverisjeje "gjenetike" dhe tradicionale diktatoriale, antipopullore, antikombëtare...! Ndoshta është e dobishme të merret një përvojë edhe nga Hungaria. Peter Magyar dhe partia e tij Tisza, nuk i përdorën shpesh e shumë protestat masive. Në vend të këtyre, bënë apo arritën më tepër, nëpërmjet takimeve dhe bisedave të shpeshta me qytetarë dhe fshatarë në vendet e tyre të jetës, punës, shkollimit, argëtimit...Domethënë nëpër shtëpira, qendra pune, lokale, tregje, shkolla, universitete, spitale, trena, autobuzë...Është e lodhshme dhe e kushtueshme, por Magyarit dhe partisë së tij u rezultoi e suksesshme. Por, është e nënkuptueshme: një fazë dhe strategji e re kërkon domosdoshmërisht edhe udhëheqësi apo kryesi të re, lidership të ri, edhe në PD dhe opozitën tonë të mplakur e mpakur, apo në rrëgjim të vazhdueshëm e që “ka harruar” gjatë për tu rinuar ose që ka pandehmën se është përtërirë duke futur në gjirin e kryesive të saj disa demokratë, djem e vajza në moshë të re, që kanë ardhur me mendjen për të mos u mplakur në PD dhe në opozitë...!?