1. Krejt ose asgjë
Më pëlqen të menduarit “krejt ose asgjë”.
Nëse diçka s’është perfekte,
është dështim.
Ama.
“Krejt ose asgjë” do të doja të ishte dashuria, për shembull.
Por s’është.
Prandaj, anipse më pëlqen,
e di se të menduarit bardh e zi
është mënyrë e pandershme e të menduarit.
Dhe shumë dëshpëruese.
Sepse ushqen idenë e absolutizmit
dhe të perfeksionizmit… që s'ekziston.
...
2. Sadakaja e pushtetit
Nuk është gabim të duash të kesh çdo gjë.
T’i kesh të gjitha pushtetet.
Edhe presidentin.
Nuk është as joligjore
të duash të kesh gjithçka.
Gabim nuk është as t’i vësh në lajthitje kundërshtarët politikë:
të dukesh sikur po u ofron një copë pushtet
që e di se ata do ta refuzojnë.
Pra:
kryeministri
nuk po bën gabim
që po shpërndan sadaka të pushtetit të tij.
Punë për të.
Por
ai po jep nga teprica,
jo nga zemra.
Dhe teprica
nuk numërohet.
(Gabim bën ai
që e pranon mëshirën e pushtetit të falur.)
...
3. Sadakashi
LDK nuk ka ide
se si ta marrë pushtetin me vota.
Por ka ide
ta shqyrtojë sadakanë e pushtetit të Albin Kurtit.
Ky është gabim.
Gabimi i madh është
që Lumir Abdixhiku sillet si sadakash.
I pasur privatisht -
lypës politikisht.
Ama e shtrin dorën
në mënyrë luksoze:
edhe lyp,
edhe zgjedh.
Lumiri do të pranonte
të bëhej President me sadaka,
por nuk pranon
të bëhet zëvendëskryeministër me sadaka.
Pra, një fukara i vetmuar politik
e shet shtrenjtë
varfërinë e vet politike.
LDK-ja gjithmonë ka talent
të bëjë këso tregti politike
me vetminë e saj.
(Dhe, sinqerisht,
nuk e kuptoj as pse ekziston.)
...
4. Hëngri kryet e vet
Por unë dua të flas
për një gjendje tjetër.
Për atë gjendjen
kur njeriu çohet peshë.
Kur e mira të çon peshë.
Kur pushteti të deh.
Kur hyn në vetmitologji.
Dhe kur, sa më shumë që ke,
aq më shumë do të kesh.
Dhe kur askush
s’mund të ta ndalë hovin
derisa të biesh.
Oh.
Sepse nuk dëgjon askënd.
As sheh njeri.
Veç vetes.
Dhe kot:
nëse gjendet dikush që
të do, të thotë:
- Mos.
- Ndal.
- Çdo gjë ka fund.
Ti nuk i dëgjon.
Sepse është aq larg atje… te retë.
Aq mirë.
E, të gjithë të vegjlit
janë në tokë.
Por ata nuk bien.
Bie veç ai
që është lart.
Dhe bie
para këmbëve
të atyre që nuk janë ngritur kurrë.
Është ajo faza
kur nuk qetësohesh
pa e shkatërruar veten…
Pa të lënë mendtë e vjetra,
derisa, nëse ke fat,
i gjen një palë mend të reja.
Populli thotë:
“E hëngri kryet e vet.”
Dhe kjo ndodh rëndom
pikërisht kur të duket
se i ke punët më së miri.
...
5. Fluturimi i budallait
I kemi parë.
Rend.
Një nga një.
Duke e rrëzuar veten
me mendime të sëmura,
duke u djegur
në dëshirat e tyre të zjarrta.
Duke e helmuar veten
me mllef
e armiqësi.
Është një ligj i pashkruar:
Gjithkush që ka mashtruar,
ka tradhtuar,
ka bërë zullum,
që e ka përdorur dashurinë e të tjerëve si mall,
dhe ka pasur nijet të keq -
nuk ka shpëtuar.
Ka përfunduar
i përbuzur,
i poshtëruar
dhe i izoluar.
Kështu ndodh gjithmonë.
Fluturojnë.
Dhe bien.
...
P.S.
If they return,
remember how they left.
...
AUTOKRITIKË
As mos fal.
As mos harro.
Këndo.