Sot u shua, duke u ndarë nga jeta, një nga mendjet më të ndritura të kombit shqiptar, akademik Rexhep Qosja. Kjo shënon humbjen e një prej figurave më të rëndësishme të mendimit dhe kulturës shqiptare. Ai ishte një nga figurat më të spikatura të botës akademike, një studiues i shquar dhe një zë i fuqishëm i ndërgjegjes kombëtare, që për dekada me radhë ndikoi në zhvillimin e mendimit kritik në hapësirën shqiptare.
Rexhep Qosja nuk ishte vetëm një emër i njohur i albanologjisë, por një personalitet që e jetoi dhe e mbrojti mendimin e lirë me guxim dhe përkushtim. Ai mbeti i palëkundur në bindjet e tij, shpeshherë duke u përballur me kundërshti dhe keqkuptime, por pa u tërhequr asnjëherë nga e vërteta që besonte.
Kam pasur privilegjin ta takoj disa herë - në Kosovë, në Mirditë dhe në Tiranë. Çdo takim me të ishte më shumë se një bisedë; ishte një përvojë e veçantë ku dija ndërthurej natyrshëm me thjeshtësinë dhe përulësinë, dhe me një madhështi që nuk kërkonte kurrë të dukej. Edhe kur shëndeti i tij ishte i rënduar, më priti në zyrën e tij në Institutin Albanologjik të Prishtinës me të njëjtën qetësi, mirësi dhe përulësi që e karakterizonte gjithmonë. Ishte po ai njeri i thjeshtë, i qetë dhe i përulur, i kthjellët dhe i përkushtuar ndaj mendimit dhe dialogut, megjithëse madhështia e veprës së tij e bënte të paarritshëm për shumëkënd.
Në një intervistë që pata realizuar me të, ai shprehu një dashuri të veçantë për Mirditën, duke e cilësuar atë si “një nga vendet më të dashura ndër trevat shqiptare”. Ky rrëfim, i ruajtur në librin “Antologji e Mendimit të Sotëm për Mirditën”, mbetet për mua një dëshmi e lidhjes së tij të thellë shpirtërore me njerëzit dhe tokën.
Rexhep Qosja nuk ishte thjesht një akademik. Ishte një institucion në vetvete. I palëkundur në bindje, i guximshëm në qëndrime dhe i thellë në mendim, ai shpesh u përball me paragjykime e etiketime të padrejta. Vepra e tij mbetet një thirrje e vazhdueshme për reflektim dhe përgjegjësi intelektuale. Por mbi të gjitha këto qëndron një pyetje që mbetet pezull: sa prej atyre që e gjykuan, e kishin lexuar vërtet?
Sepse kush e ka lexuar Qosjen, e di: ai nuk i përkiste asnjë etikete. Ai i përkiste së vërtetës. I përkiste mendimit të lirë. I përkiste kombit të vet.
Sot ai nuk është më mes nesh, por fjala e tij nuk shuhet. Veprat e tij do të vazhdojnë të jetojnë, të sfidojnë, të ndriçojnë - si një dritë që nuk fiket, por kalon nga një brez te tjetri. Trashëgimia e tij do të vijojë të ndriçojë brezat, duke i ftuar ata të mendojnë lirshëm dhe të kërkojnë të vërtetën.
U prehsh në paqe, Profesor. Fjala jote do të mbetet dhe do të jetojë gjatë.