Akademikut, Rexhep Qosja

Opinione

Akademikut, Rexhep Qosja

Nga: Faik Miftari Më: 24 prill 2026 Në ora: 17:57
Faik Miftari

Lajmin për vdekjen dhe varrimin  e akademikut Rexhep Qosjes e mora nëpërmjet rrjeteve sociale. Posa mora lajmin për vdekjen e tij, lexova një Fatiha për shpirt të tij dhe bëra dua (lutje) që Krijuesi Fuqiplotë ta mëshirojë me mëshirën e tij të gjithmbarshme shpirtin e tij të ndritur.

 Për respektin që kisha ndaj tij si lexues i rregulltë, që nga  dita që kam lexuar romanin e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e librave tjerë të tij, si profesor, gjuhëtar, kritik letrar, publicist, shkrimtar, akademik,  i cili me shkrime të shumta letrare, publicistike, ese, tregime, drama, romane, libra,  ka lënë  gjurmë  të thellë  në letërsinë  shqipe dhe historiografinë e re shqiptare, kam obligim njerëzor, moral e intelektual që ta përkujtoj me këtë shkrim post mortum (pas vdekjes), akademikun e nderuar Rexhep Qosjen, i cili do të mbetet përherë  i paharruar në kujtimet e m’ia.

Për kontributin e tij të gjerë dhënë  gjuhës dhe letërsisë shqipe,  publicistikës, kulturës dhe historiografisë shqiptare, nuk do të ndalem, pasi që për këtë janë duke shkruar dhe do të shkruajnë analistë, publicistë, politikan, shkrimtar, gjuhëtar, kritik letrar, etj.

Unë do të ndalem me theks të veçantë vetëm  në porosinë e akademikut Rexhep Qosjes dhënë në librin e tij “Tronditja e shekullit I-II” botuar nga shtëpia botuese ”Toena” nga Tirana në vitin 2001, e cila më ka lënë përshtypje dhe ndjenja të veçantë nga librat e tij të shumtë të lexuar.

Libri i tij ”Tronditja e shekullit I-II” shkruar në formë ditari do të mbetet në historinë dhe kulturën tonë kombëtare një dokument i rëndësishëm për periudhën më të re të historisë së popullit shqiptar të Kosovës në fund të shekullit XX, që ka të bëjë me luftën e zhvilluar në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 dhe lirinë e fituar me ndihmën e aleatëve.

 Akademiku, Rexhep Qosja, librin e tij, përveç tjerash e nis , duke cituar edhe kaptinën “Asër” nga Kur’ani  famëlartë:  “1.Pasha kohën! 2. me të vërtetë, njeriu është në humbje, 3. përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, dhe të cilët i rekomandojnë njëri tjetrit durimin.” Kaptina, 103. Me këtë kaptinë të cituar nga Kur’ani  akademiku Rexhep Qosja përcjell përveç tjerash edhe porosinë hyjnore nga Zoti fuqiplotë se njeriu që beson, punon vepra të mira,  rekomandon durimin, është i dobishëm për shoqërinë shqiptare dhe civilizim njerëzor në përgjithësi.

Gjithashtu më tutje në libër, akademiku porositë: “Ruana, Zot, prej atyre që nuk besojnë as në Zot, as në njeri, as në art e as në shkencë.” Kjo është porosia e  akademikut drejtuar të gjithë njerëzve në përgjithësi e  intelektualëve në veçanti që ende nuk besojnë në Zot, se më në fund ka ardhur koha të pendohen dhe të afrohen besimit në Zotin fuqiplotë.

Më tej  akademiku, Rexhep Qosja, vazhdon librin duke theksuar:“ e dëgjojë jehonën e fjalëve të babait me Kur’an në dorë –“ kanë të drejtë të luftojnë ata që janë të sulmuar sepse u është bërë e padrejtë. Dhe, Allahu i plotfuqishëm do t’ju ndihmojë. Dhe, Allahu i plotfuqishëm do t’ju ndihmojë atyre që janë të dëbuar prej shtëpive të tyre pa të drejtë...Dhe, sikur Allahu të mos e mënjanonte të keqen që bëjnë njerëzit me ndihmën e njerëzve të tjerë, do të shkatërroheshin kishat e sinagogat e xhamitë, në të cilat shpesh përmendet emri i Zotit”. Vonë na janë kujtuar këto fjalë, thekson Qosja, i cili me këtë porosi thekson se më në fund ndihma e Zotit të plotfuqishëm do të arrijë me ndihmën e njerëzve tjerë.

Librin “Tronditja e shekullit I-II” akademiku Rexhep Qosja e përfundon me porosinë shumë domethënese dhe mbresëlënëse, duke falënderuar Zotin për lirinë e fituar pas gati një shekull vuajtje nën pushtimin serb: ”Ndërhyrja e NATO-së ishte dhurata e Zotit, e dhuruar, ndoshta si shfajësim i fuqive të mëdha për të gjitha cenimet që na janë bërë me pajtimin e tyre gjatë historisë së re”.                                  

Në fund të këtij shkrimi post mortum (pas vdekjes) për akademikun tonë të nderuar i cili ndërroi jetë do ta përfundoja me një përkujtim emocional të akademikut, Rexhep Qosjes gjatë një interviste  dhëne një gazetareje boshnjake viteve nëntëdhjeta: ”lutjet e fëmijërisë që i patë mësuar nga babai i tij, akademiku duke e mbaruar lutjen nga Kur’ani e nisur nga gazetarja boshnjake, sytë i qenë përlotur”.

Ishin këto lotët e akademikut, Rexhep Qosjes nga përkujtimi i çasteve të bukura të fëmijërisë së tij gjatë recitimit të lutjeve nga Kur’ani me rastin e intervistës dhënë  gazetares boshnjake.

               24.04.2026                                       Av. Faik MIFTARI

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat