Marrëveshja në saksi
(Shpresa e ricikluar)
...
Në mesin e shtatëmbëdhjetë luleve,
ku mungonte vetëm “gjuha e vjehrrës”,
u arrit koalicioni i Albin Kurtit me “Ata”.
Në fotografi shihen:
5 njerëz seriozë,
17 bimë dekorative,
dhe 1 popull që s’e di
a po formohet koalicioni
apo po hapet ndonjë OJQ ekologjike.
...
Donika Gërvalla,
si gjithmonë,
dukej mbretëreshë.
Dhe dukej qartë
se i ujit lulet me rregull,
madje u flet edhe gjermanisht.
...
Një lule
kishte tendenca të dilte nga saksia.
Dhe doli.
Për t’u hapëruar kah Albin Kurti,
i cili dukej jashtëzakonisht i lumtur,
si njeri që më në fund
e ka gjetur dikë
që e merr seriozisht edhe mes luleve.
...
Mimoza Kusari
e kishte pas shpinës flamurin amerikan,
gjë që linte të kuptohej
se ose lulet,
ose saksitë,
ishin nga Amerika.
Ose vardisja.
...
Zef Morina
dukej sikur i kishte shkaktuar nervozizëm
lulës para vetes.
Lulja ishte përhapur.
Lexuesit profesionistë të luleve
e dinë çka do të thotë kjo.
...
“Gjuha e vjehrrës” mungonte në koleksion,
por e zëvendësonte Vjosa Osmani,
për të cilën thuhet se sa herë përmendej,
një gjethe binte nga saksia.
Shënim botanik:
“Gjuha e vjehrrës”
(Sansevieria trifasciata)
kërkon pakujdesi,
është rezistente ndaj kushteve të këqija
dhe besohet se mbron shtëpinë nga grindjet.
(Siç shihet edhe nga fotografia e shpresës.)
...
Pas shpinës së Zefit,
e varur në mur,
një tjetër lule
sinkronizohej me kokën e tij
si kapuç prej luleve.
Ndërkohë,
ai dukej si kushëriri i ndrojtur
që pas shumë vitesh
ka ardhur jahu te Albini
dhe papritur
është bërë pjesë e fotografisë familjare.
...
Mbetet e paqartë
pse vetëm Mimoza Kusari dhe Zef Morina
nuk i kishin stilolapsat e tyre personalë
për ta nënshkruar shpresën.
Kjo zakonisht ndodh
kur njeriu ende s’e di
a ka ardhur për marrëveshje
apo për kursin
“Si të jetosh mes luleve”.
...
Për momentin,
për Faton Pecin
nuk kam asnjë vërejtje.
Kjo më shqetëson.
...
Albin Kurti
e nënshkruante marrëveshjen
si prindi që ka mbetur vetëm
në grupin e WhatsApp-it të klasës.
...
Marrëveshja përmban:
35.5% fat,
42% ymyd,
dhe 22.5%:
“hajt se rregullohet.”
...
PSHDK
hyri në koalicion
si mysafiri që erdhi për një kafe
dhe papritmas filloi të japë ide
për mobilimin e shtëpisë:
“këqyr se nën prag
po të fryen njëfarë ere…”
...
Alternativa:
ende duke u sjellë rreth objektit.
...
Guxo:
duke guxuar
ta lexojë marrëveshjen
pasi ta nënshkruajë.
...
EPILOG
Në një moment
u bë e paqartë
a po formohej koalicioni
apo po pritej të ujiteshin lulet.
...
P.S.
“…mbollëm lule që s’çelin.”
...
AUTOKRITIKË:
Shumë e poshtër.
Je.
Po dukesh.
Sonte.