Debati dhe kundërshtia e Vjosa Osmanit me reagimin e munguar personal të Albin Kurtit ka prodhuar edhe një fabrikim special: - Zëdhënësit e Vjosës, të atashuar pranë saj nga Edi Rama, në çdo dalje televizive përsërisin shpifjen sipas së cilës, “Albin Kurti paguan 40 mijë portale në rrjetet sociale”! Në stilin e Edi Ramës, kur ky i fundit akuzonte Lulzim Bashën për lobime ruse, edhe ky ish ushtar i Lulit thotë se “Këto 40 mijë portalet po bëjnë një luftë hibride kundër Vjosa Osmanit”! Qëllimi është shumë djallëzor: - Ta paraqesë kritikën që i bëhet zonjës Osmani si “luftë me prapavijë ruse”!
Po cila është e vërteta? Ky personi i përkushtuar si kritik në mbrojtje të ish-presidentes së Republikës së Kosovës qëllimisht ka formuluar këtë 40 mijëshin si numër që ngjit te njerëzit. Por ka harruar se ky numër ka një përqasje me përrallën e një mijë e një netëve “Ali Baba dhe 40 hajdutët”! Ata 40 hajdutët e Ali Babës shënojnë një përrallë, pra një të pavërtetë të dukshme. Këta 40 mijë portalet nuk janë vetëm përrallë, por janë një mashtrim monstruoz i mbështetësve të Grennellit, Gjuriqit, Edi Ramës, e më në fund edhe të Vjosa Osmanit. Nëse do ta pyesni personin ose personat në fjalë të thonin emrat e këtyre portaleve, ju siguroj se nuk do të numëronin 14 prej tyre. Por duhen 40 mijë. Sepse djalli e ngjiz më mirë, mandje në mënyrë kumbuese këtë shifër.
E vërteta është se ka jo pak portale, të cilat mbrojnë të drejtën e Albin Kurtit në politikat e tij madhore pro shtetësisë dhe lirisë së Kosovës. Por ato janë shumë më pak se ekranet televizive dhe medieve tjera në dizpozicion të opozitës kundër Kurtit në Kosovë. Kjo e vërtetë shihet edhe në mediet e Tiranës zyrtare. Të gjitha televizionet e Shqipërisë sulmojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me të pavërteta, thjesht me trillime dhe parashikime ogurzeza të analistëve dhe opinionistëve shqipfolës. Një ushtri e tërëpropagandistësh militanë, të paguar ose jo, janë në veprim për ta linçuar Albin Kurtin dhe për ta nxjerrë atë jashtë politikës. Ndërsa sipas Baton Haxhiut, nëse jo me mashtrime e me propagandë, ai duhet likuiduar me çdo mjet.
Të gjithë sa ulen në studiot televizive thonë se “Albini bën propagandë”! Kanë formuluar togfjaëshin “Propaganda e Albinit”! Por nëse marrim dhe analizojmë diskursin e Kurtit, Osmanit, Abdixhikut, Haradinajt e Vlora Çitakut, atëherë ne zbulojmë me profesionalizëm se propaganda zhvillohet më së shumti nga kundërshtarët e kryeministrit të Kosovës. Thonë edhe se kjo propagandë paguhet majmë me dinarë. Por kjo ësht çeshtje e institucioneve të specializuara. Jam përpjekur të bëj një lloj analize të kësaj që thashë më lart. Më rezulton krejt ndryshe nga sa thonë kritikët e zotit Kurti. Shpifja dhe mashtrimi është propagandë. E vërteta është armiku i propagandës. Kur kundërshtarët e Kurtit flasin për propagandën e tij, nuk japin asnjë fakt. Ku ai mashtroi? Ku e tjetërsoi realitetin?
Ndërkaq unë gjeta në diskursin e kundërshtarëve dhe akuzuesve ndaj kryeministrit Kurti shpifje, trillime, mashtrime dhe fabrikime pa fund. Po shënoj shpifjen e fundit të Vjosa Osmanit, sipas së cilës Kurti ka kërkuar qera nga amerikanët për bazën ushtarake të Bonstillit. Ishte një akuzë pa asnjë provë. Ajo nuk dha asnjë dëshmi për këtë. Thjesht hodhi në tregun mediatik një akuzë, me të cilën ka qëllim ta paraqesë Kurtin si anti-amerikan. Ndërkohë portalet e Kurtit shfaqin në ekran një takim në Mynih të tijin me katër kongresmenë amerikanë. Ballafaqimi i këtyre dy fakteve e nxjerr zonjën Osmani jashtë realitetit. Zëdhënësi (it) e Vjosës flasin për atë se “Kurti u bë xheloz ndaj Vjosës, sepse kjo e fundit takoi disa herë Donald Trump”! Ta besosh një idiotësi të tillë është më shumë se foshnjarake. Sepse edhe për Kurtin do ishte mrekulli një marrëdhënie e tillë e presidentes së vendit me presidentin e SHBA-ve.
Pse them foshnjëri? Sepse gjithkush e di se interesi i Kurtit është Kosova. Interesi i Vjosës është “miqësia” me SHBA-të! Miqësitë gjithmonë vijnë në shprehje si ose edhe për motive personale. Kosova dhe mbrojtja e saj është thjesht për Kosovën. Në fund Vjosa Osmani dëshmoi se miqësinë me SHBA-të dhe presidentin Trump e paska dashur për të siguruar mandatin e dytë si presidente e Republikës së Kosovës. Nëse motivet e miqësive janë interesat personale, atëherë kjo bëhet e rrezikshme për vendin. Motivet personale e shtynë Vjosa Osmanin të krijonte një miqësi fatale edhe me kryeministrin e Shqipërisë, aq sa si garanci ia dërgoi nga Tirana zëdhënësin e vet.
Miqësitë që i shërbejnë Kosovës janë të mrekullueshme. Por nuk është miqësi për Kosovën shoqëria me Richard Grennell, i dëshmuar si i preferuari lobist i Serbisë. Miqësia me Grennell e shumta mund të të afrojë më shumë me miqtë e Grennell në Kosovë e në Shqipëri, por jo të të bëjë ty “të virgjër” në dashurinë për Kosovën!