Dostojevski thoshte se “Ndoshta është më mirë të vuash e të njohësh të vërtetën, sesa të jesh i lumtur me një mashtrim”! Ndërsa Kafka mendonte ndryshe: “Më mirë do të mbaja iluzonet e mia, sepse shpesh ato janë më të mira sesa e vërteta”! Dostojevski dhe Kafka, të dy janë gjeni në mendimin e tyre filozofik. Por kur është fjala për raportin me të vërtetën ata kanë mendime të ndryshme. Nëse dikush do të donte të mësonte se cila nga këto aksioma filozofike është më e mirë, unë do të thoja se lumturia në mashtrim është shumë e rrezikshme për njeriun. Por edhe iluzioni është pjesë e ndërgjegjes njerëzore.
Duket se ata që pranojnë vuajtjen për të vërtetën dhe nuk duan të jenë të lumtur me mashtrimet e persekutojnë vetëveten. Por ata përfitojnë disa kënaqësi të tjera, të cilat iluzionistët nuk kanë shansin t’i përjetojnë. Pranimi është, gjithashtu sipas teologjisë e jo vetëm filozofisë, themeli i zgjidhjeve dhe zhvillimit të proceseve, ashtu si edhe realizimit të ëndërrave. Nëse nuk e pranon të vërtetën, atëherë gabimet janë udhëtari i pandashëm i njeriut. Iluzioni të kënaq dhe lumturon për një moment ose për një kohë. Siç përpiqet njeriu të lumturojë veten e tij para se të flejë gjumë pikërisht me iluzione dhe fantazi të pafundme. Por ato mbeten thjesht iluzione, ëndërra që nuk i prek me sy, me dorë apo me shqisat e tjera.
E vërteta është themeli i besimit, iluzioni është e kundërta, besim në kotësi. E vërteta dhe pranimi i saj është ngritja e vetëdijes njerëzore e për pasojë edhe shkaku i integritetit dhe dinjitetit njerëzor. Iluzioni është premisa e veprimit njerëzor sipas nënvetëdijes dhe të çon shpesh në humbjen e personalitetit. Ballafaqimi me të vërtetën është guxim njerëzor, të jetosh me iluzionin është frikë nga e vërteta. Guximi dhe frika janë dy kategori që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Atëherë pse të dy këta filozofë janë të pranueshëm për shoqërinë. Sepse vetë shoqëria është e tillë. Ajo është e ndarë në kategori dhe grupe njerëzore që kanë guximin të ballafaqohen me të vërtetat, pavarësisht kostos që paguajnë. Ashtu siç ka grupe e kateori të caktuara, të cilat kanë dëshirë të papërmbajtur për të jetuar në iluzionin e një botë që nuk ekziston. Dhe filozofët në fund të fundit krijojnë teoritë e tyre bazuar në realitein shoqëror.
Jetojmë në një kohë kur e vërteta është zhdukur si koncept e na merr malli të shihemi me të. Jemi në një kohë kur njerëzit gjithnjë e më shumë besojnë mashtrimin, përrallat, iluzionet që na i krijojnë teoritë dhe ideologjitë e gënjeshtërta të rrymave të sotme ideologjike dhe politike. Më shumë se kurrë, bota e sotme jeton në iluzionin e një jete të rrejshme, e cila për shumicën dërmuese ekziston vetëm në ekrane, në propagandë dhe në predikime kotësish. Ka gjithnjë e më pak njerëz, të cilët luftojnë për të vërtetën dhe realen. Duam progresin dhe ndërkohë besojmë se atë e gjejmë te fjalët e bukura e të sheqerosura, të cilat sjellin mjerimin tonë.
Largimi i vëmendjes për të vërtetën na ka sjellë në atë situatë sa të mos shohim e dallojmë rrenën nga fakti. Kjo i motivon njerëzit me prirje narciste dhe psikopatike që të shpifin, sepse gjejnë dashamirës të shpifjes. Të mashtrojnë, sepse gjejnë të mashtruar që bëhen të lumtur. Të spekullojnë, të mohojnë, të sillen me arrogancë e me forcë, sepse kudo, sidomos në mjedisin tonë shoqëror të shqiptarëve gjenden njerëz që nënshtrohen dhe zvarriten para të fortëve. Lumturia e psikopatëve dhe narcistëve rritet në proporcion me gatishmërinë e qytetarëve për t’i besuar ata dhe për t’iu nënshtruar kontrollit të tyre. Egoja e tyre çon vetëm te ambicia e shfrenuar për kontrollin dhe nënshtrimin e njerëzve. Kjo është e dukshme sidomos në politikë e në qeverisje. Eshtë gjithashtu drama e vërtetë që po e vuan Shqipëria. Por edhe që po ngjizet e përhapet në Kosovë dhe te shqiptarët që jetojnë në Ballkan e kudo në botë. Kjo dramë e dëshirës për të jetuar në lumturi me iluzionin që krijojnë fjalët e bukura, fasadat, linçimet, akuzat, kundërakuzat, rrëmbimet, turfullimet e çka tjetër si këto është drama e vërtetë e jona. Dikujt i prishet interesi i pushtetit dhe sulmon me të pavërteta të mëdha e megjithatë dikush, disa apo shumë njerëz i shkojnë nga pas. Dikujt i duhet ta mbrojë me thonj e me duar pushtetin, pasurinë dhe prestigjin e tij dhe për këtë gjë manifeston të gjitha djallëzitë e mundëshme, sepse jemi ne ata që e besojmë edhe pas rrenës së fundit që na jep. Dikush tjetër tallet me ne e me fatet tona si njerëz e si komb, madje bashkëpunon hapur me armiqtë tanë shekullorë dhe ne vazhdojmë e themi se ky dikushi “po na mbron me vetëmohim”!
Drama jonë është largimi nga e vërteta, dëshira për ta pranuar dhe për të jetuar me iluzionin. Prej këtej vjen drama e largimit edhe nga atdheu, familja dhe prona që posedojmë. Kjo dramë e tmerrshme na bën e do të na bëjë edhe më shumë zvarranikë të fatit dhe për pasojë do të na çojë në fatkeqësi të reja. Varet prej nesh, sa jemi të aftë të dallojmë të vërtetën e ta pranojmë atë, për të përcaktuar të sotmen e të ardhmen tonë.