Sot Shkupi sërish do të flasë shqip, me atë shqipen e ndrydhur nga shteti, do të buçasë e do të shpërthejë deri në kupë të qiellit. Sot duam që bota t’i dëgjojë rënkimet tona, sepse Maqedonia e Veriut kurrë nuk i ka përfillur zërat tanë, sado të vuajtur të kenë qenë ata, madje edhe kur kanë qenë paralajmërues për vetë ekzistencën e shtetit.
Në këto 25 vitet e fundit, kur e drejta për gjuhë do të duhej të ishte realizuar plotësisht, shqipja ende vazhdon të përpëlitet nëpër korridoret e kancelarive dhe në kalldrëmet e rrugëve: e plagosur, e kufizuar, e shtypur. Në institucionet e shtetit ajo mbetet e kufizuar, ashtu siç mbeten të kufizuara edhe shumë liri tona.
Për 25 vite, shqiptarët në pushtet u kujdesën më shumë për Maqedoninë e Veriut sesa për të drejtat e veta. Ata ia votuan çdo ligj, çdo marrëveshje ndërkombëtare, duke e devalvuar edhe vetë Marrëveshjen e Ohrit, një marrëveshje ndërkombëtare për shqiptarët, për hir të servilizmit dhe të përfitimeve materiale që ua ofroi pushteti. E lanë të papërmbushur pikërisht atë marrëveshje që do të duhej ta mbronin.
Për 25 vite, shqiptarët në pushtet u bënë milionerë; ata që dikur nuk kishin asgjë, me miliona në xhepa e mbyllën gojën në parlament. Ky ishte tagri i heshtjes: të mos kërkohej liri, barazi dhe të drejta që i takojnë çdo qytetari. Memecëria e politikanëve tanë prodhoi pasoja shumëdimensionale etnike, kombëtare dhe shoqërore. Shtëpitë u mbyllën me dry, shkollat po marshojnë të njëjtës rrugë, ndërsa politikanët mbeten të zënë në luftë me njëri-tjetrin, duke harruar zgjedhën që çdo ditë u rëndon shqiptarëve në qafë.
Kur ministrja e Punëve të Brendshme na quante “fisnorë” e “indianë”, një përfaqësues i zgjedhur shqiptar i pëshpëriste me përulje në telefon kryespiunit maqedonas se ishte në shërbim të tij deri në vdekje. Kur në lagjen e Kumanovës shqiptarët u dorëzuan, regjimi i vrau pas shpine, ndërsa aleati shqiptar në pushtet jo vetëm që nuk reagoi, jo vetëm që nuk doli nga koalicioni, por e ndihmoi atë regjim të forcohej. Dhe pastaj, kur duhej shpëtuar diktatori, e morën nën sqetull dhe në rrugë ilegale, përmes Shqipërisë, e përcollën deri në Budapest.
Atë që nuk e bënë politikanët, atë që nuk e bënë intelektualët, sot po e bëjnë studentët. Ata që u rritën me premtime, ata që fituan universitet, por me gjuhë të kufizuar; ata që u përballën me vonesa të të drejtave bazike, deri te më elementarja: gjuha amtare në tokën e tyre autoktone. Le të jehojë zëri i pavarur i studentëve tanë, pa ndërhyrje politikanësh dhe pa dirigjime nga “intelektualë” të pavarur.
Le të jetë kjo një lëvizje e pavarur studentore, pa interferenca dhe pa kapje politike; jo si ajo në Serbi, ku regjimi klerofashist serb, i infiltruar në mesin e lëvizjes studentore, dje në Kragujevc nxori një memorandum racist, të papranueshëm për Kosovën dhe për një fqinjësi normale, edhe pse kanë kaluar 27 vite nga lufta gjenocidale serbe.
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut e kanë dijen, qëllimin dhe vendosmërinë. Ata e meritojnë përkrahjen e Kosovës, Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Këta studentë kanë nevojë për ne, për përkrahje morale dhe më shumë, por jo që të hyjmë në mesin e tyre për t’ua ndërruar kahen lëvizjes, siç ka ndodhur shpesh më parë.
Kauza e studentëve tanë është fisnike. Le t’u japim krahë me të gjitha mjetet paqësore që kemi në dispozicion.