Lamtumirë patriotit të orëve të hershme, rugovistit të devotshëm dhe mikut tonë të çmuar.
Ka lajme që të godasin rëndë në shpirt. Ka njerëz, ikja e të cilëve lë boshllëk jo vetëm në familje, por edhe në zemrat e miqve, bashkëveprimtarëve dhe të gjithë atyre që i njohën nga afër. I tillë ishte edhe Hafiz Gagica, patriot i orëve të hershme, rugovist i palëkundur dhe veprimtar i përkushtuar i çështjes kombëtare.
Hafizin e njoha për herë të parë përmes mikut tim të dashur, Enver Seferi. Që në takimin e parë, ai të linte përshtypjen e një njeriu të urtë, të afërt dhe jashtëzakonisht fisnik. Nuk kishte nevojë për shumë fjalë për ta kuptuar se kishe përballë një burrë me ideale të mëdha, me zemër të pastër dhe me dashuri të pashtershme për Kosovën dhe kombin.
Më pas, rrugët tona u bashkuan edhe më shumë gjatë aktivitetit të përbashkët në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ishte kohë sfidash, kohë organizimesh dhe sakrificash, sidomos në diasporë, ku zëri i Kosovës duhej të dëgjohej fuqishëm. Hafiz Gagica ishte ndër ata njerëz që nuk kursente as kohën, as mundin, as energjinë për të mirën e atdheut.
Si kryetar i LDK-së për diasporën në Europë,Kanada dhe Australi, ai mbeti gjithmonë një urë lidhëse mes mërgatës dhe Kosovës. Punonte me përkushtim, me urtësi dhe me një besnikëri të rrallë ndaj frymës rugoviane. Për të, politika nuk ishte interes personal, por mision kombëtar. Ishte njeri i fjalës, i besës dhe i respektit.
Hafizi kishte virtytin e rrallë që edhe në momentet më të vështira të ruante qetësinë dhe dinjitetin. Nuk e ngriti kurrë zërin për veten, por gjithmonë për çështjen kombëtare. Ishte shembull i njeriut që punoi në heshtje, pa kërkuar lavdi, por duke lënë gjurmë të pashlyeshme te të gjithë ata që bashkëpunuan me të.
Sot, kur ai nuk është më fizikisht mes nesh, kujtimet për të mbeten të gjalla. Do të na mungojë buzëqeshja e tij e sinqertë, fjala e urtë, përkushtimi dhe shpirti i tij fisnik. Do të na mungojë ai burrë i qetë që e deshi Kosovën pa zhurmë, por me gjithë qenien e tij.
Ndarja nga jeta e Hafiz Gagicës është humbje për familjen, miqtë dhe bashkëveprimtarët, por edhe për gjithë komunitetin shqiptar në diasporë që pati fatin ta ketë pranë. Emri dhe kontributi i tij do të mbeten të respektuara ndër breza.
Lamtumirë, miku ynë i çmuar!
Pushofsh në paqe, Hafiz Gagica.
Kujtimi për ty do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona.