Bekim Sejdiu, kandidat që i përmbush kriteret për President

Opinione

Bekim Sejdiu, kandidat që i përmbush kriteret për President

Skënder Sadri Kapiti Nga Skënder Sadri Kapiti Më 1 shtator 2026 Në ora: 09:26
Bekim Sejdiu

Para disa ditësh, gazeta më e madhe gjithshqiptare “Bota Sot” më ka botuar një shkrim timin me titull “Si dhe kush duhet të jetë President i Kosovës”, ku unë kisha renditur 6 kriteret që duhet të plotësojë kandidatura e Presidentit të Kosovës. Unë jam analist, shkrimtar, publicist dhe opinionist nga Shqipëria, por informacionet reale dhe të vërteta mbi zhvillimet në Kosovë i marr nga gazeta “Bota Sot”, e cila, kur dilte në letër, ishte gazeta më e kërkuar edhe në Shqipëri.

Kjo gazetë ka meritën e veçantë se ajo ka dhënë dhe jep kontributin e saj kombëtar për informimin e mirë dhe të saktë të publikut, në emancipimin e kulturës mediatike dhe për lirinë e mendimit; si media që mbështet dhe promovon drejtësinë dhe sundimin e ligjit, të shtetit ligjor dhe atij demokratiko-modern, mirëfunksional.

Stafi gazetaresk i kësaj gazete interviston personalitete të mirëfillta intelektuale, patriotike dhe akademike nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga diaspora. Duke qenë se Kosova ka disa vite që ndodhet në udhëkryq institucional, sidomos për zgjedhjen e Presidentit, dhe ashtu si çdo shqiptar që ia do të mirën Kombit dhe Kosovës, i pata kërkuar LDK-së së Kosovës që të marrë përgjegjësinë e madhe kombëtare për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, për zgjidhjen e krizës institucionale dhe për ta vënë në funksionim demokracinë. Te “Bota Sot” shkrova kriteret që duhet të plotësojë Presidenti i Kosovës, cilësi këto që gjenden të mishëruara te kandidati i propozuar nga LVV-LDK, z. Bekim Sejdiu:

“1. Njeri me personalitet, dinjitet dhe me integritet të lartë, i cili nuk është dhe nuk ka as të kaluar politike, as karrierë, as trashëgimi të ndotur nga e kaluara, korrupsioni, hajdutëria dhe tradhtia.

Duhet të jetë intelektual i mirëfilltë, i aftë dhe i mirëarsimuar, me kulturë dhe me edukatë patriotike, si dhe me kulturë demokratike e juridike.

Duhet të jetë i guximshëm për të zbatuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe i pashantazhueshëm nga politika, pra duhet të jetë mbi politikën.

Duhet të jetë i besueshëm dhe të garantojë punën si shërbëtor i kombit, shtetit dhe qytetarëve të Republikës.

Duhet të jetë dhe të sillet realisht si simbol i unitetit kombëtar.

Duhet të jetë individ i cili të parën ta ketë Kosovën dhe interesin kombëtar.

Nuk duhet të vijë nga politika dhe as nga partitë politike, sepse një president i tillë gjithmonë sillet si noter i kryeministrit, siç kanë qenë të gjithë presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat