Sigurimi i ujit të pijshëm në Preshevë – një problem mbi të gjitha problemet!

Opinione

Sigurimi i ujit të pijshëm në Preshevë – një problem mbi të gjitha problemet!

Nga: Nehat Hyseni Më: 2 shtator 2026 Në ora: 22:10
Nehat Hyseni

Një nevojë elementare po shndërrohet në problem historik!

Furnizimi me ujë të pijshëm i qytetit dhe i fshatrave të Komunës së Preshevës është një nga problemet më të vjetra, më të ndërlikuara dhe më të patrajtuara me seriozitetin e nevojshëm nga institucionet lokale. Nuk bëhet fjalë për një problem të shfaqur sot, as për një krizë të përkohshme sezonale. Bëhet fjalë për një çështje që është zvarritur për dekada, ndërsa nevoja për ujë është rritur paralelisht me shtimin e popullsisë, zgjerimin urban, zhvillimin e ekonomisë familjare dhe ndryshimet klimatike.

Në kushtet e sotme, mungesa e ujit të pijshëm nuk mund të trajtohet më si një shqetësim i zakonshëm komunal. Ajo është shndërruar në çështje të sigurisë së furnizimit, shëndetit publik, dinjitetit qytetar, zhvillimit ekonomik dhe besimit në institucionet lokale.

Qyteti i Preshevës dhe një pjesë e konsiderueshme e fshatrave vazhdojnë të përballen me mungesë ose furnizim të parregullt me ujë, ndërsa gjatë muajve të verës situata rëndohet edhe më shumë. Për qytetarin e zakonshëm, kjo do të thotë se një nga nevojat më elementare të jetës së përditshme mbetet e pasigurt.

Pyetja që duhet bërë sot nuk është më vetëm: Pse nuk ka ujë të mjaftueshëm?

Pyetja themelore është: Si është e mundur që pas kaq shumë dekadash, në shekullin XXI, një komunë e vendosur në një hapësirë me burime ujore dhe me potencial të konsiderueshëm zhvillimor ende nuk ka arritur të ndërtojë një sistem të sigurt dhe afatgjatë të furnizimit me ujë të pijshëm? Përgjigjja kërkon të shkojmë pas në histori.

Fillimet e ujësjellësit të Preshevës

Ujësjellësi i parë i qytetit të Preshevës u projektua dhe u realizua në vitin 1966, në një periudhë kur qyteti kishte një numër shumë më të vogël banorësh dhe kërkesat për ujë ishin dukshëm më të ulëta se sot.

Sipas dëshmive dhe kujtesës institucionale lokale, projektues i këtij ujësjellësi ishte tekniku i ndërtimtarisë Qenan Shaipi, atëherë vetëm 18-vjeçar, i cili sapo ishte punësuar në administratën komunale. Në të njëjtën periudhë ai ishte angazhuar edhe në hartimin e Planit të parë Urbanistik të qytetit.

Ky fakt është domethënës jo vetëm për historinë e infrastrukturës së Preshevës, por edhe për mënyrën se si një gjeneratë e re profesionistësh përpiqej të mendonte të ardhmen e qytetit.

Mirëpo, çdo infrastrukturë ka një kufi kapaciteti.

Presheva u rrit. U zgjerua zona urbane. U shtua numri i familjeve dhe i konsumatorëve. U zhvilluan shërbimet, institucionet dhe aktivitetet ekonomike. Sistemi fillestar i ujësjellësit nuk mund të përballonte më kërkesat në rritje.

Kështu, problemi i ujit filloi të marrë karakter strukturor.

Projekti i madh i vitit 1979 – një

mundësi historike e humbur!

Në vitin 1979, gjatë kohës kur kryetar i Komunës së Preshevës ishte Abedin Selimi, u hartua dhe u miratua një projekt shumë më ambicioz për furnizimin me ujë të pijshëm.

Projekti parashihte përfshirjen e disa vendbanimeve: Preshevën, Miratocin, Tërnavën dhe Norçën. Burimi kryesor i furnizimit ishte paraparë lumi “Bajka” i Miratocit, i cili, sipas vlerësimeve të atëhershme, kishte kapacitet rreth 30 litra në sekondë.

Projekti parashihte gjithashtu ndërtimin e një rezervuari mbi fshatin Miratoc, i cili do të mundësonte furnizimin me rënie të lirë, duke shmangur në masë të madhe nevojën për sisteme të kushtueshme pompimi.

Pra, nga këndvështrimi teknik dhe ekonomik, ideja kishte një logjikë të qartë: sigurimi i një burimi të qëndrueshëm, ndërtimi i rezervuarit në një kuotë të përshtatshme dhe shpërndarja e ujit në vendbanimet e përfshira në projekt.

Më e rëndësishmja është se, sipas kujtesës time dhe dëshmive lokale, projekti ishte përgatitur dhe mjetet për realizimin e tij ishin siguruar.

Megjithatë, ai nuk u realizua!

Kur propaganda e mposht interesin publik!

Dështimi i projektit të vitit 1979 është një prej episodeve më të dhimbshme në historinë e infrastrukturës së Preshevës.

Sipas dëshmive të kohës të përcjella në kujtesën lokale, kundër projektit u përhap një propagandë që synonte të krijonte frikë te banorët e Miratocit. U përhap pretendimi se marrja e ujit për furnizimin e Preshevës dhe vendbanimeve të tjera do ta linte fshatin pa ujë për ujitjen e arave dhe kopshteve.

Në këtë klimë u mobilizua një pjesë e madhe e popullsisë së fshatit. Sipas dëshmive të ruajtura nga ajo periudhë, banorët dolën përpara ekipit komunal dhe projektit iu kundërvunë në mënyrë të ashpër, duke përfshirë sharje, kërcënime dhe konfrontime fizike.

Përhapja e një narrative të tillë, pavarësisht nga burimi i saj, tregoi se mungesa e transparencës, keqinformimi dhe instrumentalizimi i frikës qytetare mund të bëhen pengesa serioze për projekte që kanë karakter publik dhe strategjik. Ekzistonte bindja se pas kësaj fushate qëndronin qarqe të sigurimit shtetëror serb të kohës!

Por, pavarësisht se kush e nxiti kundërshtimin, pasoja konkrete ishte e njëjtë: projekti dështoi!

Dhe çmimin e këtij dështimi e paguan qytetarët.

Zgjidhja alternative

Pas dështimit të projektit të Miratocit, udhëheqja komunale vendosi që mjetet e planifikuara të orientoheshin drejt realizimit të një projekti tjetër të ujësjellësit, në fshatin Zhunicë.

Ky sistem e zgjidhi pjesërisht problemin e furnizimit, por krijoi një problem tjetër: koston e lartë të eksploatimit!

Një pjesë e konsiderueshme e ujit duhet të shtyhet përmes pompave në një distancë prej disa kilometrash. Kjo kërkon konsum të lartë të energjisë elektrike dhe mirëmbajtje të vazhdueshme të pajisjeve. Për më tepër, prishjet e pompave dhe pajisjeve teknike shkaktojnë shpenzime të konsiderueshme.

Në këtë mënyrë, sistemi krijon një barrë financiare të vazhdueshme për Ndërmarrjen publike komunale “Moravica”, e cila ka përgjegjësinë për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.

Këtu del në pah një parim themelor i politikave publike: Një projekt nuk duhet të vlerësohet vetëm sipas kostos së ndërtimit, por edhe sipas kostos së tij të përhershme të funksionimit.

Një infrastrukturë mund të jetë teknikisht funksionale, por ekonomikisht e paqëndrueshme.

Përpjekjet pas vitit 1992

Pas vitit 1992, gjatë periudhës së qeverisjes komunale të kryesuar nga Riza Halimi, u ndërmorën disa hapa për rritjen e kapaciteteve të ujit.

U realizuan shpime në lokacionin “Toplik” dhe u bënë disa investime në burime e ujëmbledhës të ndryshëm. Këto ndërhyrje patën një efekt të caktuar në zbutjen e problemit, por nuk e zgjidhën atë në mënyrë strukturore.

Problemi kryesor ishte se ndërhyrjet nuk u shndërruan në një strategji shumëvjeçare për furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Në dekadat që pasuan, kërkesa vazhdoi të rritej, ndërsa infrastruktura mbeti prapa nevojave.

Një problem që u shty nga një

mandat në tjetrin!

Në një vlerësim kritik të qeverisjes lokale gjatë dekadave të fundit, duhet thënë se problemi i ujit nuk mund t’i atribuohet vetëm një administrate. Ai është rezultat i një akumulimi institucional të moszgjidhjes.

Përgjegjësia politike duhet të ndahet sipas periudhave dhe vendimeve konkrete.

Nëse një projekt strategjik nuk realizohet, duhet të dihet pse. Nëse një burim ekziston, duhet të dihet pse nuk shfrytëzohet. Nëse një investim bëhet, duhet të dihet sa kushton mirëmbajtja e tij. Nëse ndërmarrja publike pëson humbje nga një sistem i caktuar, duhet të dihet se çfarë alternative është analizuar. Nëse qytetarët vazhdojnë të mbeten pa ujë, duhen të ketë përgjegjësi institucionale dhe politike për moszgjidhjen e këtij problemi.

Prandaj, nuk mjafton më që problemi të rikthehet në çdo fushatë zgjedhore.

Uji duhet të largohet nga logjika e premtimeve elektorale dhe të futet në logjikën e projekteve strategjike!

Gjendja e sotme – nga mungesa sezonale

në krizë të përsëritur

Sot problemi është bërë edhe më shqetësues. Rritja e konsumit, zgjerimi i qytetit, amortizimi i rrjetit, humbjet teknike të ujit, kapacitetet e kufizuara të burimeve dhe presioni i shtuar gjatë muajve të verës krijojnë një situatë në të cilën furnizimi nuk mund të konsiderohet i sigurt.

Për qytetarët kjo përkthehet në ndërprerje, presion të ulët, furnizim të pamjaftueshëm dhe pasiguri.

Në shekullin XXI, kjo nuk mund të konsiderohet normale. Uji i pijshëm është e mirë publike dhe infrastrukturë kritike.

Klima e re kërkon një qasje të re

Problemi nuk mund të analizohet më vetëm me parametrat e viteve 1970, 1980 apo 1990.

Ndryshimet klimatike kanë sjellë periudha më të gjata të temperaturave të larta, reshje më të parregullta dhe presion më të madh mbi burimet ujore.

Kjo do të thotë se çdo projekt i ri duhet të projektohet jo vetëm për nevojat e sotme, por së paku për 20–30 vitet e ardhshme.

Një komunë që ndërton sot një sistem ujësjellësi duhet të pyesë:

● Sa banorë do të ketë Presheva pas 20 vjetësh?

● Sa ujë do të kërkojë qyteti?

● Sa do të jetë konsumi gjatë verës?

● Sa ujë humbet aktualisht në rrjet?

● Cilat burime janë të sigurta gjatë periudhave të thata?

● Çfarë kapaciteti rezervë duhet të ekzistojë?

Pa këto përgjigje, çdo investim rrezikon të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme.

Zgjidhja emergjente: burimet shtesë dhe puset

Në kushtet aktuale, Presheva ka nevojë për një plan emergjent, paralelisht me projektin afatgjatë. Një nga mundësitë që duhet të shqyrtohet teknikisht është hapja e puseve të reja dhe vlerësimi i burimeve/krojeve rrjedhëse në pjesën malore të Norçës.

Sipas vlerësimeve lokale këto ndërhyrje mund të siguronin rreth 15–20 litra ujë në sekondë, kapacitet që do të mund të ndihmonte ndjeshëm në zbutjen e krizës për disa vite.

Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm:

15–20 litra/sekondë nuk duhet të deklarohen si kapacitet i garantuar pa studim hidrogjeologjik!

Prandaj, hapi i parë duhet të jetë matja profesionale e kapacitetit të burimeve, cilësisë së ujit dhe qëndrueshmërisë së tyre sezonale.

Nëse rezultatet konfirmojnë potencialin e parashikuar, investimi duhet të realizohet me urgjencë.

Një fond fillestar prej rreth 50.000 eurosh – zgjidhje apo vetëm fillim?

Është hedhur ideja se me rreth 50.000 euro, të siguruara përmes rishikimit të buxhetit komunal, mund të realizohen disa nga këto ndërhyrje emergjente. Kjo mund të jetë një mundësi reale për një fazë të parë, por jo domosdoshmërisht për zgjidhjen përfundimtare të problemit.

Çdo pretendim financiar duhet të mbështetet në një paramasë dhe parallogari profesionale.

Në vend të pyetjes “A mjaftojnë 50.000 euro?”, pyetja duhet të jetë: Sa kushton realisht ndërhyrja emergjente dhe sa kushton mosndërhyrja?

Nëse një investim relativisht i vogël mund të sigurojë kapacitet shtesë për mijëra qytetarë dhe të reduktojë presionin mbi sistemin ekzistues, atëherë ai duhet të trajtohet si prioritet.

Preshevës i duhet një projekt i ri strategjik!

Puset e reja mund ta zbusin krizën. Burimet e Norçës mund të ndihmojnë. Riparimi i rrjetit mund të reduktojë humbjet. Por asnjëra prej tyre, e vetme, nuk duhet të paraqitet si zgjidhje përfundimtare.

Preshevës i duhet një Masterplan për ujin 2026–2050, që duhet të përmbajë inventarizimin e plotë të burimeve

Të evidentohen të gjitha burimet, puset, krojet, ujëmbledhësit dhe potencialet ujore të territorit të komunës. Për secilin burim duhet të përcaktohen:

● kapaciteti;

● cilësia;

● qëndrueshmëria sezonale;

● kostoja e shfrytëzimit;

● mundësia e lidhjes me rrjetin qendror.

Duhet të bëhet një auditim profesional i të gjithë rrjetit. Duhet të dihet saktësisht:

Sa ujë prodhohet?

Sa ujë shpërndahet?

Sa ujë faturohet?

Sa ujë humbet?

Pa këto të dhëna, është e pamundur të menaxhohet racionalisht sistemi. Nëse rrjeti ka humbje të mëdha, prodhimi i ujit shtesë nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë.

Shpesh, uji më i lirë është ai që nuk humbet në rrjet.

Prandaj duhet të ndërhyhet në:

● tubacionet e amortizuara;

● rrjedhjet;

● matësit;

● lidhjet ilegale;

● presionin e rrjetit;

● zonat me humbje të larta.

Presheva duhet të ketë kapacitete rezervë që mund të përballojnë ndërprerjet e burimeve ose kërkesën e shtuar gjatë verës. Rezervuarët duhet të planifikohen sipas nevojave reale të qytetit dhe fshatrave.

Mësimi nga projekti i vitit 1979 është i qartë:

Graviteti është aleat i infrastrukturës ujore!

Duhet siguruar ujë me rëndësi të lirë!

Aty ku terreni e mundëson, duhet të favorizohen sistemet me rënie të lirë, sepse zvogëlojnë shpenzimet e energjisë dhe kostot e mirëmbajtjes.

Qyteti dhe fshatrat duhet të trajtohen

si një sistem i vetëm

Një gabim i politikës komunale do të ishte që problemi të ndahej në: “Uji i qytetit” dhe “uji i fshatrave”. Presheva ka nevojë për një sistem të integruar rajonal komunal të furnizimit me ujë.

Qyteti duhet të ketë furnizim të sigurt, por edhe fshatrat duhet të kenë të drejtën për ujë të pijshëm të kontrolluar dhe të qëndrueshëm.

Miratoci, Tërnava, Norça dhe fshatrat e tjera nuk duhet të mbeten jashtë strategjisë së ujit.

Transparenca – kushti i parë

për të rikthyer besimin

Historia e gjatë e dështimeve ka krijuar edhe një problem tjetër: mosbesimin e qytetarëve. Prandaj, çdo projekt i ri duhet të jetë transparent!

Komuna duhet të publikojë:

● studimin e fizibilitetit;

● projektin teknik;

● burimin e financimit;

● vlerën e investimit;

● kompaninë zbatuese;

● afatet;

● kostot e mirëmbajtjes;

● kapacitetin e pritshëm;

● rezultatet e analizave të ujit.

Qytetari nuk duhet të jetë vetëm pagues i faturës. Ai duhet të jetë pjesëmarrës dhe përfitues i informuar i projektit publik.

Financimi – nga buxheti lokal dhe

partneriteti euroatlantik

Një projekt serioz i ujit nuk duhet të financohet vetëm nga buxheti i Komunës së Preshevës.

Duhet të krijohet një paketë financiare e kombinuar:

Buxheti komunal + Republika e Serbisë + fo

ndet evropiane + programet ndërkufitare + donatorët ndërkombëtarë + partneritetet institucionale.

Presheva duhet ta paraqesë problemin e ujit si një projekt të infrastrukturës kritike dhe të zhvillimit lokal, jo si një kërkesë të zakonshme buxhetore.

Nëse projekti përgatitet sipas standardeve të BE-së, me studim fizibiliteti, analizë kosto-përfitim, vlerësim mjedisor dhe plan të qëndrueshëm financiar, mund të kërkohen burime shumë më të mëdha se ato që mund të sigurojë vetë komuna.

Një marrëveshje politike lokale për ujin

Ndoshta më e rëndësishmja është që uji të mos mbetet peng i ndryshimit të pushteteve. Preshevës i duhet një Marrëveshje politike dhe qytetare për ujin.

Të gjitha subjektet politike lokale duhet të pajtohen për disa objektiva themelore:

1. Uji i pijshëm është prioriteti numër një.

2. Projekti duhet të jetë shumëvjeçar.

3. Ndryshimi i pushtetit nuk e ndryshon projektin.

4. Çdo investim duhet të jetë teknikisht dhe ekonomikisht i verifikueshëm.

5. Qytetarët duhet të informohen rregullisht.

6. Fshatrat duhet të përfshihen në të njëjtën strategji.

7. Çdo burim financiar duhet të menaxhohet transparentisht.

Vetëm kështu mund të ndërpritet cikli:

premtim → projekt → vonesë → harresë → premtim i ri.

Përfundim

Historia e ujit të pijshëm në Preshevë është histori e projekteve të nisura, mundësive të humbura, investimeve të pamjaftueshme dhe vendimeve që shpesh kanë qenë më shumë afatshkurtra sesa strategjike.

Nga ujësjellësi i parë i vitit 1966, te projekti i rëndësishëm i vitit 1979, nga sistemi i Zhunicës te shpimet në Toplik dhe ndërhyrjet e tjera, qyteti ka kaluar nëpër shumë etapa, por ende nuk e ka fituar sigurinë e furnizimit me ujë.

Kjo duhet të marrë fund, sepse uji nuk është luks, as nuk është privilegj: uji është kusht themelor i jetës dhe i zhvillimit!

Një komunë nuk mund të flasë seriozisht për zhvillim ekonomik, investime, industri, turizëm, bujqësi, arsim apo standard evropian të jetesës, nëse qytetari nuk e di nëse nesër do të ketë ujë të pijshëm në rubinet.

Prandaj, Presheva duhet ta trajtojë çështjen e ujit si një projekt kombëtar të komunitetit lokal, me përgjegjësi institucionale, ekspertizë profesionale dhe mbështetje të partnerëve vendorë e ndërkombëtarë.

Nuk mjafton të hapen edhe disa puse. Nuk mjafton të riparohet një tubacion. Sepse këto janë masa emergjente. Kurse zgjidhja e vërtetë është krijimi i një sistemi modern, të integruar, ekonomikisht të qëndrueshëm dhe të mbrojtur nga rreziqet klimatike, i cili garanton ujë të pijshëm për qytetin dhe fshatrat e Preshevës.

Në këtë drejtim, propozimi për shfrytëzimin e burimeve të reja, përfshirë potencialin e zonës së Norçës, meriton të testohet menjëherë me metoda profesionale. Nëse studimet konfirmojnë kapacitetet e pritshme, ndërhyrja duhet të fillojë pa vonesë. Por paralelisht duhet të hartohet një projekti i madh.

Presheva duhet të kalojë nga menaxhimi i krizës së ujit te menaxhimi strategjik i ujit!

Kjo do të ishte një nga investimet më të rëndësishme që mund t’i bëhej qytetit të Preshevës dhe fshatrave të tij.

Dhe suksesi i tij nuk duhet të matet me numrin e projekteve të shpallura, me fotografitë e zyrtarëve në terren apo me shumën e parave të shpenzuara. Duhet të matet me një kriter shumë më të thjeshtë:

A ka ujë të pijshëm në rubinetin e qytetarit – çdo ditë, në çdo stinë dhe me cilësi të garantuar? Nëse përgjigjja është po, atëherë projekti ka pasur sukses.

Nëse përgjigjja vazhdon të jetë jo, atëherë pas disa dekadash duhet të kemi guximin të pranojmë se problemi nuk ka qenë mungesa e ideve, por mungesa e vendimmarrjes strategjike, vazhdimësisë institucionale dhe përgjegjësisë politike për ta përfunduar zgjidhjen.

Sepse, Presheva nuk ka nevojë për një tjetër premtim, por ka nevojë për ujë!

Prishtinë, 3 shtator 2026

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat