Të mërkurën, më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë shpalli vendimin për dënimin e katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në atë vendim u shqiptuan 81 vite heqje lirie për të katërt, ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e parlamentit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish- deputetin, Rexhep Selimi. Ky i fundit u dënua 13 vite, zoti Veseli 18 vite, ndërsa zoti Thaçi dhe zoti Krasniqi me nga 25 vite. Vendim-dënimi ishte i paimagjinueshëm, jo racional, jo logjik, jo balancues. Nuk jam nga ata që kërkoj balancim me dënimet që u janë dhënë kriminelëve serbë, sepse kjo do të thoshte që ta përligjnim atë dënim që u dha të mërkurën. Por i pabalancuar për shkallën e fajit. I pabalancuar edhe sa i përket masës së dënimit, psh të zotit Thaçi dhe zotit Krasniqi.
Ndërkohë ndër ne shqiptarët ka shpërthyer, si gjithnjë, zemërimi dhe reagimi ndaj këtyre vendimeve. Në Kosovë u sulmuan me gurë dhe mjete të forta zyrat e EULEX-it, të cilat shihen si përgjegjëse për hetimin e krimeve që u shqiptuan në Hagë. U sulmua edhe godina e kryeministrisë gjithashtu dhe ende nuk e di njeri se cila ishte arsyeja e këtij sulmi. Ndërsa Serbia dhe Beogradi shihnin me ngazëllim se si përçahen shqiptarët! Në Hagë ishin familjarët, sjellja e të cilëve duhet vlerësuar si korrekte dhe dinjitoze. Kurse politikanët në Kosovë e në Shqipëri bënë deklarata patetike e krejt pa vlerë kundër vendimit. Parlamenti i Shqipërisë miratoi një deklraratë, e cila askujt nuk i hyn në punë. Pati politikanë që u dukën të dëshpruar. Taulant Balla psh derdhi lotë. Ndërsa kryeministri Rama bëri një deklaratë as mish e as peshk. Thjesht u shpreh se ishte tejet i dëshpruar për vendimin e Hagës.
Të gjithë ata që folën dhe bënë deklratat ishin hipokritë. Disa edhe të pabesë. Pabesia është në anën e socialistëve, të cilët e dinë të vërtetën, që vetë e injektuan te krerët e UÇK-së në vitet e luftës. Psh ish-kryeministri Majko tha se ishte i rënduar dhe se tani e tutje do ta forcojë edhe më shumë miqësinë me Hashim Thaçin. Kërkoi gjithashtu unitet dhe bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Kosovës. Hipokrizi totale! Unitetin e ka rrënuar dhe përçarjen e ka ndërtuar vetë shefi i Majkos në parti e në qeveri. Po nuk guxon Pandi t’ia thotë këtë Edi Ramës.
Hashim Thaçin e çuan në Hagë dy faktorë: - Faktori Klosi-Mejdani që e frymëzuan dhe e udhëzuan atë për të luftuar jo vetëm për çlirimin e Kosovës, por edhe për pushtetin e tij pas luftës. Në Rogner dhe te Vila 30 e diktatorit Hoxha u krijua e ashtuquajtura qeveri e përkohshme me kryeministër Hashim Thaçi. Ndërkohë që Kosova e kishte parlamentin, qeverinë dhe presidentin e saj. Por dëshira e socialistëve për t’i zhbërë Ibrahim Rugovën dhe institucionet e tij bënë që Thaçit t’i ofronin përvojën enveriste të luftës për pushtet. Në thelb vendimi i Gjykatës ishte dëshmi e kësaj logjike të imponuar te Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, kur bisedohej në prezencë të Rexhep Qosjes te Vila 30 në Bllokun ish-komunist të Tiranës. Paskal Milo dhe i ndjeri Sabri Godo kanë qenë dëshmitarë të kësaj. Pandi ishte kryeministër asokohe dhe e di këtë fakt. Tani thotë se qenka i rënduar.
Së dyti, duhet akuzuar Edi Rama për atë që ndodhi të mërkurën në Hagë. Por hipokrizia nuk paska kufij. Në deklaratat e socialistëve gjen mllef dhe zemërim kundër Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, por nuk shfaqet një zemërim i tillë kundër Serbisë dhe Rusisë, të cilat ndërtuan gjithë narrativën e kësaj gjykate. Hipokrizi e tejskajtë edhe kjo. Së paku Edi Rama u detyrohej Hashim Thaçit dhe tre komandantëve të tjerë një ndjesë për dënimin që morën. Sepse ishte kryeministri i Shqipërisë, i cili në përpjekje për të përmbushur dëshirën e mikut të tij, Aleksandër Vuçiq, dhe për t’u rënë në sy ndërkombëtarëve, shkoi në Prishtinë dhe bëri presion për ngritjen e asaj gjykate. E pranoj, mundet që Dhomat e Specializuara në Hagë të ngriheshin edhe pa “ndihmën” e Edi Ramës. Por derisa ai u investua direkt në këtë mision anti-shqiptar, së paku do të duhej të kërkonte një ndjesë publike.
Megjithatë janë hipokritët ata që jo vetëm derdhin lotë krokodili. Dhe janë po këta që imponojnë sjelljen e shqiptarëve edhe në ditë fatkeqësie. Pikërisht kjo ndodhi këto ditë. Ata që krijuan Gjykatën Speciale, pikërisht ata bëjnë deklarime “miqësie e dashurie” për Hashim Thaçin. Ata që nuk guxojnë të votojnë një rezolutë kundër genocidit serb në Kosovë, gjejnë komoditetin e nevojshëm për të luftuar me mullinjtë e erës në Hagë. Ata që e krijuan këtë Gjykatë e Prokurori Speciale, pikërisht këta po bëjnë thirrje për ta revokar atë. Po si do të revokohet? Me votat e 2/3 e parlamentit të Kosovës? Kjo nuk bëhet, sepse duhen edhe 2/3 e votave të deputetëve që përfaqësojnë minoritetin serb dhe minoritetet e tjera në Kosovë. Kështu është kushtetuta e Kosovës dhe këta hipokritët e Tiranës më së shumti e pak prej tyre në Kosovë, e dinë këtë fakt. Megjithatë e vazhdojnë mashtrimin e radhës, duke u hequr si “patriotë” që nuk pajtohen me themelimin e këtij tribunali. Hipokrizi gjeometrike, në katëror e madje në kub. Kushtetuta e Kosovës do të ndryshojë në dobi të vendit e qytetarëve vetëm atëherë kur shqiptarët të ngrihen në kryengritje për të krijuar Republikën e Re, pa dispozita që e bëjnë Serbinë hisedare në qeverisjen e vendit!
Ndërkohë hipokritët po na e zenë frymën. Ata po na e orientojnë energjinë tonë në drejtim të paditur, në rastin më të mirë në drejtimin e gabuar. Qëllimi është të mos vihet në shënjestër dhuna, masakrat dhe genocidi serb në Kosovë. Të anashkalohet fakti se Serbia ka kryer genociiiiid, e përsëris GENOCIIIID, kundër shqiptarëve në Kosovë. Këtë duhet ta kuptojë Pandeli Majko, sepse Edi dhe Balla janë në rol! Ndërkaq që tani mbetet vetëm një mundësi: - Ta kuptojmë përfundimisht se përçarja na bën të dobët dhe të dështuar! Këtë përçarje e stisi Edi Rama! Ndërsa opozita dhe pozita në Kosovë kanë tagrin që t’i thonë kryeministrit të Shqipërisë të “rrijë në shtëpinë e vet” e të mos përzihet në punët e Kosovës. Nga ky moment Kosova e krijon bashkimin e vet politik dhe nuk ka forcë në botë që ta pengojë atë në rrugën e shtetësisë së plotë! Sa kohë do të thonë “Shqipëria mëmë”, e në pak raste tjera të thonë “Shqipëria nënë”, aq kohë Kosova do të humb në misionin për të cilin luftoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e saj!