Të kanë ardhur hijenat njëra pas tjetrës. Ato ndryshojnë fytyrat, kostumet, flamujt, parullat… por oreksi i tyre i panginjur dhe shikimi me sytë çapëlyer mbetet po ai. Ata flasin për atdheun me dorën mbi zemër, ndërsa dorën tjetër e kanë futur në xhepat e tu, në trupin tënd. Të premtojnë mirëqenie, drejtësi, zhvillim e prosperitet, ndërsa qytetari i zakonshëm ende pyet veten se si do ta mbyllë muajin.
Ku je, o poet i Vlorës, Ali Asllani? Ku je që të shohësh se sa pak kanë ndryshuar gjërat që të detyruan dikur të ulërasësh në vargje? Sot ndoshta nuk do të kishe nevojë të shkruaje një tjetër “Hakërrimë“. Por mbase do të mjaftonte të shihje përreth dhe të dëgjoje zërat e njerëzve, të shihje pasuritë e grabitura që grumbullohen në njërën anë nga një pakicë e vogël zullumqaresh dhe hallet e shumta që shtohen në anën tjetër në kurriz të një populli.
E dëgjon, Shqipëri?
Është jehona e një kumti të vjetër që nuk po shuhet. Është zëri i pensionistit që numëron qindarkat para se të shkojë në farmaci. Është zëri i të riut që sheh aeroportin si rrugë shpëtimi. Është zëri i prindit që përcjell fëmijën dhe nuk di kur do ta kthejë përsëri në shtëpi. Është zëri i fshatit që zbrazet, i familjeve që shpërndahen, i njerëzve që punojnë gjithë jetën dhe përsëri ndihen të pasigurt për të nesërmen.
Ndërkohë, lart, vazhdon festa qeveritare me ballo zengjinësh e plaçkitësish të Shqipërisë; me fjalime, inaugurime, shirita të prerë, fotografi, duartrokitje. Dhe popullit i thuhet: Duroni! Pritni! Gjërat po ndryshojnë!
Po, gjërat ndryshojnë. Ndërrohen emrat, sloganet, partitë, partiçkat, pushtetet, kostumet. Por pyetja mbetet e njëjtë: Çfarë po ndryshon në jetën e njeriut të zakonshëm?
Sepse Shqipëra nuk janë kullat që ngrihen në qiell dhe as fasadat që shkëlqejnë, apo shifrat e bukura që prodhon propaganda në ekranet televizive. Shqipëria e vërtetë është njeriun që jeton brenda saj. Me pensionistin. Me mësuesin. Me fermerin. Me punëtorin. Me sipërmarrësin e vogël. Me të riun që kërkon një arsye për të qëndruar.
Këtu, Ali Asllani, “Hakërrima“ jote bëhet edhe më e dhimbshme dhe tronditëse. Vargjet e tua nuk kanë mbetur në të kaluarën, ato vazhdojnë të trokasin në ndërgjegjen e një vendi që ka parë shumë, ka duruar shumë dhe ka harruar shumë.
Një popull mund të durojë varfërinë, mund të durojë vështirësinë, mund të durojë edhe zhgënjimin, por asesi nuk duhet të pranojë kurrë poshtërimin. Shqipëria nuk është plaçkë dhe as pronë private. Ajo nuk është torta për t’u ndarë mes atyre që me dredhi e dinakëri kanë kapur majat e pushtetit dhe kanë arritur të ulen pranë tryezës. Shqipëria është shtëpia e të gjithëve.
Një ditë, kur të pushojnë fjalimet dhe të mbyllen kamerat, kur të mos ketë më duartrokitje dhe kur të mos vlejnë më sloganet, do të mbetet vetëm pyetja: Çfarë i lamë këtij vendi? Një Shqipëri më të drejtë apo më të lodhur? Më shumë dinjitet apo më shumë zhgënjim? Më shumë shpresë apo më shumë valixhe nëpër aeroporte?
Ehhh… moj Shqipëri!
Mos e kërko nëpër mugëtirë poetin vlonjat Ali Asllani. Ai ka ikur vetëm fizikisht, por fjala e tij është ende këtu. Është në vargjet që na djegin dhe zhurritin shpirtin e lodhur të çdo shqiptari që e ndjen dhe i thotë çdo çast vetes: SHQIPTAR. Është në pyetjet që nuk marrin përgjigje. Është në zemërimin e atij që nuk pranon të heshtë. Dhe mbi të gjitha, është në atë fjalë që vazhdon të tingëllojë si kambanë: HAKËRRIMË!
Ndoshta koha ka ndryshuar. Ndoshta edhe njerëzit kanë ndryshuar, por grabitqarët – hijena në kohët e sotme – kanë mësuar të vishen më bukur.
Por një gjë nuk ka ndryshuar: Shqipëria ende kërkon drejtësi. Për sa kohë kjo kërkesë do të mbetet pezull, “Hakërrima“ e Ali Asllanit nuk do të vjetërohet, por do të buçasë edhe më fort, do të vazhdojë të dëgjohet, duke na turpëruar të gjithëve pse nuk jemi ende në gjendje të mbrojmë nënoken tonë Shqipëri.
Janë vargjet e poetit që prej një shekulli vazhdon të na mbajë zgjuar dhe të ndezur si flakadanë “Hakërrimën”.
EHHH… MOJ SHQIPËRI!
Mos na thuaj nesër se nuk e dëgjove. Sepse këtë herë, nuk po flet vetëm poeti.
Po flet koha.
Tiranë - 25 shtator, 2026
