Ballkani i trazuar!..

Opinione

Ballkani i trazuar!..

Nga: Ismail Muçiqi Më: 22 tetor 2026 Në ora: 18:56
Ismail Muçiqi

Asnjëherë më parë, që nga Lufta e Dytë Botërore, siguria globale e planetit nuk ka qenë më e rrezikuar dhe më e destabilizuar sesa sot. Ka kohë që rendi botëror ka dalë nga binarët dhe pothuajse nuk ka mbetur asnjë shtet apo lider në botë që po kontribuon seriozisht për paqen dhe të ardhmen e njerëzimit.

Fuqitë e mëdha po luftojnë për interesat e tyre ekonomike, duke synuar kontrollin dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore të shteteve të ndryshme.

Mjerisht, Ballkani po vlon nga demonstratat, protestat dhe pakënaqësitë e popujve. Kështu, në Serbi po vazhdojnë protestat kundër pushtetit të Vuçiqit, ndërsa në Shqipëri rinia, studentët dhe forcat progresive intelektuale janë ngritur në këmbë, duke organizuar protesta gjithandej kundër qeverisë dhe pushtetit të Edi Ramës.

Situata e tensionuar ka kohë që është shfaqur edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa tendencat destabilizuese po reflektohen edhe në Republikën e Malit të Zi dhe më gjerë.

Republika e Kosovës, për shkak të politikës së gabuar të një pjese të klasës politike, ndodhet në një udhëkryq. Pas përfundimit të zgjedhjeve, partitë politike po vazhdojnë nga distanca me deklarata përçarëse, duke manifestuar tendenca destruktive për interesa të ngushta politike dhe karrieriste në garën për pushtet.

Kështu, edhe përkundër formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të fundit, disa rryma klanore që veprojnë fshehurazi nëpër parti politike po qëndrojnë kujdestare, duke dhënë deklarata të papërgjegjshme dhe duke u kërcënuar me protesta kundër institucioneve të shtetit.

Këto eksperimente politike që po i ndodhin Kosovës, përmes partive politike dhe deputetëve pa integritet, kanë shkaktuar dëme të mëdha për shtetin e Kosovës dhe, njëherësh, kanë ndikuar në përçarjen e qytetarëve anembanë vendit.

Zgjedhjet e fundit treguan fytyrën e vërtetë të shumë figurave politike që për vite me radhë kanë qenë pjesë e institucioneve shtetërore, duke vrapuar me çdo kusht për të marrë pozita dhe funksione publike, pavarësisht nëse u takojnë apo jo.

Kjo klasë politike nuk duket se është mjaftueshëm e vetëdijshme se Kosova vazhdon të jetë objekt i pretendimeve dhe politikave destabilizuese të Serbisë, të cilat synojnë dobësimin e shtetit të Kosovës.

Andaj, është koha që kjo klasë politike të vetëdijesohet sa më parë, duke kontribuar pozitivisht në stabilitetin e përgjithshëm të shtetit dhe duke u bërë pjesë e zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror dhe ekonomik të Republikës së Kosovës.

Çdo njeri i këtij vendi që pretendon të krijojë probleme për interesa grupore, klanore e partiake, duhet ta ketë të qartë përgjigjen: ai është kundër votës së lirë të qytetarëve të këtij vendi, të cilët gjatë zgjedhjeve treguan pjekuri dhe përgjegjësi për ta mbrojtur sistemin demokratik, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat