Zgjedhjet në Serbi dhe beteja e përbashkët e shqiptarëve për rritjen e përfaqësimit politik në Beograd

Opinione

Zgjedhjet në Serbi dhe beteja e përbashkët e shqiptarëve për rritjen e përfaqësimit politik në Beograd

Nga: Nehat Hyseni Më: 24 tetor 2026 Në ora: 17:24
Nehat Hyseni

Marrëveshja e arritur në Prishtinë, më 29 shtator 2026, ndërmjet tetë partive politike shqiptare për krijimin e një liste të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që mbahen më 25 tetor, përbën një zhvillim të rëndësishëm politik për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkatësisht të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Pritshmëritë tona janë që koalicioni i përbashkët shqiptar të sigurojë së paku dy deputetë në Kuvendin e Serbisë, ndërsa, në rrethanat më të favorshme zgjedhore, ekziston mundësia që përfaqësimi shqiptar të arrijë në tre deputetë. Kjo do të varet nga pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje, shpërndarja e votave dhe rezultati përfundimtar i subjekteve politike që garojnë.

Rëndësia e këtyre zgjedhjeve nuk duhet të matet vetëm me numrin e mandateve të fituara. Një përfaqësim më i madh shqiptar në Parlamentin e Serbisë do të kishte rëndësi politike, simbolike dhe institucionale.

Ai do ta bënte më të dukshme praninë politike të shqiptarëve në jetën publike të Serbisë, do t’i forconte mundësitë për artikulimin e kërkesave të tyre dhe do të shtonte përgjegjësinë e institucioneve shtetërore për respektimin e të drejtave të tyre.

Megjithatë, duhet të jemi realistë!

Dy apo tre deputetë shqiptarë në një parlament prej 250 anëtarësh nuk mund të ndryshojnë vetvetiu raportet politike në Serbi dhe as të prodhojnë rezultate të menjëhershme e të jashtëzakonshme.

Por, kur përfaqësimi politik shoqërohet me një platformë të qartë, koordinim të vazhdueshëm, argumentim institucional dhe mbështetje nga faktorët ndërkombëtarë, ai mund të shndërrohet në një instrument të rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve.

Duhet të kujtojmë se çështja e shqiptarëve në Serbi ka qenë historikisht edhe një çështje e numrave, e të drejtave dhe e mbijetesës politike e demografike.

Shqiptarët janë përballur me probleme serioze që lidhen me pasivizimin e adresave të vendbanimit, pengesat në njohjen e diplomave të fituara në Kosovë, diskriminimin institucional dhe pasojat e konflikteve e të politikave shtypëse, të cilat kanë nxitur largimin e një pjese të popullsisë nga trojet e veta.

Këto probleme nuk mund të zgjidhen vetëm përmes zgjedhjeve, por as nuk mund të trajtohen në mënyrë efektive pa përfaqësim politik dhe pa angazhim të vazhdueshëm institucional.

Prandaj, çdo mandat i fituar nga përfaqësuesit shqiptarë duhet të shfrytëzohet për të ngritur çështjet e diskriminimit, të barazisë para ligjit, të arsimit, të zhvillimit ekonomik, të punësimit dhe të përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore.

Në këtë kuptim, arritja e tre mandateve shqiptare do të ishte një sukses i rëndësishëm politik dhe një sinjal se shqiptarët, pavarësisht vështirësive dhe pozitës së tyre të pafavorshme, kanë kapacitet të organizohen dhe të veprojnë së bashku kur bëhet fjalë për interesat e tyre të përbashkëta.

Marrëveshja e Prishtinës dëshmon se bashkëpunimi ndërmjet partive shqiptare është i mundur dhe se interesat e përbashkëta kombëtare duhet të kenë përparësi ndaj ndasive partiake.

Ky bashkim zgjedhor duhet të kuptohet si një hap drejt një kulture më të përgjegjshme politike, në të cilën konkurrenca demokratike nuk e përjashton bashkëpunimin për çështjet me rëndësi jetike për shqiptarët.

Për këtë arsye, pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhjet e 25 tetorit është thelbësore!

Çdo votë ka rëndësi dhe çdo qytetar që merr pjesë në procesin zgjedhor kontribuon në forcimin e legjitimitetit të përfaqësuesve të vet.

Mospjesëmarrja, përkundrazi, rrezikon ta dobësojë zërin politik të shqiptarëve dhe t’ua lërë të tjerëve hapësirën për të vendosur për çështje që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe të ardhmen e tyre.

Prandaj, votimi për listën e përbashkët shqiptare nuk duhet të shihet vetëm si mbështetje për një parti apo grup politikanësh, por si një mundësi për të forcuar përfaqësimin politik të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.

Suksesi i këtij koalicioni do të varet nga aftësia e tij për ta shndërruar unitetin zgjedhor në bashkëpunim të qëndrueshëm parlamentar dhe në rezultate konkrete për qytetarët.

Në përfundim, dalja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhjet e 25 tetorit 2026 është një akt i përgjegjësisë qytetare dhe i ndërgjegjes kombëtare!

Ajo përbën një kontribut të drejtpërdrejtë në forcimin e përfaqësimit shqiptar dhe në mbrojtjen e të drejtave e të interesave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në rrethanat aktuale, uniteti zgjedhor, pjesëmarrja qytetare dhe angazhimi i përgjegjshëm politik janë ndër instrumentet më të rëndësishme për ta bërë zërin e shqiptarëve më të fuqishëm, më të organizuar dhe më të dëgjueshëm në Beograd dhe në arenën ndërkombëtare.

Preshevë, me 24 tetor 2026

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat