Çdo 8 nëntor, enveristët e moçëm, deri në frymën e fundit, dhe “të rilindur” gjatë këtyre mbi 13 viteve të qeverisjes nga Edi Rama, hapur e gjysmë fshehtazi, festojnë 85-vjetorin e krijimit apo të pjelljes së Partisë Komuniste të Shqipërisë, me “mjek gjinekolog” Josif Broz Titon dhe “asistentë” apo “mami” Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, e më vonë, si “tutorë” apo “këshilltarë”, Bllazho Jovanoviçin, Vukmanoviç Tempon, Njaz Dizdareviçin...
Kjo e vërtetë ka shpëtuar pa u zhdukur nga “minjtë” e Enver Hoxhës, që kanë bërë kërdinë nëpër dokumentet arkivore...
Se kur është krijuar dhe cilët kanë qenë sajuesit apo “mamitë” e vërtetë të PKSH-PPSH-PSSH-së dhe çfarë roli ka pasur në lindjen e saj Enver Hoxha, na ndihmon edhe një informacion, i publikuar në faqen e tij në Facebook, më 6 nëntor 2025, nga dr. Vasfi Baruti.
Sipas dokumenteve të cilave u referohet ai, “Partia Komuniste Shqiptare u formua në Vitomiricë të Pejës, Kosovë, më 12 tetor 1941, në mbledhjen e parë politike, nën drejtimin e të ngarkuarit të PKJ-së, Boris Vukmiroviç, sekretar i PKJ-së, me 18 orë diskutim... Merrnin pjesë katër përfaqësues të PKJ-së dhe katër të tri grupeve ‘komuniste’ në Shqipëri. Nga ana e grupeve komuniste në Shqipëri ishin tre vetë nga Kosova, me lidhje me PKJ-në, Fadil Hoxha, Elhami Nimani (ky, me poste drejtuese në UDB) dhe Ali Shykria, dhe vetëm Koço Tashko nga Shqipëria... Nga kjo mbledhje u morën edhe gjashtë vendime...”
Në të vërtetë, këto vendime ishin “detyra shtëpie” për grupet komuniste në Shqipëri.
Po sipas dokumenteve të cilave u referohet profesor Baruti, për këtë ngjarje, akademik prof. Ali Hadri është historiani i parë shqiptar që studioi në themel dhe gjerësi mbledhjen e Vitomiricës...
Pas Ali Hadrit, për këtë mbledhje ka hedhur dritë edhe prof. dr. Nina Smirnova (1928-2001), e cila ka kryer studimet e larta në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, ku mësoi edhe gjuhën shqipe. Duke e zotëruar në nivel shumë të mirë shqipen, shërbeu si përkthyese në Tiranë (1955-1956)...
Formimi i Partisë Komuniste Shqiptare në Vitomiricë, më 11-12 tetor, formalizohet apo zyrtarizohet më 4-8 nëntor në Tiranë..., ku përsëri Enver Hoxha ka pasur rolin e një spektatori, figuranti, kamarieri...!
Për këtë flet shumë edhe fakti se nga mbledhja e Vitomiricës, jo rastësisht, por me urdhër nga lart, nuk mbeti asnjë dokument arkivor në Shqipëri. Në të kundërtën, po me urdhër nga lart, u ruajtën si sytë e ballit të ashtuquajturit “Procesverbal i mbledhjes themeluese” dhe “Rezolucion i mbledhjes së grupeve kryesore komuniste”, në të cilët, pas redaktimit të thellë e të kujdesshëm, futet në mënyrë arbitrare dhe skandaloze, si “mish i huaj”, emri i Enver Hoxhës...!?
Për t’u bindur për këtë të vërtetë, apo se sa shumë kanë futur duar e këmbë në sajimin e PKSH-së drejtues qendrorë e krahinorë të PKJ-së, ndihmojnë edhe kujtimet e njërit prej ish-drejtuesve kryesorë të LKJ-së së Kosovës dhe Jugosllavisë, Fadil Hoxhës (15 mars 1916 – 23 prill 2001).
Mes të tjerash, ai ka shkruar:
“... Kur filloi mbledhja, unë u tregova se nuk jam përfaqësues i Grupit të Shkodrës, sepse askush nuk më ka autorizuar. Unë jam sekretar [politik] i organizatës së Gjakovës [të PKJ-së për Gjakovë] /.../ Elhami [Nimani] nuk ka qenë i autorizuar nga grupi i të Rinjve të jepte pëlqimin. /.../ U vendos që Ali Shykria të shkonte në Shqipëri. /.../ KQ krahinor ndryshoi mendim, në vend të Shykriut në Shqipëri vendoset të vijë Duçi [Dushan Mugosha]...”
Më vonë, të ngarkuarit dhe të dërguarit nga Tito ia hapën rrugën njeriut të tyre, Enver Hoxhës, edhe pse kishte shumë mangësi në formimin arsimor e vese të këqija në karakter dhe sjellje, që të rrëmbente postin e kryetarit të PKSH-së.
Qysh në ato ditë e pareshtur, tek studiuesit dhe qytetarët e thjeshtë SHQIPTARË ka bërë përshtypje fakti që “vëllezërit jugosllavë” përzgjodhën si kryetar të PKSH-së shkollëmesmin dhe perversin Enver Hoxha dhe shmangën figura të shquara intelektuale me diploma universitetesh prestigjioze franceze, austriake, italiane...!?
Nënkuptohet, personalitetet ishin njerëz me integritet dhe dinjitet, që nuk do të mund t’u bindeshin për çdo urdhër e kërkesë, ndërsa Enverin mund ta kishin dhe ta përdornin si kukull apo kone!
Nuk është larg të vërtetës dhe jo pa baza të thuhet e shkruhet se më 8 nëntor 1941 dhe më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit italianë dhe gjermanë dhe ra nën pushtimin sllavo-komunist, jozyrtar, por lehtësisht të nënkuptueshëm!?
Duke u krijuar dhe drejtuar nga “vëllezërit jugosllavë” të Enverit, ishte e pritshme dhe e kuptueshme që PKSH-ja do t’u shërbente interesave dhe synimeve të Titos, LKJ-së dhe shtetit jugosllav...!
Ky tipar gjenetik, qysh nga “mbarsja” dhe “pjellja”, u duk sidomos në funksionimin e PKSH-së si degë e PKJ-së; në hedhjen në koshin e plehrave të vendimeve të Marrëveshjes së Mukjes (2 gusht 1943) e të Konferencës së Bujanit (31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944) dhe në qëndrimin si spektator të brigadave partizane të Shqipërisë gjatë kryerjes së Masakrës së Tivarit.
Edhe më shumë e më hapur, kjo u pa në lehtësimin e barrës së Titos dhe LKJ-së, gjatë viteve 1944-1948, për rikthimin e Kosovës në përbërje të RFJ-së dhe për shndërrimin e Shqipërisë gati në “Republikë të shtatë” të saj!?
Këtë mision që i kishin ngarkuar “vëllezërit jugosllavë”, Enveri e kreu edhe me vrasjen e shumicës së krerëve të familjeve të mëdha nacionaliste shqiptare, si dhe të intelektualëve dhe kuadrove të diplomuar e doktoruar në universitete prestigjioze të vendeve të Perëndimit e të Lindjes, duke ia lënë kështu drejtimin e vendit ish-partizanëve, më së shumti si ai vetë, me shkolla të mesme apo gjysmëinjorantë, por me besnikëri skllavi dhe bindje zagari ndaj tij!
Po kështu, kërkesat e tij me gojë e me shkrim drejtuar Titos për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, si republikë e shtatë e saj, dhe për ta mbajtur Kosovën; izolimi thuajse i plotë i Shqipërisë dhe lënia e saj për 40 vjet në ato nivele të ulëta zhvillimi e jetese dhe në nivele të larta diktature, shprehin devotshmërinë e tij ndaj Titos “vëlla” dhe Jugosllavisë “motër”!
Ndërsa falja dhe justifikimi prej enveristëve fanatikë i këtyre akteve të tij, me koniunkturën evropiane dhe me marrëveshjet Ruzvelt-Stalin-Churchill pas L2B-së, për ndarjen e zonave dhe vendeve të influencës së tyre, shprehin dashuri dhe besnikëri të verbër, deri në mungesë logjike dhe në antishqiptari, ndaj Enver Hoxhës!?
Dekomunistifikimi apo deenverizimi i asaj pjese masive të popullit, që nuk dëshiron me ndërgjegje dhe besnikëri skllavi apo kafshe shtëpiake të shpëtojë prej këtyre të këqijave, do të kishte pasur rezultate dhe rrjedhoja të ndjeshme e të përjetueshme në qoftë se, pas 22 marsit 1992 deri më 1997, qeveritë e PD-së do të merrnin shembull nga përvoja në shumicën e vendeve të ish-kampit socialist për luftimin dhe dënimin e sinqertë apo të fortë, natyrisht sipas ligjeve të Kushtetutës, të komunizmit; për njohjen e krimeve të tij, për respektimin e kujtimit të viktimave dhe kundërshtimin e çdo përpjekjeje për rehabilitimin e diktaturës...
Në Shqipëri, përgjegjësia për krimet e diktaturës nuk mund të relativizohet dhe justifikohet nëpërmjet idealizimit të padrejtë të figurës, rolit dhe kontributit të Enver Hoxhës; nëpërmjet pretendimeve për krijimin prej tij (thua se gjithçka ai e bëri vetëm dhe me paratë e pagës së tij) të një shteti të fortë, për disa arritje ekonomike dhe ushtarake, në fushat e industrisë minerare e të naftës, në fushën e arsimimit masiv e të kulturës.
Çdo arritje e pretenduar si ekskluzivisht prej Enver Hoxhës, në të vërtetë ishte ekipore, kolektive, popullore...
Edhe mohimi dhe justifikimi i krimeve të tij të panumërta, për njerëz që u dënuan për një ankesë zemre, për një fjalë goje të padashur, për një poezi apo këngë “moderne” e “liberale”, cenojnë dinjitetin e viktimave dhe pengojnë përballjen e shoqërisë me të shkuarën dhe me të vërtetat historike.
Po kështu, “harresa” e qëllimshme dhe kundërshtimi kokëfortë, me nostalgjinë absurde apo të çmendur për Enverin dhe diktaturën e tij, i nivelit mjeran të jetesës, me paga dhe pensione tejet të ulëta, me tollona javore me gramatura shumë të ulëta për çdo pjesëtar të familjes dhe me blerje me radhë, nga mesnata deri në agimin e ditëve të reja; me autorizime, pas pritjeve disavjeçare, për blerjen e pajisjeve të mëdha shtëpiake, si televizorë, frigoriferë, makina larëse, si dhe për pushime në plazhe, ku edhe 4-6 vetë të familjes qëndronin në një barakë druri apo dhomë pallati me sipërfaqe 6, 8-10 metra katrorë, shprehin jo vetëm mungesë dinjiteti e sinqeriteti, por edhe mungesë respekti ndaj vetes dhe brezave të rinj.
Këtyre mund t’u shtohen moslejimi për të shkuar për turizëm dhe vizita, as tek të afërmit familjarë në ish-Jugosllavi e në Greqi; mungesat e shumta në transport, në lëvizjen brenda vendit vetëm me trena dhe autobusë të ngadaltë, nëpër rrugë me dy korsi dhe me asfaltim që nuk mbulonte gropat e shumta...
Heshtja ndaj këtyre mungesave apo kufizimeve është gojëmbyllje absurde, e paskrupullt, e ligë... ndaj të vërtetës historike të përjetuar gjatë 47 viteve dhe nëpërkëmbje e vetvetes!?
Se sa prapa na lanë qeveritë e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë, pas 82 vitesh nga 29 nëntori 1944, pas 70 vitesh qeverisjesh komuniste e socialiste, edhe pas përmirësimeve dhe përparimeve jo të pakta të pas vitit 1992, më shumë si meritë e rrjedhojë e kohës dhe e ndihmës nga BE-ja e SHBA-ja, e shpreh shumë fakti se edhe më 8 nëntor 2026 renditemi si vend e si popull ndër të fundit në Evropë dhe në botë për treguesit dhe standardet e zhvillimit, mirëqenies, demokratizimit, integrimit në BE, të drejtësisë, shtetit ligjor e social, të turizmit masiv brenda e jashtë vendit...!