Shqipëria nuk rrezikohet vetëm nga ata që e vjedhin, e varfërojnë apo e keqqeverisin. Ajo rrezikohet edhe nga ata që e duartrokasin shkatërrimin e saj, duke e ngatërruar interesin e pushtetit me interesin kombëtar.
Ka diçka thellësisht shqetësuese në realitetin shqiptar: varfëria është bërë pjesë e përditshmërisë, pensionet nuk garantojnë dinjitetin minimal të jetesës, emigracioni vazhdon të zbrazë vendin, institucionet humbasin besueshmërinë dhe, megjithatë, një pjesë e shoqërisë vazhdon të brohorasë për mrekullitë e qeverisjes. Madje, ndonjëherë, këtë e bëjnë pikërisht ata që e përjetojnë më drejtpërdrejt dështimin e saj.
Nuk është problem nëse dikush punon si kamarier, nëse një tjetër është nëpunës shteti, apo nëse dikush ka bindje të majta, të djathta, fetare apo ateiste. Profesioni, bindja dhe besimi personal janë çështje të lirisë individuale. Problemi fillon kur interesat personale, përfitimet politike apo varësia ekonomike e verbojnë gjykimin qytetar dhe e kthejnë propagandën në zëvendësuese të së vërtetës.
Një pensionist që jeton me 100 euro në muaj dhe brohoret për mrekullitë e qeverisë nuk është domosdoshmërisht njeri pa mend. Ai mund të jetë i zhgënjyer, i manipuluar, i lidhur emocionalisht me një të kaluar politike apo thjesht i paaftë të shkëputet nga bindjet e tij të vjetra. Por pikërisht këtu qëndron tragjedia: kur njeriu mësohet ta justifikojë varfërinë e vet si sukses të qeverisjes, ai rrezikon të humbasë edhe të drejtën morale për të kërkuar një jetë më të mirë.
Varfëria nuk është meritë e qeverisë dhe pensioni nuk është lëmoshë e pushtetit. Janë çështje të drejtësisë sociale dhe të përgjegjësisë shtetërore.
I. Trashëgimia e një shoqërie të deformuar.
Është e domosdoshme tê reflektojmë mbi arsyet që e kanë çuar shoqërinë shqiptare në këtë gjendje. Por një e vërtetë historike nuk mund të anashkalohet: eliminimi, burgosja, persekutimi dhe përjashtimi i një pjese të rëndësishme të elitës intelektuale, profesionale dhe qytetare shqiptare gjatë regjimit komunist i shkaktuan shoqërisë pasoja që nuk janë shëruar as sot.
Kur një shoqëri shkatërron institucionet e dijes, përjashton njerëzit me integritet dhe promovon bindjen ndaj pushtetit në vend të meritës, ajo nuk humbet vetëm individë të shquar. Ajo humbet modele, standarde, tradita intelektuale dhe mekanizma të vetëkontrollit shoqëror.
Pasojat shfaqen në mënyrën se si qytetari e percepton shtetin, si e kupton përgjegjësinë publike dhe si e dallon interesin kombëtar nga interesi i partisë.
Njeriu që është mësuar për dekada të tëra ta shohë shtetin si pronë të pushtetit, shpesh e ka të vështirë ta kuptojë se shteti është pronë e përbashkët e qytetarëve dhe se qeveria është vetëm administruese e përkohshme e tij.
II. Kur pushteti bëhet fe dhe propaganda zëvendëson ndërgjegjen.
Një nga rreziqet më të mëdha të demokracisë është krijimi i kultit të individit. Kur udhëheqësi paraqitet si shpëtimtar, çdo kritikë ndaj tij interpretohet si sulm ndaj vendit, çdo dështim justifikohet me të kaluarën dhe çdo kundërshtar etiketohet si armik.
Kjo nuk është demokraci. Është deformim i mendimit demokratik.
Edi Rama nuk është Shqipëria. Asnjë kryeministër, president, ministër apo kryetar partie nuk mund të identifikohet me shtetin. Qeveritë ndërrohen, partitë vijnë e ikin, ndërsa shteti, institucionet dhe interesat kombëtare duhet të mbeten.
Prandaj, qytetari që kritikon qeverinë nuk është antishqiptar. Përkundrazi, kritika e përgjegjshme është një nga format më të rëndësishme të patriotizmit. Antipatriotike është të heshtësh përballë padrejtësisë, korrupsionit, varfërimit dhe shkatërrimit të institucioneve vetëm sepse përfiton nga pushteti ose identifikohesh me të.
Nuk ka rëndësi nëse dikush beson te Zoti apo është ateist. Asnjë bindje fetare apo filozofike nuk e përjashton njeriun nga detyrimi për të pasur ndërgjegje. Ndërgjegjja nuk është pronë e feve dhe as privilegj i ideologjive. Ajo është themeli i përgjegjësisë njerëzore.
III. Shkërdhatokracia: kur mediokriteti zë vendin e meritës.
Një shoqëri nuk shkatërrohet vetëm kur vidhen paratë publike. Ajo shkatërrohet edhe kur deformohen standardet morale dhe profesionale, kur besnikëria partiake vlen më shumë se kompetenca dhe kur institucionet publike kthehen në strehë të interesave personale.
Kjo dukuri bëhet veçanërisht e rrezikshme kur prek institucionet që duhet të mbrojnë dijen, shkencën dhe identitetin kombëtar. Atëhere, pyetja thelbësore mbetet: çfarë modeli u ofrojmë brezave të rinj kur institucionet më të larta të dijes nuk arrijnë të jenë bindshëm mbi politikën dhe interesat e saj?
Kur shkenca nuk udhëheq politikën e zhvillimit, por politika përpiqet të kontrollojë shkencën, shoqëria humbet busullën e saj intelektuale.
IV. Shqipëria nuk është pronë e askujt!
Edhe më shqetësuese është kur në emër të interesave politike apo personale relativizohet vetë ideja e shtetit dhe vihet në diskutim tërësia territoriale e vendit.
Shqipëria nuk është pronë e një partie, e një kryeministri, e një akademiku apo e një grupi individësh. Ajo nuk është një pasuri që mund të ndahet sipas interesave të çastit. Është një trashëgimi historike dhe kombëtare, e ndërtuar me sakrifica të panumërta dhe që u përket edhe brezave që ende nuk kanë lindur.
Nëse një ide politike, një projekt institucional apo një qëndrim publik prek interesat kombëtare, ai duhet të gjykohet me standardet më të larta të përgjegjësisë historike dhe kushtetuese.
Është tragjike kur njerëz që kanë përfituar nga mundësitë që u ka ofruar ky vend, në vend që të kontribuojnë për forcimin e tij, shfaqin qëndrime që mund të cenojnë unitetin dhe interesin kombëtar.
Nuk mund të ndërtohen minishtete personale mbi rrënojat e shtetit shqiptar. Nuk mund të ketë Shqipëri demokratike pa institucione të forta dhe as Shqipëri të zhvilluar pa një ndjenjë të përbashkët përgjegjësie kombëtare.
V. Ekonomia e një shteti që nuk kujdeset për qytetarin.
Në fund të fundit, të gjitha këto deformime politike, institucionale dhe morale kanë një kosto ekonomike e shoqërore.
Kur shteti nuk garanton drejtësi, qytetari humbet besimin. Kur nuk garanton meritokraci, talenti largohet. Kur nuk garanton siguri juridike, investimi pengohet. Kur pensionet nuk sigurojnë dinjitet, pleqëria kthehet në ankth. Kur arsimi dhe shkenca politizohen, vendi humbet aftësinë për të konkurruar.
Emigracioni nuk është thjesht një lëvizje demografike. Në shumë raste, ai është një referendum i heshtur kundër mënyrës se si funksionon shteti.
Të rinjtë nuk largohen vetëm për një pagë më të lartë. Ata largohen edhe sepse kërkojnë një shoqëri ku puna shpërblehet, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe ku e ardhmja nuk varet nga njohjet, militantizmi apo bindja politike.
Kjo është kriza e vërtetë shqiptare: jo vetëm mungesa e parave, por mungesa e besimit se ky vend mund të funksionojë mbi bazën e meritës dhe drejtësisë.
VI. Në vend të përfundimit: shtetin mbi pushtetin!
Ndoshta jemi vonë për të parandaluar disa prej dëmeve të shkaktuara, por nuk jemi vonë për të ndalur degradimin e mëtejshëm. Shqipëria ka ende njerëz të ndershëm, intelektualë me integritet, profesionistë të aftë dhe qytetarë që nuk e kanë shitur ndërgjegjen për një vend pune, një privilegj apo një interes të përkohshëm.
Këta njerëz duhet të kuptojnë se përgjegjësia e tyre nuk është vetëm të denoncojnë, por edhe të ndërtojnë alternativa, të mbrojnë institucionet dhe të mos lejojnë që mediokriteti të bëhet normë.
Nuk kemi nevojë për një udhëheqës që të na bindë se Shqipëria është mrekulli. Kemi nevojë për një shtet ku qytetari të mos ketë nevojë të duartrokasë pushtetin për të mbijetuar.
Kemi nevojë për pensione dinjitoze, arsim cilësor, universitete cilësore, drejtësi të barabartë, ekonomi prodhuese, institucione të përgjegjshme dhe një elitë intelektuale që nuk i shërben partisë, por së vërtetës.
Patriotizmi nuk matet me numrin e herëve që brohoret emrin e kryeministrit. Matet me guximin për t'i thënë të vërtetën pushtetit, me përgjegjësinë për të mbrojtur shtetin dhe me integritetin për të mos e shitur të ardhmen e vendit për përfitime personale.
Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë adhurues të pushtetit. Ka nevojë për më shumë qytetarë të lirë, njerëz me karakter dhe intelektualë me ndërgjegje.
Shteti mbi pushtetin! Shqipëria mbi partinë! Dinjiteti mbi interesin! Ndërgjegjja mbi servilizmin!
Kjo është rruga e vetme për të mos e humbur Shqipërinë, jo vetëm si territor, por edhe si shtet, shoqëri dhe ideal kombëtar.