Anakronizmi i Tranzicionit: Shqipëria dhe Kosova midis Iluzionit të Kapitalizmit dhe Realitetit Patronazhist

Opinione

Anakronizmi i Tranzicionit: Shqipëria dhe Kosova midis Iluzionit të Kapitalizmit dhe Realitetit Patronazhist

Nga: Agim Vuniqi Më: 10 nëntor 2026 Në ora: 07:52
Agim Vuniqi

Një nga deformimet më të mëdha në debatin publik bashkëkohor mbetet tendenca për të interpretuar realitetin e Shqipërisë dhe Kosovës përmes termave ekskluzivë të "kapitalizmit të egër global" apo teorive neo-liberale të tregut të lirë. Megjithatë, një analizë rigorous e historiografisë dhe sociologjisë politike zbulon një të vërtetë krejt ndryshe: të dyja shoqëritë vuajnë nga një ngërç strukturor, ku institucionet moderne kapitaliste janë mbivendosur mekanikisht mbi një terren thellësisht të dominuar nga trashëgimia e feudalizmit të vone otoman, analfabetizmi funksional dhe strukturat fisnore të patronazhit. Për të kuptuar krizat tona, duhet të kuptojmë se si Shqipëria dhe Kosova e anashkaluan fazën e kapitalizmit industrial klasik, duke kërcyer direkt nga feudalizmi në totalitarizëm, dhe së fundmi në një tranzicion të papërfunduar.

Në Shqipërinë e prag-Luftës së Dytë Botërore, narrativat marksiste të mëvonshme — por edhe ato neo-liberale të sotme — projektuan ekzistencën e një "borgjezie dhe proletariati" që shkencërisht nuk ekzistonte. Vendi ishte shoqëria më analfabete në Evropë (mbi 85%), ku marrëdhëniet e prodhimit kontrolloheshin nga një grusht çifligarësh dhe bejlerësh. Kur regjimi komunist mori pushtetin në vitin 1944, ai nuk përmbysi kapitalizmin, por një strukturë pothuajse feudale agrare, duke aplikuar një industrializim të sforcuar shtetëror mbi një popullatë që kodet e besnikërisë i kishte tradicionale dhe organike, jo klasore. Pas vitit 1991, ky vakum institucional u mbush nga i ashtuquajturi kapitalizëm, por pa kapitalistë. Pa një traditë të pronës private të mbrojtur nga ligji dhe me një analfabetizëm të ri funksional (mungesë të mendimit kritik), tregu i lirë u degjenerua në skema piramidale dhe më pas në një sistem partitokracie, ku partitë politike funksionojnë si çifligje moderne. Kryetari i partisë sot sillet si feudali i djeshëm: ai nuk konkurron me ide, por ndan "toka dhe taksa" (vende pune në administratë dhe tendera) për bujqit e tij modernë (votuesit).

Kosova, nga ana tjetër, ndonëse ndan të njëjtën matricë kulturore, zhvilloi një dinamikë specifike për shkak të shtypjes sistematike etnike nën Jugosllavi. Deri në mesin e shekullit XX, popullsia shqiptare u mbajt qëllimisht në nivele ekstreme të prapambetjes ekonomike dhe arsimore nga regjimet e Beogradit. Në mungesë të një shteti apo tregu që i gjeneronte siguri, struktura sociale e Kosovës u tërhoq drejt vetëmbrojtjes: kooperativës familjare rurale (bashkësisë së madhe gjakësore). Ky organizim gjysmë-feudal dhe patriarkal shërbeu si një mekanizëm gjenial mbijetese, larg logjikës së individualizmit kapitalist. Edhe lëvizjet ilegale të majta apo ato kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX nuk lindën nga kontradiktat e tregjeve financiare, por si reagim ekzistencial ndaj kolonizimit dhe pabarazisë etnike. Kur Kosova u çlirua dhe shpalli pavarësinë, ajo u përball me të njëjtin paradoks: adoptimin e rregullave neo-liberale të privatizimit nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, por mbi një shoqëri ku lidhjet e gjakut, klaneve dhe patronazhit rajonal mbeteshin më të fuqishme se sa institucionet formale të shtetit të së drejtës.

Krahasimi shkencor midis të dyja rasteve zbulon se as Shqipëria dhe as Kosova nuk vuajnë nga "sëmundjet" e kapitalizmit të zhvilluar, por nga mungesa e tij e mirëfilltë. Pa pasur një ndërlidhje organike sociopolitike midis qytetarit dhe shtetit, ku institucionet zëvendësojnë individin e fortë, të dyja shoqëritë mbeten të ndërvarura në tranzicion. Analfabetizmi funksional i masave, i kombinuar me varfërinë ekonomike, i lejon elitave të reja (që janë thjesht pasardhëse të mentalitetit të vjetër oligarkik) të manipulojnë narrativat publike. Pra është e qartë: për sa kohë që strukturat politike funksionojnë mbi parimet e vasalitetit dhe ndarjes së plaçkës publike, analizat që fajësojnë vetëm "globalizmin" apo "kapitalizmin e egër" janë thjesht një tjetër sajim anakronik që fsheh dështimin tonë për të ndërtuar një shtet modern të qytetarëve të lirë dhe të shkolluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat