Në politikën ndërkombëtare, paraqitja publike e një kryeministri në konferenca prestigjioze, forume ekonomike, panaire, samite dhe tubime ndërkombëtare është pjesë e rëndësishme e diplomacisë bashkëkohore.
Megjithatë, ekziston një dallim thelbësor ndërmjet dukshmërisë personale të një lideri dhe suksesit real të diplomacisë shtetërore.
Ky dallim bëhet veçanërisht domethënës kur, krahas shpeshtimit të paraqitjeve ndërkombëtare, shteti përballet me përkeqësim të marrëdhënieve me partnerët e tij më të rëndësishëm strategjikë.
Në rastin e kryeministrit Albin Kurti, udhëtimet e shpeshta jashtë vendit, pjesëmarrjet në konferenca ndërkombëtare dhe promovimi i vazhdueshëm i Kosovës në skenat diplomatike e ekonomike krijojnë një imazh të intensifikimit të aktivitetit ndërkombëtar.
Por, nëse kjo veprimtari shqyrtohet përtej fotografive protokollare, deklaratave publike dhe komunikimeve të kabinetit qeveritar, lind një pyetje serioze: a po shndërrohet diplomacia e Kosovës në një instrument të promovimit politik të kryeministrit, ndërkohë që dobësohet kapitali diplomatik i shtetit dhe besimi i aleatëve të tij tradicionalë?
Kjo pyetje nuk është vetëm çështje e kritikës politike. Ajo prek drejtpërdrejt interesat strategjike të Republikës së Kosovës, sigurinë e saj, integrimin euroatlantik dhe perspektivën e konsolidimit ndërkombëtar.
Në teorinë bashkëkohore të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacia publike konsiderohet një instrument i rëndësishëm për promovimin e interesave shtetërore, për ndërtimin e besimit dhe për krijimin e partneriteteve politike, ekonomike e kulturore.
Por diplomacia publike nuk duhet ngatërruar me diplomacinë e rezultateve!
Pjesëmarrja në një forum prestigjioz, një panel diskutimi apo një konferencë ndërkombëtare mund t’i krijojë një shteti mundësi të rëndësishme për promovim.
Megjithatë, suksesi i këtyre aktiviteteve nuk matet me numrin e fotografive, takimeve të publikuara apo deklaratave optimiste, por me rezultatet konkrete që prodhojnë për interesat e vendit.
Në këtë kuptim, pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, në Konferencën e Sigurisë në Munih dhe në aktivitetet e tjera ndërkombëtare duhet vlerësuar mbi bazën e përfitimeve reale politike, ekonomike dhe diplomatike.
Në janar 2025, në Davos u nënshkrua marrëveshja e tregtisë së lirë me EFTA-n, një rezultat konkret me rëndësi ekonomike për Kosovën.
Prandaj, një analizë serioze nuk mund t’i konsiderojë të gjitha paraqitjet ndërkombëtare si të pavlera.
Problemi shfaqet atëherë kur aktivitetet e tilla promovohen si dëshmi të suksesit të përgjithshëm qeveritar, pa u shoqëruar me një bilanc të qartë të rezultateve.
Një kryeministër mund të marrë pjesë në dhjetëra konferenca, të mbajë shumë fjalime dhe të zhvillojë takime me personalitete ndërkombëtare, por nëse nuk arrin të sigurojë mbështetjen e partnerëve strategjikë për objektivat themelore të shtetit, atëherë diplomacia e tij mbetet e mangët në dimensionin më të rëndësishëm.
Diplomacia nuk është spektakël i pranisë, por art i ndërtimit të marrëdhënieve, besimit dhe rezultateve.
Paradoksi: më shumë paraqitje dhe më pak besim strategjik?
Një prej paradokseve më të rëndësishme të politikës së jashtme të Kosovës gjatë qeverisjes së Kurtit është kontrasti ndërmjet promovimit të vazhdueshëm të orientimit euroatlantik dhe tensioneve të krijuara në marrëdhëniet me disa prej partnerëve kryesorë ndërkombëtarë.
Kosova, që nga çlirimi i vitit 1999 dhe shpallja e pavarësisë më 2008, ka ndërtuar perspektivën e saj shtetërore mbi një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbi integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Ky orientim nuk është një zgjedhje e zakonshme politike, që mund të ndryshohet sipas preferencave të një qeverie. Ai përbën themelin e sigurisë, legjitimitetit ndërkombëtar dhe perspektivës afatgjatë të Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye, marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Brukselin duhet të trajtohen me përgjegjësi të jashtëzakonshme, maturi diplomatike dhe koordinim strategjik.
Megjithatë, marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në janë karakterizuar nga tensione të përsëritura, sidomos lidhur me zhvillimet në veriun e Kosovës, mënyrën e zbatimit të politikave shtetërore dhe koordinimin me aleatët.
Më 12 shtator 2025, Shtetet e Bashkuara njoftuan pezullimin e dialogut strategjik të planifikuar me Kosovën, duke shprehur shqetësimin se veprimet dhe deklaratat e qeverisë në detyrë kishin kontribuar në rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë. Uashingtoni theksoi gjithashtu se zhvillimet e fundit kishin paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite.
Ky vendim përbën një sinjal serioz diplomatik, të cilin nuk mund ta neutralizojnë pjesëmarrjet në konferenca ndërkombëtare, fjalimet politike apo fotografitë me personalitete të huaja.
Për një shtet të vogël dhe me pozitë të ndjeshme gjeopolitike, siç është Kosova, marrëdhënia me SHBA-në nuk është thjesht një dimension i politikës së jashtme. Ajo është një komponent thelbësor i sigurisë kombëtare dhe i qëndrueshmërisë së shtetësisë.
Prandaj, çdo dobësim i besimit ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit duhet të konsiderohet si problem strategjik, jo si një mosmarrëveshje e zakonshme ndërmjet dy qeverive.
Një karakteristikë e komunikimit politik të qeverisë Kurti është tendenca për t’i paraqitur aktivitetet ndërkombëtare në mënyrë të theksuar promovuese.
Takimet, pjesëmarrjet në konferenca, vizitat dhe deklaratat publike shpesh shoqërohen me komunikime që synojnë të krijojnë përshtypjen e një protagonizmi të veçantë të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Kjo mënyrë komunikimi mund të ketë efekt në opinionin e brendshëm, sidomos tek mbështetësit politikë të qeverisë, të cilët mund t’i interpretojnë paraqitjet e kryeministrit si dëshmi të prestigjit ndërkombëtar dhe të suksesit diplomatik.
Por ekziston rreziku që komunikimi politik të fillojë të zëvendësojë vlerësimin objektiv të rezultateve.
Në këtë rast, diplomacia mund të përdoret më shumë për të prodhuar imazhe dhe perceptime sesa për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme strategjike.
Një fotografi me një lider evropian nuk është marrëveshje politike!
Një fjalim në një forum ndërkombëtar nuk është garanci sigurie!
Një panel ekonomik nuk është investim i realizuar!
Një deklaratë për orientimin euroatlantik nuk është integrim në NATO!
Këto dallime janë elementare për çdo analizë serioze të politikës së jashtme.
Nëse qeveria e konsideron praninë e kryeministrit në skena ndërkombëtare si argument për të dëshmuar suksesin e saj, atëherë publiku duhet të ketë të drejtën të kërkojë një bilanc konkret:
Sa marrëveshje strategjike janë realizuar dhe zbatuar?
Sa investime të reja janë siguruar përmes diplomacisë ekonomike?
Çfarë progresi është arritur në njohjet ndërkombëtare dhe integrimin euroatlantik?
Si janë përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe institucionet e BE-së?
Çfarë rezultatesh konkrete janë arritur në dialogun Kosovë–Serbi?
Sa është rritur besueshmëria ndërkombëtare e Kosovës si partner i koordinuar dhe i parashikueshëm?
Këto janë kriteret që duhet të përcaktojnë suksesin e diplomacisë, jo numri i paraqitjeve publike të kryeministrit.
BE-ja dhe SHBA-ja: aleatë strategjikë
Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë dimensioni qendror i çdo qeverie të Kosovës!
Në këtë kontekst, diplomacia e Kurtit përballet me një sfidë të veçantë: si të ruhet sovraniteti shtetëror dhe autoriteti institucional, pa dëmtuar koordinimin me partnerët që kanë kontribuar vendosmërisht në çlirimin, pavarësinë dhe konsolidimin e Kosovës?
Sovraniteti nuk nënkupton izolim diplomatik!
As pavarësia politike nuk nënkupton refuzimin e konsultimit me aleatët!
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht për shtetet e vogla, koordinimi është një formë e racionalitetit strategjik. Ai nuk e zvogëlon sovranitetin, por mund ta rrisë fuqinë negociuese dhe sigurinë e shtetit.
Kosova ka nevojë për një diplomaci që kombinon vendosmërinë për mbrojtjen e sovranitetit me aftësinë për të ruajtur besimin e aleatëve.
Përndryshe, mund të krijohet një situatë paradoksale: qeveria e deklaron vazhdimisht orientimin perëndimor, por në praktikë përballet me vështirësi në koordinimin me partnerët perëndimorë.
Edhe Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndaj Kosovës që nga viti 2023, në kontekstin e tensioneve në veri dhe kërkesave për deeskalim. International Crisis Group, në analizën e tij të vitit 2025, evidentonte përkeqësimin e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në, duke e trajtuar këtë zhvillim si problem serioz për stabilitetin dhe procesin e dialogut.
Kjo dëshmon se çështja nuk është vetëm perceptim i opozitës apo kritikë e kundërshtarëve politikë.
Ajo është pjesë e një debati më të gjerë ndërkombëtar mbi mënyrën se si Kosova po e zhvillon politikën e saj të jashtme.
Kosova ka nevojë për diplomaci rezultatesh
Në fund, çështja më e rëndësishme nuk është se sa shpesh kryeministri Kurti udhëton jashtë vendit, në sa konferenca merr pjesë apo sa herë shfaqet në skenat ndërkombëtare.
Çështja është se çfarë përfiton Kosova nga këto aktivitete?
Një diplomaci e suksesshme duhet të prodhojë rezultate të matshme: forcimin e aleancave strategjike, zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare, avancimin e integrimit evropian, përshpejtimin e perspektivës së NATO-s, tërheqjen e investimeve, përmirësimin e pozitës negociuese dhe rritjen e sigurisë së vendit.
Këto rezultate nuk mund të zëvendësohen me komunikim politik, sado i sofistikuar dhe tërheqës të jetë ai.
Nëse një qeveri investon më shumë energji në promovimin e paraqitjeve ndërkombëtare sesa në përmirësimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, atëherë ekziston rreziku që diplomacia të shndërrohet në një instrument të imazhit personal dhe partiak, në vend se në një mekanizëm të mbrojtjes së interesave shtetërore.
Kosovës nuk i nevojitet një kryeministër që vetëm të duket i pranishëm në botë. I nevojitet një kryeministër që ta bëjë Kosovën më të sigurt, më të respektuar, më të integruar dhe më të mbështetur ndërkombëtarisht.
Përfundimisht, diplomacia nuk matet me distancën e udhëtimeve, numrin e konferencave apo madhësinë e fotografive zyrtare, por me distancën që një shtet arrin të përshkojë drejt objektivave të tij strategjikë.
Në rastin e Kosovës, objektivi nuk është protagonizmi personal i një lideri, por konsolidimi i shtetit, ruajtja e aleancës me SHBA-në, integrimi në BE dhe NATO dhe sigurimi i një të ardhmeje të qëndrueshme euroatlantike.
Nëse këto objektiva mbeten të bllokuara, atëherë edhe diplomacia më e zhurmshme rrezikon të shndërrohet në një diplomaci të fotografive, e cila prodhon përshtypje të suksesit, por jo domosdoshmërisht suksesin e vetë shtetit.
Dhe ky është paradoksi që qeveria Kurti duhet ta përballojë me përgjegjësi politike dhe strategjike: nuk mjafton të promovosh Kosovën në botë, nëse njëkohësisht dobëson besimin e partnerëve që e ndihmuan Kosovën të bëhet shtet dhe që mbeten vendimtarë për të ardhmen e saj.