Ibrahimit iu realizua ëndrra për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike

Sporti

Ibrahimit iu realizua ëndrra për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 16:38
Ibrahimit iu realizua ëndrra për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike

Drilon Ibrahimi çoi në 10 numrin e sportistëve që do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Komisioni Tre-Palësh (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare, Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore) në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Shenjëtarisë, i konfirmuan të premten KOK-ut se sportistit në fjalë i është ofruar një vend me ftesë.

35-vjeçari nga Vitia, thekson se pjesëmarrja në Olimpiadë është synim i kahmotshëm i tij.

“Kam pasur shpresa që do të ftohem. Është ëndërr e çdo sportisti që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, sepse është një rrugë e gjatë dhe e vështirë të arrish në nivele olimpike”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi, që me sportin e shenjëtarisë merret prej shumë vitesh, dikur e kishte synim vetëm përfaqësimin në garat ndërkombëtare.

“Ideja për Olimpiadë ka ardhur me kalimin e viteve dhe ngritjes së shenjëtarisë, pasi nuk ishim të pranuar ndërkombëtarisht dhe nuk merrnim pjesë as në gara ndërkombëtare”, shton ai.

Driloni, bursist olimpik i KOK-ut, shpreson që përfaqësimi në Tokio 2020 nuk do të jetë vetëm për statistika.

“Do të punoj intenzivisht në javët e mbetura, në mënyrë që të kap rezultatin më të mirë të mundshëm. Synoj të hyjë në tetë të parët që kualifikohen për finale”.

Lojërat e shtyera Olimpike Tokio 2020, mbahen prej 23 korrik – 8 gusht 2021 në Tokio të Japonisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat