KOK-u 100 mijë euro shpërblim për medalje olimpike

Sporti

KOK-u 100 mijë euro shpërblim për medalje olimpike

Më: 4 korrik 2021 Në ora: 09:19
Lojërat Olimpike

Lojërat Olimpike janë padyshim njëra nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë. Kosova është përfaqësuar denjësisht nga sportistët e saj në këtë ngjarje viteve të kaluara dhe ka për synim që të njëjtën gjë ta bëjë edhe kësaj radhe në Tokio.

Tashmë janë duke u bërë përgatitjet finale dhe ekipi prej 11 sportistësh nga fusha të ndryshme është i gatshëm ta përfaqësojë Kosovën përkrah mbi 200 vendeve të tjera që marrin pjesë në këtë ngjarje.

Sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës Shasivar Haxhijaj, thotë për KosovaPress se po bëhen përgatitjet finale për këtë ngjarje dhe së shpejti do të organizohet një ceremoni e veçantë ku presidentja Vjosa Osmani do t’ia dhurojë ekipit olimpik flamurin shtetëror.

Haxhijaj: Presidentja Osmani do t’ia dhurojë flamurin e Kosovës ekipit olimpik para nisjes për në Tokio

“Komiteti Olimpik i Kosovës shumicën e punëve i ka përfunduar rreth përgatitjeve për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike, mirëpo në këto ditët e fundit sa na kanë mbetur ende kemi punë për të bërë dhe atë në disa drejtime. Së shpejti neve do të na vie uniforma e ekipit olimpik të Kosovës ku më datën 12 korrik ne do ta organizojmë një ceremoni për dorëzimin e uniformës të ekipit olimpik dhe po ashtu jemi duke u përgatitur që atë ditë presidentja e Republikës së Kosovës në një ceremoni të veçantë t’i dhurojë flamurin e shtetit të Kosovës ekipit olimpik, ose bartësit i cili do të jetë bartës i flamurit të Republikës së Kosovës në lojërat olimpike dhe krahas kësaj sportistët tanë pothuajse të gjithë sportistët që do të marrin pjesë në lojërat olimpikë janë duke i vazhduar përgatitet e tyre në kampet ku ata i kanë menduar në këtë fazë të përgatitjeve.”, tha Haxhijaj.

Haxhijaj thotë se tashmë sportistët janë duke e marr edhe dozën e dytë të vaksinës kundër Covid-19, ashtu siç ishte kërkuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe se kjo është bërë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse të Kosovës.

Haxhijaj: Jemi në fazën e dytë të vaksinimit të sportistëve që do të udhëtojnë drejt Tokios

“Po ashtu ne si Komitet Olimpik i Kosovës së bashku me institucionet përgjegjëse në Kosovë e kemi vaksinuar ekipin olimpik të Kosovës, fazën e parë dhe tani jemi në përfundim edhe të fazës së dytë. Ky ka qenë një obligim edhe yni por obligim edhe i institucioneve të Kosovës, obligim të cilin na e ka vendosur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe për këtë unë dua ta shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj institucionet, çoftë Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera përgjegjëse të cilat iu janë përgjigjur me kohë kërkesës së Komitetit Olimpik të Kosovës për vaksinimin e të gjithë sportistëve dhe ekipit olimpik të Kosovës.”, theksoi Haxhijaj.

Në Lojërat Olimpike Tokio 2020 Kosova si asnjëherë më parë do të përfaqësohet nga 11 sportistë dhe Haxhijaj shprehet i bindur se ata nuk do të kthehen pa medalje nga atje derisa kërkon nga sportistët që të bëjnë një përfaqësim sa më dinjitoz të Kosovës.

Haxhijaj: Shkojmë në Tokio me synimin për të fituar medalje

“Ne përveç pesë normave që thamë i kemi në xhudo, e kemi edhe një në mundje që konsiderojmë që edhe përgatitjet tek Egzon Shala janë duke shkuar jashtëzakonisht mirë. Urojmë që edhe ai ta ketë një performancë sa më të mirë të mundshme në Lojërat Olimpike po ashtu edhe sportistët tjerë të gjithë pothuajse janë në përgatitje dhe këto ditë tjera do të kenë përgatitje. Ne kërkojmë prej tyre që përfaqësimin ta bëjnë sa më dinjitoz për Republikën e Kosovës, sjellja të jetë në nivelin sa më të mirë të mundshëm dhe të mundohen nga vetja ta japin maksimumin[...]Ne shkojmë me bindjen se nuk do të kthehemi pa medalje dhe urojmë që sportistët tanë të fitojnë ndonjë medalje, sa do të jetë numri i tyre nuk është e imja për ta thënë sepse as nuk e di edhe nuk dua të prejudikoj mirëpo edhe kjo nuk dua të tingëllojë si lloj presioni tek sportistët se ne me çdo kusht presim medalje.”, tha Haxhijaj.

Pjesëmarrja në një eveniment kaq të madh dhe të rëndësishëm për sportin natyrisht se ka edhe një kosto të madhe, por Haxhijaj për KosovaPress zbulon se nuk do të mungojnë edhe shpërblimet për ata sportistë të cilët arrijnë rezultate të mira ose fitojnë medalje në Tokio. Në rast se një sportist arrin ta fitojë medaljen e artë atje, shpërblimi që e pret në Kosovë është 100 mijë euro.

Haxhijaj: Kosova e shpërblen fituesin e medaljes së artë me 100 mijë euro

“Çdokund në botë shpenzimet për të arritur një medalje olimpike janë jashtëzakonisht të mëdha, ndoshta Kosovë bënë shpenzime më së paku në të gjithë rruzullin tokësor. Arsyet janë të shumta sepse edhe kushtet tona si Kosovë nuk janë të nivelit shumë të lartë ashtu siç do të dëshironim ne si komunitet i sportit që sportistët tanë t’i kenë kushtet më të mira. Mirëpo me kapacitetet që i ka Kosova, realisht institucionet e Kosovës kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm do të thoja në përgatitjen e këtyre sportistëve që ata të arrijnë nivelin më të mirë të mundshëm dhe normal këto përgatitje duan edhe kosto, duan edhe shpenzime. Ta zëmë një medalje olimpike nëse e fiton, një medalje e artë olimpike, shteti i Kosovës i jep 100 mijë euro neto për atë sportist dhe gjysmën e saj për trajnerin, realisht ka ndodhur edhe kur Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë në Rio. Krahas kësaj janë edhe shpërblimet për medaljet e fituara në kampionatin botëror dhe kampionatin evropian, të gjitha këto prej institucioneve respektohen, po ashtu edhe infrastruktura është e kushtueshme.”, deklaroi Haxhijaj.

Në fund, Sekretari i KOK-ut bënë të ditur se sportistët të cilët fitojnë medalje në Lojërat Olimpike nuk marrin shpërblime monetare nga organizatorët e kësaj ngjarje, ashtu siç mund të mendohet, por kjo bëhet pastaj nga shtetet përkatëse varësisht se si i kanë rregullat dhe ligjet e tyre.

Haxhijaj: Për medaljet e fituara, organizatori nuk i shpërblen në mënyrë monetare sportistët

“Jo, nuk ka shpërblim monetar medalja që fitohet atje, mirëpo zakonisht secili shtet e ka të rregulluar çoftë me akte ligjore ose nënligjore mënyrën e shpërblimeve. Shumë shtete të botës fare nuk i shpërblejnë për medaljet e fituara mirëpo Kosova është si rast i rrallë, mund të them që diku në nivel botëror është në ranglistë e shtata me shpërblimet më të mira që i bënë për sportistët e vet elitar dhe kjo normal që është për t’u duartrokitur për institucionet e Kosovës për mbështetjen që i japin sportit të Kosovës. “, tha Haxhijaj.

Ndryshe, Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të zhvillohen nga 23 korriku deri më 8 gusht 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat