Dy federata të reja bëhen anëtare të KOK-ut

Sporti

Dy federata të reja bëhen anëtare të KOK-ut

Më: 30 mars 2022 Në ora: 23:08
Asambleja e Punës e Komitetit Olimpik të Kosovës

Të mërkurën është mbajtur Asambleja e Punës e Komitetit Olimpik të Kosovës për vitin 2021.

Në fjalën e tij, presidenti Ismet Krasniqi, duke falënderuar asambleistët për bashkëpunimin, e quajti vitin 2021 më të suksesshmin në histori të sportit kosovar.

I pari i KOK-ut përmendi suksesin në Lojërat Olimpike Tokio 2020, themelimin e Akademisë Olimpike, aktivitetet e edukimit olimpik, bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare sportive si IOC, EOC, ANOC, ICMG, pastaj Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport etj.

I pranishëm në Asamble ishte edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, i cili vlerësoi lart bashkëpunimin me KOK-un në zhvillimin e strategjisë kombëtare dhe projekte tjera të shumta.

Ministri përmendi edhe rritjen e buxhetit për KOK-un dhe federatat sportive për vitin 2022, licencimin e federatave etj.

Të pranishëm në Asamble ishin 101 delegatë nga 112 sosh.

Asambleistët diskutuan për praninë e disa prej federatave sportive, të cilave iu kontestohej e drejta e votës, derisa u bënë diskutime edhe për kërkesën e mosbesimit të kërkuar nga disa federata sportive, por që Bordi Ekzekutiv i KOK-ut nuk e kishte përfshirë në Rendin e Ditës, duke i vlerësuar arsyetimet të pabaza dhe jostatutare.

Kjo ngjalli paknaqësi tek një pjesë e asambleistëve, të cilët lëshuan sallën, kurse punimet i vazhduan 77 delegatë.

Unanimisht u aprovuan rendi i ditës, procesverbali i Asamblesë së Punës 2020 dhe Asamblese Zgjedhore, raporti i punës 2021, raporti financiar 2021, raporti i auditimit 2021, raporti i këshillit mbikëqyrës, plani i veprimit 2022 dhe plani financiar 2022.

Po ashtu, unanimisht u votua edhe për anëtarësimin e plotë të Federatës së Padelit dhe Federatës Mundje Krahu të Kosovës.

Paraprakisht, u mbajt një minutë heshtje për gjithë kontribuesit e sportit, të cilët u ndanë nga jeta gjatë vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat