Merizaj “flirton” me rekordin kombëtar

Sporti

Merizaj “flirton” me rekordin kombëtar

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 12:44
Merizaj “flirton” me rekordin kombëtar

Prej 17 qershorit në Budapest ka nisur Kampionati Botëror i Notit, aktivitet që do të mbyllet më 3 korrik.

Në evenimentin më madhor të notit merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet me Kledi Kadiun dhe Nikol Merizajn. Ditën e djeshme radhën për të konkurruar e kishte Nikol Merizaj, e cila mori pjesë në disiplinën 50 metra delfin.

23-vjeçarja nuk mundi që të kualifikohej për në gjysmëfinale, teksa regjistroi kohën 27.83, duke u renditur në vend të 38-të ndërmjet 62 konkurrenteve.

Objektivi i Merizajt në këtë garë ishte thyerja e rekordit kombëtar që mban po vetë në 50 metra delfin. Notarja kuqezi iu afrua shumë, por nuk mundi që ta përmirësonte rezultatin e saj 27.71.

Kujtojmë se Nikol Merizaj prej shumë vitesh është kampione absolute në Shqipëri dhe mban një seri me rekorde. Por Botërori nuk do të mbyllet këtu për Merizajn, pasi notarja fierake sot do të garojë në disiplinën 50 stil i lirë.

Më parë për Shqipërinë ka garuar edhe Kledi Kadiu. Më 20 qershor ai mori pjesë në kualifikueset e garës 50 metra bretkosë.

Kadiu regjistroi kohën 29.15 duke u renditur në vend të 40-të, pa mundur që të sigurojë kualifikimin për në raundin tjetër.

Kujtojmë se Kadiu mban rekordin kombëtar në këtë disiplinë me kohën 28.12, rezultat të cilin e ka vendosur në gusht të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat