Shaban Tërstena nderohet me stemën e qytetit të Ferizajt

Sporti

Shaban Tërstena nderohet me stemën e qytetit të Ferizajt

Nga: K.G. Më: 2 shtator 2025 Në ora: 16:31
Shaban Tërstena e Agim Aliu

Kampioni olimpik në vitin 1984 dhe nënkampioni olimpik në vitin 1988, legjenda e mundjes Shaban Tërstena, është nderuar me stemën e komunës së Ferizajt.

Agim Aliu, kryetar i Komunës së Ferizajt, ka pritur Shaban Tërstenën, ku diskutuan për periudha të ndryshme të sportit.

Tërstena ishte i shoqëruar nga legjenda e boksit, Zahir Shabani. 

Image

Pamje nga takimi

“Me emrin që përfaqëson një nga pjesët më krenare të historisë së sportit shqiptar, sinonimi i fitoreve, kampioni medaljeplotë botëror e i papërsëritshmi simbol i sportit të mundjes, Shaban Tërstena nga i cili mora edhe librin e tij, një dokumentimin i suksesit të jashtëzakonshëm sportiv që me të drejtë e meritëplote është krenaria jonë kombëtare”, ka shkruar Aliu në profilinm e tij në facebook.

Nga ana tjetër, Tërstena është krenar me pritjen dhe që u nderua me stemën e qytetit të Ferizajt.

“U realizua një takim i përzemërt dhe me plot vlerë, ashtu siç u ka hije dy figurave shqiptare - mes një kampioni sportiv me famë botërore dhe një luftëtari çlirimtar, i cili vazhdon të jetë një udhëheqës i përkushtuar në shërbim të popullit.

U mirëprita në mënyrë vëllazërore, siç e do zakoni dhe tradita shqiptare nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, në zyrën e tij, një institucion që ai e drejton prej shumë vitesh me shumë përkushtim dhe suksese. 

Gjatë këtij takimi miqësor, biseduam për shumë çështje e në veçanti për zhvillimin e sportit dhe mbështetjen ndaj sportistëve nga Ferizaj. Ishte kënaqësi e veçantë të dëgjoja vizionin dhe angazhimin e tij për përkrahjen e sportit. Siç tha vetë, lojërat sportive janë pjesë e krenarisë sonë kombëtare dhe pasqyrim i vlerave tona në arenat ndërkombëtare.

Faleminderit nga zemra kryetarit Agim Aliu për nderimin dhe respektin që më tregoi, si dhe për dhuratën simbolike që më dhuroi. Ky akt më prek thellë, por ndihem shumë krenar pasi është një vlerësim për çdo sakrificë, për çdo stërvitje të mundimshme dhe për çdo trofe që kam sjellur shumë medalje dhe fitore ,edhe atë në kohat më të vështira të kombin shqiptar.

Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, si sportist i shekullit XX, pata kënaqësinë t’i dhuroj kryetarit Agim Aliu librin tim “Rruga e Kampionit Olimpik” një rrëfim i jetës sime sportive ,sfidat, sakrificat dhe trofetë që u arritën me shumë mund, vetëm për një qëllim, për të arritur majat e larta e suksesit.

Kjo mirënjohje nuk është thjesht një simbol, por një kujtim i përhershëm që shpresoj të frymëzojë fëmijët tanë, nipërit, mbesat dhe gjeneratat e ardhshme”, ka shkruar Tërstena.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat