Klubi i volejbollit i Ferizajt “Fer Volley”, ka përmbyllur një nga sezonet më të suksesshme në historinë e tij, duke fituar katër trofe madhorë; titullin e kampionit të Kosovës, Superkupën, Kupën e FVK-së dhe Kupën e Pavarësisë.
Kulmi i këtij sezoni erdhi në finalen vendimtare të kampionatit, ku Fer Volley mposhti rivalin lokal Ferizaj me rezultat 3-1 në ndeshjen e pestë, duke fituar serinë finale me 3-2.
Pas një fillimi më të mirë nga Ferizaj në setin e parë (22-25), kampionet reaguan fuqishëm duke përmbysur gjithçka me setet 25-23, 25-20 dhe 25-22.
Megjithatë, rruga drejt këtij suksesi nuk ishte aspak e lehtë. Kryetrajneri Edon Ibrahimi duke folur për KosovaPress, theksoi se ekipi ishte ndërtuar për trofe që nga fillimi, por gjatë sezonit hasën sfida të shumta.
Ibrahimi: Ekipi i ndërtuar për trofe
“Po padyshim se nga fillimi i kampionatit të sezonit, domethënë ekipi i Fer Volley-it është projektuar për të gjitha trofetë dhe padyshim që e kemi pritur, por gjithsesi pjesën e janarit ndoshta kemi pasur pak telashe, por po besoj se patjetër që ka qenë e pritur nga të gjithë ne” – tregon Edon Ibrahimi.
Sipas tij, problemet më të mëdha u shfaqën në mes të sezonit, sidomos në përbërjen e ekipit dhe gjetjen e lojtareve vendore.
Ibrahimi: Problemet më të mëdha i kemi pasur në gjetjen e lojtarëve
“Kjo ndoshta ka qenë pjesa që nuk është menduar aspak në fillim të sezonit kur kemi projektuar ekipin, por ja që situata të tilla ndodhin dhe besoj që problematikat më të mëdha i kemi pasur edhe në gjetjen e lojtarëve, për shkak se nuk ka qenë ndoshta shumë problemi te lojtarët e huaj, sa ka qenë problemi te lojtarët vendorë, pasi dihet që në kampionat munden vetëm tre lojtarë të huaj të paraqiten njëkohësisht në ndeshje, kurse ne kishim probleme me lojtare vendore” – tha Ibrahimi.
Një nga goditjet më të mëdha për ekipin ishte largimi i organizatores Logan Case dhe disa lojtareve kyçe, që detyroi skuadrën të rindërtonte sistemin e lojës.
Ibrahimi: Vesa mungesa më e madhe për ekipin tonë
“Logan Case si organizatore patjetër që është truri i ekipit dhe kur të ndërrohet një lojtare organizatore, atëherë llogaritet sikur duhet të fillosh komplet sistemin nga fillimi me një organizatore të re. Gjithashtu, edhe vonesa e ardhjes së organizatores së re na ka kushtuar jashtëzakonisht shumë për shkak të procesit të vizave dhe gjërave administrative, kurse pjesa e Vesës patjetër që ka qenë kjo ndoshta mungesa më e madhe për ekipin tonë, për shkak edhe të nivelit, por edhe për shkak se ka qenë lojtare vendore” – tha ai.
Përveç problemeve brenda ekipit, Ibrahimi ngriti shqetësimin edhe për ndërhyrje nga jashtë në momentet më të ndjeshme të sezonit.
Ibrahimi: Ka pasur tentativa për t’ua dëmtuar përqendrimin lojtarëve
“Në bazë të informatave që i kam, ka ekipe në Kosovë të cilat kanë tentuar t’i kontaktojnë rreth sezonit të ri që vjen, por normalisht për mua dhe për ne patjetër që kjo për ne po besoj që kjo vetëm sport nuk mund të quhet, pasi ka mundësi që finalja përfundon, ka përfunduar mbrëmë dhe nga sot e deri në gusht, kur të mbyllen afatet, po besoj se ka pasur kohë të mjaftueshme, po besoj se ka qenë një tentativë për t’ua dëmtuar përqendrimin e lojtarëve” – rrëfen tutje Ibrahimi.
Ai gjithashtu pranoi se klubi u përball edhe me vështirësi financiare gjatë sezonit.
Ibrahimi: Me largimin e lojtarëve, ka pasur probleme financiare rreth klubit
“Situata financiare ka qenë e mirë nga fillimi, por në fazën e janarit, me largimin e lojtarëve, ka pasur edhe probleme financiare rreth klubit. Tash edhe vonesa të pagesave, si nga Ministria, si nga komuna, gjithashtu sponsorët nuk kanë arritur t’i përmbushin detyrimet disa ditë deri në fund sipas marrëveshjeve, por besoj se ia kemi dalë jashtëzakonisht mirë ta përmbyllim këtë fazë, por patjetër se ka pasur edhe probleme financiare, një problem ekstra për ekipin tonë” – përfundon Ibrahimi.
Kapitenja Gresa Raçi e përshkroi triumfin si një emocion të veçantë dhe një sezon jashtëzakonisht të vështirë.
Raçi: Titulli kampion, një emocion jashtëzakonisht i madh
“Një emocion jashtëzakonisht i madh. Faleminderit trajnerëve, shoqeve të skuadrës dhe të gjithëve që na kanë mbështetur gjatë kësaj rruge të kampionit” – tregon Raçi.
Ajo theksoi se ndryshimet e shpeshta në ekip ndikuan ndjeshëm në ecurinë e lojës.
Raçi: Ecuria e lojës ka ndryshuar, pas çdo largimi të lojtareve
“E vështirë është, sepse pas çdo largimi të ndonjë lojtareje për arsye të veta, ecuria e lojës ka ndryshuar dhe volejbolli është zinxhir: një lojtare, nëse nuk është mirë ose nuk përshtatet me klubin, ndikon. Kështu që ka qenë jashtëzakonisht e vështirë...Ky sezon ka qenë jashtëzakonisht shumë i mirë, por edhe shumë i vështirë. Për mua është viti i dytë që jam kampione e Kosovës dhe ky vit, në të vërtetë, shijon edhe më shumë. Kam qejf të jem te ekipi im” – përfundoi Raçi.
Pavarësisht sfidave, klubi “Fer Volley”, mbajti fokusin dhe e mbylli sezonin si kampion me katër trofe.